Himni i 'paqes', i papëlqyer në Kosovë
Foto: Driton Bublaku

Himni i 'paqes', i papëlqyer në Kosovë

Aktuale shkurt 24, 2018 - 08:07

Himni i Kosovës, edhe pse i miratuar tashmë 10 vjet nga Kuvendi, nuk ka arritur ende të pranohet nga një pjesë e madhe e qytetarëve e për më shumë as nga partitë politike në vend. Madje, gjatë kësaj kohe partitë politike kanë ditur të tregojnë mosrespekt për simbolin e shtetit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Derisa kompozitori i himnit Mendi Mengjiqi ka thënë se ky himn është muzikë e mburrjes dhe e paqes për vendin, përfaqësuesit e partive politike thonë se simbolet e shtetit nuk janë zgjedhur me vullnetin e qytetarëve, por që janë të imponuara.

Ndërkohë sociologët thonë se shqiptarët e Kosovës janë më të familjarizuar me himnin kombëtar shqiptar. Ata thonë se respektimi i simboleve shtetërore nuk duhet të ndodhë vetëm nga sportistët dhe këngëtarët, porse këtë duhet ta bëjnë edhe politikanët.

Mengjiqi: Himni paraqet kulturë evropiane dhe paqe

Autori i himnit, kompozitori Mendi Mengjiqi për “Zërin” ka rrëfyer momentin kur ka kompozuar himnin e që me anë të tij ka tentuar të paraqesë paqe, gëzim, krenari e dashuri për vendin. “Himni është muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka thënë Mengjiqi.

Ai ka theksuar se ndihet krenar që ka kompozuar këtë himn. “Unë e ndiej veten si një krijues i një forme muzikore, e cila e simbolizon shtetin tim dhe është krenari e kënaqësi e veçantë të jesh pjesë e krijimeve shtetërore”, u shpreh Mengjiqi.

Sipas tij, është e jashtëzakonshme kur gjeneratat e reja e dëgjojnë himnin i cili nuk paraqet dhunë, por kulturë evropiane, si dhe paqe. “Kam dashur t’i paraqes të gjitha virtytet e popullit tonë, që gjithmonë kemi qenë në mbrojtje, nuk kemi qenë në agresivitet dhe nuk e kemi sulmuar askënd. Teksti paraqet lavdinë e popullit tim, i cili është mbrojtur”, u shpreh Mengjiqi.

Kurteshi: Simbolet e Kosovës janë të imponuara

Sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, konsideron që himni dhe simbolet tjera të shtetit tonë janë vendosur pa i pyetur qytetarët e Kosovës dhe si të tilla janë të imponuara. Ai për “Zërin” ka thënë se “Vetëvendosja” nuk i pranon këto simbole por deri atëherë kur të iniciohet një vendim për ndërrim të këtyre simboleve, atëherë “Vetëvendosja” do të funksionojë pranë këtyre simboleve. “Ne funksionojmë edhe pranë këtyre simboleve, qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë edhe në Komunën e Prishtinës, si dhe në komunat tjera të fituara nga ‘Vetëvendosja’”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, këto simbole “Vetëvendosja” do t’i pranojë vetëm atëherë kur ndodh me deklarim të qytetarëve. “Ne do të vazhdojmë kështu deri në momentin kur qytetarëve do t’u jepet mundësia të përcaktohen për himnin dhe për simbolet tjera që i identifikojnë qytetarët e Kosovës”, ka theksuar më tutje Kurteshi.

Beqiri: LDK-ja respekton simbolet dhe institucionet e Kosovës

Ndërsa sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se LDK-ja i respekton institucionet e shtetit dhe simbolet e saj.  Mirëpo, sipas tij, dëshira e LDK-së ka qenë që simbol i shtetit të Kosovës të jetë himni “Kur ka ra kushtrimi në Kosovës”, i propozuar nga presidenti Ibrahim Rugova, por atë kohë kjo ide nuk ka gjetur përkrahjen e duhur. “LDK-ja i respekton institucionet e shtetit dhe simbolet e saj. Vullneti dhe dëshira jonë qe flamuri dardan dhe himni ‘Kur ka ra kushtrimi në Kosovë’, të propozuara nga presidenti ynë historik Ibrahim Rugova, të jenë simbole shtetërore por fatkeqësisht nuk kishte mirëkuptim e as përkrahje nga individë dhe subjekte të caktuara politike shqiptare”, ka thënë Beqiri.

Ai bëri të ditur se mbetet të shihet pas një kohe në rrethana tjera se a do të ketë referendum dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë në lidhje me ndërrimin e simboleve.

Po ashtu duke aluduar në kërkesën për himnin kombëtar të disa partive tjera politike, Beqiri ka theksuar se si dy shtete me një himn dhe një flamur nuk mund të funksionojnë.

“Është e qartë se dy shtete me një flamur e me një himn nuk mund të funksionojnë dhe nuk mund të pranohemi në asnjë organizatë ndërkombëtare. Çdo qasje tjetër është njëfarë folklorizmi, patriotizmi fals”, ka thënë Beqiri.

Ai për mosrespektimin e simboleve të shtetit të Kosovës ka kritikuar edhe zyrtarët e Komunës së Prishtinës. “Prej vitit 2013 kur Prishtina udhëhiqet nga ‘Vetëvendosja’ janë sjellje të papranueshme. Si individë apo subjekt politike mund të mendosh ndryshe, por kur udhëheq institucionin, kur garon me logo dhe me stemë të Republikës, kur paguhesh nga këto institucione shtetërore, atëherë edhe duhet t’i respektosh”, ka thënë Beqiri duke shtuar se me këto simbole Kosova po përfaqësohet ndërkombëtarisht dhe po garon duke fituar medalje përmes sportistëve të saj.

Krasniqi: Politikanët duhet të japin shembull për respektim të simboleve

Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se shqiptarët janë familjarizuar me himnin kombëtar pasi ai ndihet më shumë në rrafshin emocional. “Shqiptarët e Kosovës janë mësuar me himnin kombëtar, i cili prek më tepër në rrafshin emocional dhe kombëtar, por duhet të mësohen edhe me himnin e Kosovës, i cili prek më shumë në rrafshin institucional dhe shtetëror”, ka theksuar ai.

Sipas tij dy simbolet, himni dhe flamuri, duhet që të përjetohen emocionalisht njësoj sikur shteti. “Për t’u përjetuar emocionalisht simbolet e Kosovës, himni dhe flamuri, duhet që të përjetohet emocionalisht edhe shteti e kjo ndodh kur ai funksionon si duhet dhe të bën për t’u ndier krenar. Sa më shumë që forcohet shteti, aq më shumë forcohet dashuria për të e po ashtu edhe për simbolet e tij”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, nuk mjafton që vetëm sportistët dhe këngëtarët t’i duan simbolet e shtetit, por këtë duhet ta bëjnë edhe politikanët. “Për t’i dashur simbolet shtetërore nuk mjafton që vetëm sportistët, këngëtarët dhe artistët të japin shembull të mirë në botë. Këtë duhet ta bëjnë në rend të parë politikanët, udhëheqësit e shtetit. Ata duhet të japin shembull të mirë, në vend dhe në botë e kjo ndikon më së shumti në respektin e qytetarit për shtetin dhe simbolet e tij.  Dashuria e qytetarëve për simbolet është një barometër i respektimit të pushtetit për shtetin”, ka thënë Krasniqi.