Beqiri reagon për shtyrjen e seancës solemne të Pavarësisë

Aktuale February 15, 2018 - 19:24

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, ka reaguar për shtyrjen e seancës solemne për shënimin e dhjetë të vjetorit të Pavarësisë.

Ai thotë se një gjë e tillë është absurde dhe e papranueshme.

“Posa u informova nga zyrtarët e Kuvendit, po ashtu lexova edhe në faqen zyrtare të Kuvendit, seanca solemne për shënimin e 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë mbahet më 18 shkurt në ora 12:00. Ky është një absurd i llojit të vet, nuk ka kuptim, për mua është e papranueshme të shtyhet ditëlindja e Republikës së Kosovës. Nuk më intereson fare çfarë arsyetimi mund ta ketë ai ose ata që e kanë bërë këtë veprim absurd. Nëse seanca nuk mbahet më 17 shkurt, atëherë sipas kësaj logjike 10 vjetori mund të shënohet cilëndo ditë brenda këtij viti. Kjo është non sens”, ka shkruar Beqiri në Facebook.

Ai më tutje ka shtuar, “vërtetë a kanë pikë të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë bartësit e institucioneve tona, në këtë rast të Kuvendit të Kosovës”.