Formula e re diplomatike: Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por jo edhe ta njohë?

Aktuale February 15, 2018 - 17:39

Bashkimi Evropian po synon t'i bindë Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje obligative për normalizimin e plotë të marrëdhënieve diku deri në vitin 2019, por kjo nuk do të thotë që Serbia ta njohë formalisht Kosovën.

Sipas formulimit më të ri, të cilin dje e solli top diplomati gjerman Sigmar Gabriel, Beogradi vetëm duhet ta pranojë pavarësinë, respektivisht ekzistimin e shtetit të Kosovës, por nuk është i obliguar ta njohë atë formalisht.

Ajo që është folur për një kohë të gjatë, se Kosova dhe Serbia duhet të rregullojnë raportet ndërmjet vete sipas modelit të dy Gjermanive, (Gjermania Federale s’e kishte njohur Gjermaninë Lindore), si duket po merr formë edhe në nivel diplomatik.

Deri më tani, Serbisë i është kërkuar normalizimi i plotë me Kosovën, që sipas shumë interpretimeve nënkupton heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, definimin e qartë të territorit serb për integrim në BE, mbajtje të raporteve nëpërmjet përfaqësuseve diplomatikë në të dy kryeqyetet, por jo akt formal të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Por, kryediplomati gjerman Sigmar Gabriel dje në Prishtinë ka sjellë një qëndrim më të nuancuar që është cituar edhe nga media të rëndësishem ndërkombëtare. Ai ka thënë se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por nuk e ka përmendur fjalën njohje.

“Nëse Serbia dëshiron të lëvizë drejt BE’së, sundimi i ligjit është kushti themelor, por natyrshëm edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Gabriel gjatë konferencës për media.

“Ky është kushti qendror për rrugën drejt Europës” ka thënë ai.

Gabriel ka bërë me dije se këtë që e ka thënë në Kosovë, si mesazh të njëjtë e ka prezantur edhe në Beograd.

Ndërkaq, mediat serbe raportojnë se deklaratat që Gabriel i bëri në Prishtinë nuk ishin të njëjta me ato në Beograd.

Në konferencën për media me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se Gjermania dhe BE-ja dëshirojnë që të "zgjidhet situata ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Serbisë dhe Kosovës".

Sipas tij, zgjidhja nuk është e rëndësishme vetëm për BE-në, por mbi të gjitha për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës.

Disa orë më vonë, Gabriel vizitoi  Prishtinën si një përfaqësues i vendit që njeh pavarësinë e Kosovës dhe atje ishte shumë specifik sa i përket marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, shkruan ‘B92’.

“Nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet BE-së, kërkesa kryesore është ta ndërtojë shtetin e së drejtës, por edhe ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Gabriel në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn.

Sado që një deklaratë e avancuar që ka sjellë entuziazëm, liderët e Kosovës nuk i kanë bërë ndonjë publicitet të madh, pasi që e dinë se, me gjasë, BE nuk do të kërkojë njohje të plotë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli kishte thënë kohë më parë se Serbia s'duhet ta njohë patjetër Kosovën, por t’i normalizojë raportet. Pacolli mbrëmë ka qenë nikoqir i top diplomatit gjerman në shtëpinë e tij në Hajvali.

Ndryshe, BE, në strategjinë e publikuar ditë më parë, ka kërkuar një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht obligative është urgjente dhe kruciale në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugët respektive evropiane”, thuhej në dokument.

“Kosova do të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, theksohet më tej në strategjinë e BE'së./Express/