Thaçi në takim me Markoviqin, kritikon spektrin politik në vend

Aktuale February 15, 2018 - 13:24

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç, i ka bërë thirrje spektrit politik për unitet në ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Ftoj për një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i hapur rrugë liberalizmit të vizave. Kjo do të ishte dhurata më e bukur për qytetarët e Kosovës në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Markoviç kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, gjendjen aktuale politike në rajon dhe për perspektivën evropiane.

Presidenti Thaçi ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, duke kërkuar zgjerimin e tyre edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviç, ka theksuar se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën dhe do ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror.

“Do të bashkëpunojmë ngushtë që t’i realizojmë interesat tona të përbashkët, të anëtarësimit në BE”, u shpreh kryeministri Markoviç.

Presidenti Thaçi ka theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.

Image