Policia me plan të veçantë operativ për 10-vjetorin e Pavarësisë

Aktuale February 15, 2018 - 10:10

Në prag të festës së 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë bërë gati manifestime të shumta.

Ndërkohë, për të mbajtur rendin dhe qetësinë gjatë festës së pavarësisë edhe policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme duke hartuar një plan të veçantë, shkruan Express.

“Policia e Kosovës me plan të veçantë operativ për ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë manifestimeve për Pavarësinë e vendit. Me rastin e shënimit të vitit jubilar, 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndërmarr masa të nevojshme planifikuese operative dhe preventive duke hartuar një plan të veçantë operativ për të siguruar që mbarëvajtja e evenimenteve manifestuese të kaloj pa ndonjë incident duke ju mundësuar qytetarëve të Republikës së Kosovës që të festojnë ditën e pavarësisë së vendit. Qëllimi i planifikimeve operative policore përmes këtij urdhër të veçantë operativ është: Mbajtja e rendit, qetësisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit. Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike në vend. Ofrimi i sigurisë së shtuar, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të organizuara nga Institucionet shtetërore. Ngritja e nivelit të përgjegjësisë policore në monitorim, reagim dhe veprime konform zhvillimit të situatës për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve kudo dhe kurdo gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese në gjithë vendin”, thonë zyrtarët policorë.

Ndryshe, për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, një koncert do të mbajë edhe këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Rita Ora.