MPJ-ja: ''Tërheqja'' e njohjeve, propagandë e Serbisë
Foto: Driton Bublaku

MPJ-ja: ''Tërheqja'' e njohjeve, propagandë e Serbisë

Aktuale shkurt 12, 2018 - 08:18

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se nuk ka indikacione për tërheqje të njohjes nga Çekia. Sipas MPJ-së, informacionet për tërheqje të njohjeve janë propagandë e Serbisë. Ndërsa ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se nuk mund të ketë tërheqje të njohjes, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjatë fundjavës mediet serbe kanë raportuar që ish-diplomati çek Jan Kavan ka filluar një peticion për tërheqjen e njohjes për Kosovën nga Republika Çeke dhe se do të organizohet edhe një protestë, ku pritet t’i bashkohet edhe presidenti Milosh Zeman.

Por në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë indikacion që Republika Çeke ka ndërruar qëndrim.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, ka thënë për Zërinse informacionet për tërheqjen e njohjeve janë propagandë e medieve serbe.

Madje ajo bëri të ditur se në 10-vjetorin e Pavarësisë në Kosovë do të jenë edhe dy zëvendësministrat e punëve të Jashtme të Çekisë.

LEXO EDHE: KQZ-ja, pa mandat

“Absolutisht nuk është e vërtetë, prapë po e cek, janë propaganda të mediumeve serbe. Nuk kemi pranuar asnjë indikacion të tillë nga Qeveria Çeke, përkundrazi do t’i kemi dy zëvendësministrat e Punëve të Jashtme të Çekisë mysafirë për festën e 10-vjetorit të Pavarësisë, të cilët vijnë me ftesën time”, ka deklaruar Vuniqi.  

Po ashtu kohë më parë është raportuar edhe për tërheqjen e njohjes nga Surinami.

Ndërkohë, ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në një konferencë me ministren e Punëve të Jashtme të Surinamit ka falënderuar atë për heqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës.                

Por, zëvendësministrja Vuniqi tha për “Zërin” se nuk kanë pranuar asgjë zyrtare në lidhje me heqjen e njohjes pavarësisë nga shteti i Surinamit.

“Është përfolur në medie serbe, por ne si Ministri asnjëherë nuk kemi pranuar asgjë zyrtare nga Qeveria e Surinamit sa i përket kësaj çështjeje”, ka shtuar Vuniqi.

Sipas saj, Serbia po bën presion te shtetet që e kanë njohur dhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën.

Haxhiu: Kosova kushtëzoi vazhdimin e dialogut

Në anën tjetër deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se nuk befasohet me qasjen e Serbisë në lobimin kundër Kosovës, por tha se pala kosovare nuk do ta vazhdojë më dialogun me Serbinë pa kushtëzuar Brukselin për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Serbia ka agjenda të qarta ndaj Republikës së Kosovës. Nuk më befason qasja e tyre, por qasja jonë. Ne duhet ta ushtrojmë funksionin në interes të vendit dhe që dialogun me Serbinë ta kushtëzojmë të mos punojë më në integrimin e Serbisë, sepse gjithë dialogu ka ndodhur në interes të shtetit serb. Ne si shtet s’duhet ta vazhdojmë dialogun, por ta kushtëzojmë Brukselin në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës”, tha ajo.  

Ajo tha se Kosova ka problem me pesë vendet e Bashkimit Evropian dhe jo me shtetet që tashmë e kanë njohur atë.

Gaxherri: Me këtë Qeveri mund të kemi zmbrapsje të pakëndshme

Ndërsa deputetja Besa Gaxherri, nga LDK-ja, tha se do të ishte lajm i keq nëse Çekia bie pre e lobimeve të Serbisë. Por, faj kanë edhe institucionet që u japin hapësirë Serbisë e shteteve të tjera që të veprojnë në bazë të lobimit serb.

“Është një lajm i keq dhe dua të besoj që kjo nuk do të ndodhë. Megjithatë konsideroj që është pasojë e sjelljeve të institucioneve tona, të cilat u japin shteteve të caktuara mundësi për të vepruar në bazë të lobimit të Serbisë”, ka thënë Gaxherri.

Ajo tha se institucionet do të duhej të merreshin me pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk kanë njohur Kosovën e jo t’u lënë hapësirë shteteve të tjera të bënin hapa prapa.

“Me një Qeveri që e kemi aktualisht mund të kemi ngecje, zmbrapsje të pakëndshme dhe kjo është shumë shqetësuese dhe ne kemi ngritur zërin që pesë shtetet që nuk kanë njohur Kosovën duhet të bëjmë çmos që ta njohin dhe nuk diskutohet që shtete të caktuara mund të bëjnë edhe hapa prapa”, tha ajo.  

Ismajli: S’mund të ketë tërheqje të njohjes

Dashnim Ismajli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se nuk mund të ketë tërheqje të njohjes, porse mund të ketë prishje të marrëdhënieve diplomatike.

“E drejta ndërkombëtare nuk parasheh ç`njohjen. Shtetet mund t’i prishin marrëdhëniet diplomatike, mund t’i shpallin luftë njëri-tjetrit, megjithatë legjislacioni ndërkombëtar nuk e parasheh një gjë të tillë dhe as nuk është praktikë në politikat ndërkombëtare të tërhiqet njohja sipas tekeve, interesave apo ndryshimeve politike të një shteti”, ka sqaruar Ismaili.

Ai po ashtu ka thënë se këto iniciativa po shfrytëzohen mirë nga pala serbe si propagandë për të rritur hamendësim te shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Sipas tij, nëse kjo është e vërtetë Kosova nuk i ka punët mirë meqenëse Çekia është anëtare e BE-së dhe kjo sipas tij shkakton efekt tek vendet që s’e kanë njohur Kosovën.

Ndërsa për Surinamin Ismajli ka thënë se ky shtet nuk ka ndikim dhe rol të rëndësishëm në politikat ndërkombëtare, por Serbia po e shfrytëzon këtë qasje përmes propagandës për të përçuar sinjale negative për Kosovën. Sipas tij, kjo mund të shkaktojë ngadalësim të njohjeve të shtetit të Kosovës dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Mendoj se e gjitha kjo vjen si rezultat i një ofensive të ashpër të politikës së jashtme të Serbisë kundrejt diplomacisë së përgjumur dhe të pakualifikuar kosovare”, ka përfunduar ai.

Kurse Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, këtë informacion e ka quajtur shqetësues.

“Është brengosëse kjo gjendje që nënkupton një politikë dhe një angazhim të padenjë institucional dhe një agresivitet të pazakonshëm diplomatik dhe efektiv të Serbisë që po arrin që në disa vende të tërhiqen shtetet dhe diplomacitë”, është shprehur Baraliu.

Ai ka fajësuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila, siç tha Baraliu, ndonëse në krye ka njerëz që njihen si eksponentë të njohjeve, të cilët ndonëse nuk po arrijnë të sjellin njohje të reja po i humbin edhe ato shtete që tashmë kanë njohur Kosovën.