Në udhëkryq me Specialen

Aktuale January 29, 2018 - 08:00

Ndonëse iniciativa e 43 deputetëve të Kuvendit për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale tashmë është dërguar në Qeveri, ekzekutivi ende nuk ka dalë me një opinion final rreth kësaj çështjeje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se kjo nismë tashmë është në procedurë formale dhe se brenda 30 ditëve do t’i kthehet sërish Kuvendit.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sërish se përpjekja për t’i zhbërë Dhomat e Specializuara do të rezultojë me efekte negative në raportet mes Kosovës e BE-së.

LEXO EDHE: Tenderi sekret milionësh i Byrosë së Sigurimeve

Nga ana tjetër, përderisa deputetët që kanë nënshkruar nismën për ta zhbërë Gjykatën Speciale (nga PDK), kanë thënë se do ta mbështesin qëndrimin e partisë, ata të AAK-së kanë thënë se do të votojnë pro shfuqizimit në momentin që projektligji procedohet për votim, shkruan tutje "Zëri".

Kurse, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se Qeveria tashmë nuk mund ta bllokojë punën rreth kësaj nisme ani pse iniciativa është në dorën e saj aktualisht.

Duke folur rreth kësaj çështjeje ata kanë vlerësuar se Kosova aktualisht gjendet në një udhëkryq sa i përket tentimit për ta zhbërë Specialen, meqë ndonëse është zbehur iniciativa në fjalë ende nuk ka kaluar përfundimisht rreziku.

BE: Nisma për shfuqizim ndikon negativisht në raportet me BE-në

Bashkimi Evropian ka ritheksuar prapë se tentimet e palës kosovare për ta zhbërë Gjykatën Speciale do të sjellin efekte negative drejt raporteve mes Republikës së Kosovës dhe BE-së.

“Mesazhi i BE-së dhe i bashkësisë ndërkombëtare për nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është i qartë. Çdo përpjekje për shfuqizimin ose ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do ta minonte zotimin që ka bërë Kosova me BE-në për zbatimin e sundimit të ligjit, do t’i shkelte obligimet që ka marrë përsipër Kosova dhe kjo do të kishte një ndikim negativ në marrëdhëniet Kosovë-BE”, theksohet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë, dhënë “Zërit”.

Në këtë përgjigje më tej thuhet se tashmë u takon përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të Kosovës që ta tejkalojnë këtë iniciativë, e cila siç potencohet është e dëmshme për pozitën ndërkombëtare të Kosovës në rrugëtimin e saj integrues në BE.

Qeveria: Iniciativa për shfuqizimin e Speciales është në procedurë

Nga ana tjetër këshilltari politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale aktualisht është duke kaluar në procedura. 

“Është në procedurë formale, që nënkupton marrjen e opinioneve në tri dikasteret qeverisëse dhe për 30 ditë t’i kthehet prapë Kuvendit”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Megjithatë, Arifi nuk ka dhënë detaje se kur saktësisht do të ndodhë një gjë e tillë. “Nuk është vendosur ende, të shohim”, është shprehur ai.

Jounikë sa i përket Speciales

Pavarësisht se janë në një koalicion qeverisës, PDK-ja, AAK-ja e Nisma, nuk kanë qëndrim unik sa i përket shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Së paku kështu kanë deklaruar në medie përfaqësuesit e këtyre partive.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ndonëse ka nënshkruar nismën për zhbërjen e Speciales, ka thënë se do ta mbështesë qëndrimin e partisë çfarëdo që të jetë rreth kësaj iniciative.

“Tash nuk kemi ndonjë qëndrim tjetër, unë jam njëri prej atyre deputetëve që e kam nënshkruar shfuqizimin e Gjykatës më 22 dhjetor, por qëndrimi im do të jetë në harmonizim edhe me qëndrimin që do ta marrë PDK-ja. Vendimi ynë do të jetë në të mirë të qytetarëve, momentalisht qëndrojmë prapa nënshkrimit deri në ditën kur të kthehet ligji  prapë në Kuvend”, ka deklaruar Beqa.

Ndërkohë lideri i PDK-së, Kadri Veseli, pas presionit ndërkombëtar tashmë është tërhequr deklarativisht nga kjo nismë, duke thënë se kjo Gjykatë nuk mund të ndalet.

Mirëpo, ndryshe deklarojnë në AAK. Deputetja e kësaj partie Time Kadriaj, e cila ka nënshkruar iniciativën, ka bërë të ditur se do të votojë pro zhbërjes së Speciales po qe se nisma vjen në Kuvend. “Ne do ta votojmë, e kemi votuar kundër edhe kur ka hyrë në fuqi ky ligj. Kemi qenë kundër dhe jemi kundër”, është shprehur ajo.

Ndërkaq lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, gjatë ditës së djeshme tha se zhbërja e Speciales është më e dëmshme sesa votimi i saj më 2015-n.

Gaxherri: Nisma për zhbërjen e Speciales, lojë e rrezikshme

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e ka cilësuar të rrezikshme nismën për ta zhbërë Gjykatën Speciale, në të cilën janë përfshirë tre krerët institucionalë: presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari Kadri Veseli.

“Kjo është një lojë për të cilën tashmë gjithë opinion e di që në çfarë situate kemi qenë nga data 22 dhjetor e deri më sot në raport me institucionet ndërkombëtare. Unë nuk po mund ta kem të qartë a është vërtet një lojë e koordinuar mes atyre apo edhe përplasje tash mes tyre”, është shprehur Gaxherri për “Zërin”. 

Qeveria s’mund ta bllokojë punën, iniciativa në dorën e deputetëve

E Artan Murati, monitorues i punës së Kuvendit nga KDI-ja, ka bërë të ditur se Qeveria nuk mund ta bllokojë punën rreth iniciativës së shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Përkundrazi, siç ka shpjeguar Murati, e tërë kjo varet nga deputetët.

“Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit një nismë legjislative e cila fillon prej Kuvendit të Kosovës dorëzohet në Qeveri për opinion, Qeveria ka kohë 30 ditë për të dhënë opinionin rreth kësaj iniciative apo mund edhe të mos deklarohet fare. Domethënë, nuk e bllokon punën, pavarësisht se a jep apo jo Qeveria opinion. Edhe nëse jepet një opinion i Qeverisë për atë projektligj, Kuvendi nuk është i detyruar ta marrë për bazë. Pra, është komplet në diskrecionin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të votojnë për projektligjin sipas mendjes së tyre”, ka potencuar ai.

Murati në vazhdim ka konsideruar se nisma për zhbërjen e Gjykatës nuk e ka fuqinë si e ka pasur në fillim, për faktin që PDK-ja tashmë është tërhequr, së paku nga deklaratat publike.

Kurse Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, zhvillimet e fundit rreth Speciales i ka cilësuar si lojë “pingpongu” mes akterëve politikë. Baraliu më tej ka thënë se ligji edhe mund të zhbëhet logjikisht, porse jo edhe pasojat, meqë Kosova ka marrë përgjegjësi ndërkombëtare me formimin e Speciales, duke ndryshuar edhe Kushtetutën. Andaj, sipas tij, e tërë kjo situatë ka çuar vendin në një udhë pa krye.

“Prandaj jemi në një udhëkryq, i cili kërkon mençuri dhe veprim të qartë dhe jo kalkulime politike dhe pingpong politik, siç po përpiqet të bëjë dikush nga akterët politikë për t’ia hedhur njëri-tjetrit përgjegjësinë”, ka përfunduar ai.