Vajza e hekurt e Mamushës

Vajza e hekurt e Mamushës

Aktuale shkurt 03, 2015 - 07:57

Është vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Për moshën që ka Muala Berisha të lë përshtypjen e një vajze të zakonshme. Por ajo ka bërë diçka të jashtëzakonshme për komunitetin e saj, që bën jetë mjaft konservative, në komunën e Mamushës, në jug të Kosovës.

Komuna me rreth 6500 banorë, i ngjason një “mini Stambolli”. Banorët, kryesisht merren me bujqësi, kurse shkollimi i femrës deri vonë ka lënë për të dëshiruar, siç edhe konfirmon kryetari i kësaj komune, Arif Bytyq.

Por, derisa Bytyq kryen punë në zyrën e tij në Mamushë, është Muala me shokët e saj nga Këshilli Rinor Lokal, që gjithnjë ka të hapura dyert në zyrën e kryetarit.

Madje, Bytyq nuk e ka problem që zyrën e tij t’ua lë në dispozicion të rinjve, kur ata kanë nevojë për ndonjë takim të rëndësishëm.

Muala buzëqesh me sharmë, kur i bie të ulet në kolltukun e të parit të Komunës, ndonëse përparësinë për t’u ulur aty do t’ia japë kolegut të saj, Mirat Bytyq, që është kryetar i Këshillit Rinor Lokal.     

Shtëpi për shtëpi, për lirim të vajzave nga izolimi

Vajza ka bërë shumë punë për moshën që ka, që të ketë vlerësimin e gjithë komunitetit ku jeton. Si pjesë e Këshillit Rinor të Mamushës, ajo ka lobuar shtëpi për shtëpi, që vajzat e fshatit të shkollohen, dhe të jenë të lira që të dalin dhe të shoqërohen. Kur në shkurt të vitit të kaluar, në Mamushë me ndihmën e “World Vision” u themelua Këshilli Rinor Lokal, Muala ishte e vetmja femër anëtare e Këshillit. Një vit më vonë, Muala ka edhe shtatë shoqe që e shoqërojnë në aktivitetet e saj. Vajza ka një shikim të fortë dhe flet mirë shqipen, sado që gjuhë e parë e saj është turqishtja.

“Mirati më ftoi të jem pjesë e Këshillit. Unë e pranova me kënaqësi ftesën e tij. Vitin e kaluar kur është organizuar Këshilli Rinor, kam qenë vetëm unë femër. Tash jemi tetë femra si pjesë e Këshillit Rinor”, tregon vajza.

Thotë se kanë shkuar shtëpi për shtëpi për t’ua shpjeguar prindërve, pse është e rëndësishme që vajzat të mos mbyllen dhe të jenë pjesë e zhvillimeve të këtij komuniteti.

Ajo sot është më e gëzuar se kurrë. Në gjitha aktivitetet që ka Këshilli, ajo më nuk është e vetme. “Tash marrim edhe shoqe nga Mamusha, qoftë në trajnime, qoftë kur shkojmë diku. Kur iu themi se jemi kaq femra edhe prindërit që nuk i kanë lejuar vajzat të dalin, e kanë më të lehtë që t’i lejojnë”, thotë Muala.

Ndërkohë, Mirat Bytyq, kryetar i Këshillit Rinor, tregon se organizimi i këshillave rinore lokalë, ka bërë që të rinjtë e Mamushës të jenë më të organizuar.

“Ne përpara nuk kishim idenë si bëhet një projekt. Tani me trajnimet që kemi bërë nuk e kemi asnjë problem ta bëjmë këtë”, thotë Mirat Bytyq.

Falë mbështetjes që u është bërë të rinjve të Mamushës për avokim, këta kanë bindur institucionet komunale që të fillojnë ndryshimet.

Rast konkret që e përmend i riu Bytyq është ndryshimi që kanë bërë në shkollën e Mamushës. Nga aty, ai thotë se falë iniciativës së të rinjve më lëndën e gjeografisë nuk e jep arsimtari i gjuhës turke, por një mësimdhënës i kualifikuar.

“Gjithashtu jemi në proces të ndryshimit edhe për lëndën e anglishtes pasi e jep një arsimtar i pakualifikuar”, thotë Mirat Bytyq, kryetar i Këshillit Rinor Lokal.

I riu thotë se në sajë të trajnimeve për avokim kanë arritur që të bëjnë një projekt dhe sivjet komuna e Mamushës ka ndarë edhe një buxhet simbolik për aktivitetet e të rinjve.

Kryetari i Mamushës, Arif Bytyq, konfirmon se tashmë Komuna nga buxheti i saj ka ndarë 7000 euro për aktivitetet e të rinjve. Kjo shumë, sado simbolike, sipas kryetarit Bytyq, do të ndihmojë të rinjtë që sadopak të kenë mundësi të bëjnë organizime që do të jenë në interes të të rinjve.

“Konfiskojnë” cigare dhe shpërndajnë molla

Nuk është vetëm Mamusha, qyteza ku janë mbështetur për aktivitete këshillat rinorë lokalë. Nga një vajzë e ndrojtur, Vlora Krasniqi është tashmë një aktiviste e njohur në qytezën e Vushtrrisë. Ajo është kryetare e Këshillit Rinor Lokal në këtë qytezë.  

Vlora ka bërë një lobim të fuqishëm tek të rinjtë vushtrrias që të lënë duhanin.

Një fushatë për një ambient më të pastër që ka bërë që ajo me anëtarë të Këshillit, të dalin në qytet, t’u shpërndajnë të rinjve molla dhe t’ua marrin cigaret.

“Kishte të atillë që na i merrnin mollët dhe i jepnin cigaret. Por kishte edhe të rinj, që ndonëse na i jepnin cigaret nuk na i merrnin mollët, pasi iu kishin rënë dhëmbët edhe si pasojë e duhanit dhe nuk kishin si t’i konsumojnë mollët”, thotë Vlora tek tregon për njërin nga aktivitetet e Këshillit Rinor të Vushtrrisë.

Me cigaret që u kanë “konfiskuar” të rinjve të Vushtrrisë, tregon se kanë bërë parulla për lënien e duhanit. Këto, tash po përdoren për promovim të jetës së shëndoshë, pa duhan.

Persiana Kamberaj është aktiviste e “World Vision”, që në partneritet me disa organizata tjera kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve brenda këshillave rinore, duke i trajnuar sidomos në fushën e avokimit, menaxhimin e projekteve, zhvillimi organizativ dhe përdorimin e mediave sociale në avokim.

“Projekti ka shërbyer për të ndërtuar marrëdhëniet mes këshillit dhe organeve komunale, ka ndihmuar këshillat që të regjistrohen si OJQ dhe të njihen nga Komuna, ka mbështetur iniciativa apo mini-projekte”, thotë Kamberaj për “Zërin”.

Sipas saj, në kuadër të projektit është hartuar edhe manuali i brendshëm i funksionimit të këshillave, si dhe është krijuar një traditë e takimeve të rregullta mujore si këshill edhe me pushtetin lokal.

Organizata ka mbështetur në Kosovë përveç Mamushës dhe Vushtrrisë edhe tetë këshilla tjera rinore lokale.

Projektet janë financuar nga Bashkimi Evropian dhe ADA, ka zgjatur dy vjet dhe ka përfunduar në fund të vitit që shkoi.

Por, Kamberaj thotë se po vazhdojnë të kenë kontakte me këto këshilla dhe t’i mbështesin në mënyra të tjera kur ata kanë nevojë.

Kamberaj thotë se janë të kënaqur me rezultatet. “Nga një gjendje kur disa prej këshillave kanë qenë jofunksional, tani kemi këshilla që punojnë në interes të të rinjve dhe janë në gjendje të hartojnë politika rinore”, thotë ajo, tek potencon edhe aftësimin për kërkim të përgjegjësisë në komunitetin ku jetojnë të rinjtë nga ana e të rinjve.

“Ndryshimet në jetën e të rinjve janë të prekshme, pasi që kemi të rinj më aktivë dhe më të zëshëm, të rinj që dinë të ngrenë zërin dhe të rinj që duan dhe janë në gjendje të kontribuojnë për komunitetin ku ata jetojnë”, ka thënë Kamberaj.