‘Hartat e falsifikuara’ të Murat Mehës, Prokuroria tregon a kanë nisur hetimet

Aktuale January 15, 2018 - 18:41

Prokuroria e Shtetit nuk ka filluar asnjë hetim deri më sot, lidhur me pretendimet për falsifikim të hartave gjatë procesit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi nga ish-komisioni i udhëhqur atë kohë nga Murat Meha.

Kjo pasi që askush deri sot nuk ka deponuar ndonjë informatë apo pretendim lidhur me këtë çështje, që do të mund të nxiste Prokurorinë për të filluar hetimet.

“Prokurori i Shtetit deri më tani nuk ka pranuar asnjë informatë nga institucionet përkatëse lidhur me pretendimet e parashtruara se ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që mund të ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Prokurorisë së Shtetit dhënë Periskopit.

Megjithatë udhëhqesja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, në diskutimin e mbajtur sot rreth marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, çuditërisht ka thënë se hetimet dhe vendimi i Prokurorisë për pretendimet lidhur me falsifikimin e hartave, do të jenë vendimtare për votën e deputëtëve, pro ose kundër marrëveshjes së Demarkacionit.

“Sa i përket çështjes së hetimeve dhe çështjes së Prokurorisë, kjo besoj që është një çështje esenciale për shkak se mund të determinoj votën pro ose kundër për secilin deputet. Për shkak se nëse përfundimisht Prokuroria sqaron që nuk ka pas falsifikim, dihet cili raport bjen posht, dhe mbetet vetëm një raport kredibil. Në raste të tilla të interesit nacional, Prokuroria jep përgjigje të shpejta. Dhe besoj se për këso çështje Prokuroria ka njësi speciale që merren me vërtetimin e pretendimeve për falsifikim”, ka deklaruar Osmani në fjalën e saj gjatë mbledhjes se sotme të Komisionit.

Madje, ajo thotë se vazhdon të pres një përgjigje nga Porkuroria për hetime që nuk kanë filluar asnjëherë.

“Unë kam shumë shpresa se do të ketë përgjigje, para se kjo marrëveshje të vendoset në Kuvend për votim. Dhe pajtohem me Doruntinën se të rekomandohet për votim kundër apo për marrëveshjen është ndërhyrje në një ceshtje që tashmë po hetohet nga organet e drejtësisë dhe që do të jetë esenciale për votën e deputetëve”, ka thënë Vjosa Osmani në fjalën e saj gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme.

E përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit se askush nuk ka deponuar deri tani asgjë lidhur me pretendimet për falsifikim të hartave, e ka pohuar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, e cila po ashtu është pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme.

“Vjosa ndoshta duke u bazuar në ato që është shkruar në media se është tu u hulumtu kjo çeshtje për tejkalim të kompetencave apo për falsifikim të hartave. Ne si Komision nuk kemi deponuar asgjë në Prokurori që lidhet me çështjen, absolut”, ka thënë deputetja Kadriaj për Periskopin.

Megjithatë, Prokuroria e Shtetit thotë se në rast të pranimit të ndonjë kallzimi penal lidhur me këtë çësthje do të vepronte menjëherë.

“Në qoftë se komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës, apo institucionet përkatëse sjellin informata të nevojshme apo ndonjë kallëzim penal, Prokurori i Shtetit do të veproj menjëherë lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e zyres për media të Prokurorisë së Shtetit dhënë Periskopit.

E siç duket pretendime të tilla për falsifikim të hartave gjatë punës shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi  nga komisioni paraprak, do të mbesin të pazbuluara dhe të pavërtetuara, pasi që shumë shpejt pritet që Kryesia e Kuvendit të marr vendim që marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi ta procedojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku edhe  pritet të votohet nga deputetët.

Lidhur me fillimin e hetimeve rreth falsifikimit të hartave kishte raportuar Televizioni Publik me datë 30 dhjetor të vitit të kaluar.

“PO HETOHET PËR FALSIFIKIM TË HARTAVE KOMISIONI I DEMARKACIONIT”, ishte titutlli i lajmit  të publikuar nga Radio Televizioni i Kosovës.

Deri tani partia e kryeministrit Haradinaj  është shprehur qartë kundër marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, njejtë dhe NISMA. Ndërsa mbetet i paqartë qëndrimi i PDK-së lidhur me këtë marrëveshje, dhe pritet të shihet kur marrëveshja të dërgohet në Kuvend  se si do të votojnë.

LDK-ja deri sa ishte në pozitë gjatë legjislaturës së kaluar ka qenë pro marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa mbetet të shihet nëse një qëndrim të tillë do ta mbaj edhe në vazhdimësi.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë legjislaturës së kaluar ka qenë kategorike kundër Demarkacionit, ndërsa një qëndrim të till vazhdon ta mbajë edhe aktualisht.

Periskopi ka provuar të marrë edhe një prononcim nga Vjosa Osmani, por kontakti me të ka qenë i pamundur.