Thaçi: Reçaku zgjoi ndërgjegjen e botës

Aktuale January 15, 2018 - 14:44

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, dhe më pas mori pjesë në Akademinë Përkujtimore për Masakrën e Reçakut.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi, tha se para 19 viteve Reçaku u bë emër i njohur në tërë botën dhe hyri në historinë moderne të Kosovës si fakt dhe simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot.

I pari i vendit tha se më 15 janar 1999 formacione policore dhe ushtarake serbe kryen vrasje  të rënda mbi popullsinë e paarmatosur.

“Në Reçak u vërtetua edhe më mirë politika serbe e terrorit sistematik, e gjenocidit shtetëror dhe krimit kundër njerëzimit, që mori përmasa të mëdha në vitet 1998 dhe 1999”, duket shtuar më tej se “Mëngjesi i 15 janarit 1999, ishte i rëndë jo vetëm për Reçakun, por për tërë Kosovën”, theksoi presidenti Thaçi.

Presidenti tha se Reçaku me sakrificën e tij e zgjoi ndërgjegjen e botës demokratike.

“Emërtimi i krimit me emrin e vërtetë nga miku i Kosovës, ambasadori Wiliam Wollker ishte një akt sensibilizues i çështjes së Kosovës”, duke shtuar se sakrifica e Reçakut e përshpejtoi vënien në lëvizje të diplomacisë ndërkombëtare.

Kreu i shtetit tha se për herë të parë në historinë e Kosovës, u organizua një konferencë ndërkombëtare në Rambuje, ku pala shqiptare ishte e barabartë në tryezë.

Kështu sipas tij, lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ndërkombëtarizua maksimalisht.

“Nga kjo Konferencë doli dokumenti politik i cili i hapi rrugë intervenimit të NATO-s, për të mbrojtur popullatën e Kosovës”, duke theksuar se deri te këto zhvillime pozitive ne favor të Kosovës nuk do të arrihej pa mundin dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve tanë, pa sakrificën e Reçakut.

I pari i vendit tha se nuk do t’i harrojmë as krimet që regjimi serb i ka bërë në Kosovë, për të cilat një ditë do të japë përgjegjësi.

Presidenti theksoi se Kosova u çlirua dhe hapi kapitujt e ri të jetës së lirë. “Së shpejti do të kremtojmë 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Brenda kësaj dekade janë shënuar të arritura të jashtëzakonshme në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të pavarësisë”, pohoi ai.

Ai tha se Kosova është tregim i suksesshëm i bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes ndërkombëtare.

“Jemi bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, shtet demokratik, ku çdo qytetar është i barabartë, pa dallim etnie, kulture apo religjioni”, duke theksuar se ndërtimi i përditshëm i një Kosove të re, të përparuar, të lirë dhe demokratike, që ishte edhe amaneti të rënëve për liri, çdo herë e më shumë po bëhet realitet.

Presidenti Thaçi theksoi se miqësinë e ndërtuar me miqtë dhe aleatët tanë, në kohë të vështira dhe në ditët e mira,  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e BE-së, e ruajmë dhe e kultivojmë si vlerë të përhershme.

“Kosova dhe qytetarët tanë kanë një orientim të qartë, integrimet euroatlantike. Në këtë rrugë askush nuk mund të na ndalë”, pohoi ai, duke shtuar më tej se vonesa mund të ketë, por ne nuk kemi rrugë tjetër.

“Do të jemi në lartësi të përgjegjësive institucionale që sa më parë ta heqim izolimin për qytetarët tanë. Ne vetë mund t’i ndryshojmë gjërat për të mire”, pohoi ai.

Në fund, presidenti Thaçi tha si shoqëri, të punojmë bashkë që në këtë vit jubile, Kosova ta forcojë edhe më shumë identitetin dhe subjektivitetin e vet shtetëror.