Prindërit e ‘shehidëve’ shqiptarë të ISIS, në pikëllim dhe të braktisur

Aktuale January 15, 2018 - 09:35

Djemtë e tyre shkuan të luftonin për ISIS-in në Siri apo Irak, disa prej tyre u bënë edhe me fëmijë në zonën e konfliktit – më pas u vranë, duke lënë në vuajtje familjarët e tyre të varfër në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Selim Demolli i mban duart të shtrënguara fort për tavoline dhe derisa flet buzët i dridhen nga zemërimi.

Një ditë më herët ai ka folur me një imam për të birin e vrarë tri vite më parë në Siri.

E ka pyetur për një shpjegim fetar se sa rëndon mos falja e prindit për të vdekurin. Përgjigja e imamit ishte e vështirë për ta dëgjuar.

“Ai nuk është shehid (martir). Kushdo që nuk e ka marrë hallallin (bekimin) e babës, nuk mund të ketë qetësi. Edhe hoxha ma tha këtë. Këtyre u thonë të nemun”, tregon Demolli.

Djali i tij, Burimi, 31 vjeç, u vra në tetor 2014 në një ofensivë të forcave amerikane në qytetin sirian, Alepo.

Njësoj si Selim Demolli, qindra familjarë të xhihadistëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia jetojnë nën hijen e asaj që kanë bërë familjarët e tyre, të stigmatizuar, të urryer e përbuzur nga të tjerët dhe pa ndonjë mbështetje zyrtare.

Në vitet e fundit më shumë se 315 persona nga Kosova, 120 nga Shqipëria dhe mbi 100 nga Maqedonia i janë bashkuar të ashtuquajturit, Shteti Islamik në Siri dhe Irak (ISIS).

Të paktën 65 prej tyre janë vrarë në luftime, duke i lënë familjet e tyre në një gjendje edhe më të vështirë.

Demolli, një 67 vjeçar nga Prishtina, thotë se u përpoq ta ndalonte të birin të mos shkonte në Siri.

“Kam bashkëpunuar me policinë për ta burgosë që ta pengoj për të shkuar. Por ai arriti t’i ikë një kërkimi të policisë në shtëpi derisa unë nuk isha aty dhe iku. Më vonë iku edhe gruaja e tij me tre fëmijët”, shpjegoi ai.

Dy muaj më pas, Burimi Demolli ishte vrarë. Tani babai i tij po kërkon të gjallët, nipin dhe dy mbesat e tij, që kanë mbetur në Siri.

E reja e tij, Edona Demolli, 28 vjeçe, u detyrua të martohej me një pjesëtar tjetër të ISIS-it, nacionalitetin e të cilit Selimi nuk e di. Një muaj më parë ajo ka lindur një djalë. Tani Selimi nuk mund të flasë më as me fëmijët e të birit...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.Com)