Historia e përpjekjeve për ta gjykuar në Kosovë izraelitin Moshe Harel-in

Aktuale January 14, 2018 - 09:15

Nuk është hera e parë që Moshe Harel arrestohet në lidhje me dyshimet për transplatim veshkash, por ai deri tash nuk është përballur me gjyqësinë kosovare Moshe Harel njëri prej të dyshuarve kryesorë në rastin e klinikës “Medicus” është arrestuar ditë më parë nga autoritetet e shtetit të Qipros në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar. Harel është në kërkim që nga viti 2010, në aktakuzën e ngritur në lidhje me transplantimet ilegale të veshkave të cilat pretendohet se janë bërë në Klinikën “Medicus”. Për izraelitin Harel pretendohet të ketë ndërmjetësuar dhe organizuar transplantimin e veshkave,  shkruan kallxo.com

Kjo nuk është hera e parë që Harel është arrestuar, pasi që edhe në vitin 2012 prokurori i atëhershëm Jonathan Ratel kishte konfirmuar arrestimin e tij pas kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare që kishte bërë prokuroria kosovare drejtuar autoriteteve izraelite. Madje Ratel kishte thënë se kishte filluar kontaktet me autoritetet e shtetit të izraelit për ekstradimin e këtij të akuzuari në Kosovë.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë të veçantë kundër Moshe Harel si dhe të akuzuarit tjetër Youssuf Sonmez i cili ende ndodhet në arrati. Pasi që të njëjtit kanë qenë në arrati është dashur që të veçohet lënda ndaj tyre në mënyrë që të procedohet tutje me të akuzuarit e tjerë. Sipas prokurorit të mëhershëm të çështjes Jonathan Ratel, Hareli ka qenë ndërmjetësi kryesor në sigurimin, shitblerjen dhe transplantimin e organeve njerëzore, Sipas prokurorit, ai aranzhonte takimet me pacientët dhe viktimat dhuruese të organeve.

“Stambolli ishte vendtakimi i pacientëve viktima dhe pacientëve pranues të organeve. Pacientët shpeshherë fluturonin së bashku dhe menjëherë dërgoheshin në Klinikën ‘Medicus’ për t’iu nënshtruar operacionit, bashkë me Moshe Harel-in” ,kishte thënë prokurori Jonathan Ratel në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjatë kësaj interviste për Gazetën Jeta në Kosovë prokurori Ratel kishte folur edhe në lidhje me të akuzuarin tjetër kirurgun Youssuf Sonmez, për të cilin kishte thënë se ishte personi kryesor në të gjitha transplantimet e organeve të cilat kishin ndodhur në atë klinikë.

“Ai është trafikues famëkeq organesh me prejardhje nga Turqia, të cilin ne e kërkojmë për kohë të gjatë. Ai është në listë të kuqe të Interpolit dhe është i akuzuar në Turqi për shkeljet në Klinikën ‘Medicus’ dhe për mosparaqitjen e tij në gjykatë”, kishte thënë prokurori Ratel. Tutje prokurori në atë kohë kishte thënë se mendohet se dr.Youssuf Sonmez aktualisht mund të ndodhej në Afrikën e Jugut. E në lidhje me arrestimin, e më pas ekstradimin e këtyre dy të akuzuarve tek autoritetet e shtetit të Kosovës, prokurori Ratel kishte deklaruar se as Moshe Harel e as Youssuf Sonmezi nuk kanë mundur të ekstradohen në Kosovë për shkak se Izraeli dhe Turqia e ndalojnë këtë.