Vendosët laura në hyrje të Brezovicës

Aktuale January 03, 2018 - 16:37

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, është duke përgatitur strategji dhe plane konkrete për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të parqeve kombëtare që janë në për gjegjësi të MMPH-se, duke respektuar ligjet në fuqi.

Në kuadër të këtij plani sot në hyrje të qendrës turistike në Brezovicë është rikthyer laura e cila tash e tutje do të menaxhohet nga MMPH-ja.

Ministrja Reshitaj këtë vendim e ka marrë në dhjetor të vitit që shkoi.

“Vendosja e saj do t’i mënjanojë keqpërdorimet e mundshëm nga persona të paautorizuar të cilët në të kaluarën kishin obliguar qytetarët të paguajnë për hyrje dhe qëndrim në qendrën turistike”, thuhet në komunikatën e MMPH-së

Deri në vitin 2015 të gjitha pjesët e parkut “Sharri” janë menaxhuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përveç pjesës së Shtërpcës e cila është menaxhuar për shumë vite jashtëligjshëm nga një kompani e ashtuquajtur “Serbia suma” të cilës u janë marrë pajisjet dhe objektet që ka shfrytëzuar.

Kjo kompani jashtëligjshëm kishte vendosur laurën në hyrje të parkut në Brezovicë dhe mjetet e arkëtuara i kishte marrë për vete.

Brezovica si qendër skijimi i takon zonës se dytë dhe të tretë të parkut kombëtare “Sharri” të shpallura më 1984 e të zgjeruar në dhjetore të vitit 2012 me ligjin e ri të Parkut kombëtar “Sharri”.

Sipas këtij ligji parku menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konkretisht Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.