A do t’i ndërpresin deputetët pushimet për të shfuqizuar Gjykatën Speciale?

Aktuale January 03, 2018 - 16:22

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale mund të mos e pres rikthimin e Kuvendit në punë më 15 janar. Kjo iniciativë mund të dalë në votim edhe më herët dhe rregullorja e lejon këtë. Ka mbetur vetëm përkrahësit e zhbërjes së Speciales të kenë vullnet ose edhe një datë që do t’i përshtatej kalkulimeve të tre ideatorëve të saj; Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit.

Kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale që nisi para festave të fundvitit dhe nuk arriti të dalë në votim mbeti e pezulluar sepse Kuvendi shkoi në pushim.

Por, ata që po duan që me çdo kusht të shfuqizohet kjo gjykatë, mund edhe të mos e presin përfundimin e pushimit, datën 15 janar.

Edhe pse deri më tani, zyrtarisht Kuvendit s’i ka shkuar asnjë kërkesë që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme gjatë ditëve të pushimit, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi i ka thënë Gazetës Express, se nëse kërkohet kjo seancë, sipas rregullores, lejohet të mbahet kurdo.

 “Informacionet për këtë çështje neve na jepen prej tre personave dhe na obligojnë të kthehemi në Kuvend, nëse thirrja e seancës bëhet nga Presidenti, Kryeministri dhe nënshkrime të 40 deputetëve”, ka thënë sekretari i Kuvendit.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Nait Hasani, ka vullnet që të përkrah zhbërjen e Speciales, kurdo që Kuvendi ta thërrasë seancën në të cilën do të shfuqizohej ajo.

Hasani për Gazetën Express ka thënë se ai bashkë me kolegët e tij, nënshkrues të mbajtjes një seance të jashtëzakonshme për të shfuqizuar Gjykatën Speciale janë në pritje për të jetësuar kërkesën e tyre.

“Unë me kolegë të mijë deputetë kemi kërku seancë të jashtëzakonshme për Gjykatën Speciale dhe Dhomat e Specializuara që të ndryshojmë këtë ligj dhe po presim nga kryesia e Kuvendit të Kosovës të na thërret në seancë  për të debatuar dhe ndryshuar këtë ligj që është diskriminues dhe etnik”, është shprehur deputeti Hasani.

Është thënë disa herë se kërkesa me ngulm për shfuqizimin e Speciales përkon me afrimin e arrestimeve të para, nga e cila mund të prekën edhe ideatorët e gjithë kësaj, pra krerët shtetërorë.

Mirëpo, për deputetin Hasani vrulli për të hequr Specialen nga qafa e Kosovës ka të bëjë vetëm me një arsye -“diskriminimin historik që u bëhet shqiptarëve me anë të saj”.

“Unë besoj se Kuvendi duhet të ndryshojë këtë  për arsye të thjeshtë  se gjykatat janë universale dhe jo etnike. Kërkesa që të dënohen vetëm ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës është një padrejtësi historike, ndërsa amniston krimet dhe gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, ku ka vra, ka torturuar, djegë e plaçkit qindra e mijëra njerëz. Ka varros  e vra  ka  bere trafikim organesh ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai.

Një seancë e tillë shihet si kanosje e vendit nga ndërkombëtarët dhe këtë e kanë thënë disa herë.

Pak para Vitit të Ri kur përflitej se seanca e jashtëzakonshme për të shfuqizuar Specialen mund të thirrej ditëve në vijim, përveç ambasadorëve, reagoi ashpër edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Ne u bëjmë thirrje liderëve politikë në Republikën e Kosovës dhe Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ta ruajnë zotimin për punën e Dhomave të Specializuara dhe ta lënë të pandryshuar autoritetin dhe juridiksionin e gjykatës".

“Ne duartrokitëm guximin moral te liderëve politikë të Kosovës kur e miratuan ligjin dhe e amendamentuan atë në Kushtetutë më 2015, kur edhe u themelua gjykata. Tani ne fuqishëm u bëjmë thirrje liderëve aktualë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës se Kosovës që të mos e prishin këtë arritje duke shfuqizuar gjykatën, tani apo në të ardhmen", thuhej qartazi në reagimin e Departamentit të shtetit”, u tha në reagimin e DASH’it.

Të premten Gazeta Express ka raportuar se aleat i idesë së Thaçit, Haradinajt e Veselit pritet të jetë edhe deputeti i VV’së Albin Kurti, të cilit javën e kaluar iu hoq masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore. Madje, vetë lirimi i Kurtit nga paraburgimi sipas burimeve të Express kishte ndodhur për t’u koordinuar pikërisht për këtë qëllim duke e ditur se Kurti ka shfaqur qëndrime publike kundër Gjykatës Speciale dhe se shumë lehtë me deputetët e tij do të votonte pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale. /Express/