Krasniqi shpjegon nëse deputetët e dënuar të VV-së rrezikojnë ta humbin mandatin

Aktuale January 03, 2018 - 16:16


Deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli, nuk rrezikojnë të humbin mandatin e deputetit, pas dënimit me kusht për hedhje të gazit-lotsjellës në Kuvend, të cilën ua ka shqiptuar sot Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky është interpretimi që jep Albert Krasniqi nga instituti Demokratik i Kosovës, institut i cili monitoron punën e Kuvendit.

Deputetët e VV-së janë dënuar më afër 6 vite burg  me kusht gjithsej, por Krasniqi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se duhet me qenë dënim i formës se prerë me burg efektiv për shumë se një vit për të humbur mandatin e deputetit.

“Sipas interpretimit tim, duhet me qenë vendim i formës se prere me burgim efektiv për më shumë se një vit për te humbur mandatin i deputetit. Dënimi me kusht është dënim alternativ prandaj mandati nuk humbet”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Kushtetuta e Kosovës por edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës përcaktojnë se deputetët që dënohen me 1 e më shumë vjet burg humbin mandatin e deputetit.

Pika 6 e paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se një deputet e humb mandatin nëse  “dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më  shumë vjet burgim”.

Përcaktim i njëjtë është edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.

Pika d) e paragrafit 1 të nenit 25 të Rregullores së Punës të Kuvendit të Kosovës përcakton se deputeti humb mandatin nëse “dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet”.

As në Kushtetutën e Republikës së Kosovës e as në Rregulloren e Punës së Kuvendit nuk ka ndonjë përcaktim apo përjashtim që bën dallimin në mes të dënimit me burg efektiv dhe atij me kusht.

Kurti u dënua me 1 vjet e 6 muaj burg, Haxhiu me 1 vjet e 3 muaj, Kadaj-Bujupi me 1 vjet e 6 muaj si dhe Faton Topalli me 1 vjet e 2 muaj burg.

Vetëvendosje e ka cilësuar të padrejtë këtë vendim, duke paralajmëruar ankesat në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/