Ministri Tahiri: Për dënime kundërvajtje qytetarët nuk do të shkojnë në burg

Aktuale January 03, 2018 - 15:47

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti, pra që nga një janari, ka filluar së zbatuari në tërësi Ligji për Kundërvajtje.

Sipas ministrit Tahiri, nxjerrja e këtij ligji ishte jo vetëm nevojë por edhe domosdoshmëri, pasi tashmë është hequr dënimi me burgim për kundërvajtje, duke iu dhënë mundësi organeve kompetente që të shqiptojnë gjoba dhe sanksione tjera për zbatim të ligjit.

“Përmes këtij ligji të cilin e ka hartuar Ministria që unë drejtoj, kemi vendosur parime dhe standarde cilësore ligjore të cilat janë parakushte elementare për reformimin e fushës së kundërvajtjes, si dhe për zbatimin efikas të procedurave të shqyrtimit dhe zgjidhjes së veprave të tilla.

Gjithashtu, do të arrihet një reformë substanciale në fushën e kundërvajtjes, ku parashihet heqja e dënimit me burgim për kundërvajtje, mundësia që për një numër të caktuar të kundërvajtjeve të shqiptohen gjoba dhe sanksione tjera nga ana e organeve kompetente për zbatim të ligjit, pa ngarkuar gjykatat me këtë përgjegjësi, përcaktimin e kushteve të konfiskimit të masës pasurore të fituar nga kundërvajtja, kushtet për parashkrimin e veprave kundërvajtëse, përcaktimin e minimumit dhe maksimumit të sanksioneve për kundërvajtje dhe ofrimin e dyshkallëshmërisë në këtë procedurë, si dhe garanton të drejtën për inicimin e konfliktit administrativ” ka shkruar Tahiri.

Ministri Tahiri ka vlerësuar gatishmërinë e institucioneve për të zbatuar këtë ligj, që ndër të tjera, do të ul edhe numrin e madh të lëndëve të kundërvatjtes nëpër gjykata.

“Një gjë e tillë ju mundëson gjykatave shkarkimin nga numri i madh i lëndëve të kundërvajtjes. Prandaj, e vlerësoj gatishmërinë e institucioneve për zbatimin e këtij ligji dhe ftoj të gjitha subjektet në këtë procedurë që të realizojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në të”, ka përfunduar Tahiri.