Visar Ymeri jep dorëheqje, zgjedhjet në muajin e ardhshëm

Aktuale January 03, 2018 - 09:08

Lëvizja “Vetëvendosje” pritet që në muajin shkurt ta zgjedhë kryetarin e ri të subjektit. Kështu kanë bërë të ditur përfaqësuesit e kësaj partie, të cilët kanë thënë se brenda muajit të dytë të vitit 2018 do të finalizohet ky proces. Mirëpo, ani pse zgjedhjet e brendshme të LVV-së janë shpallur qysh më 17 dhjetor, deri tash është zyrtarizuar vetëm kandidatura e ish-liderit të kësaj partie, Albin Kurti, shkruan Zëri.info

Ndërkohë, pavarësisht se në fillim të muajit dhjetor pati përplasje mes këtij subjekti dhe një lloj ndarje të brendshme mes grupit të Kurtit dhe ish-sekretarit Dardan Molliqaj, nga grupi i dytë ende nuk ka dalë ndonjë kandidaturë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se po që se Kurti mbetet kandidati i vetëm për kryetar të LVV-së, atëherë nuk mund të përjashtohet ndarja e partisë. Kjo meqë, siç shprehen ata, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar vetë grupi anti Kurtit. Gjatë ditës së djeshme, pas pakënaqësive dhe ndodhive të fundit brenda subjektit, kryetari i deritanishëm Visar Ymeri dha dorëheqje nga të gjitha pozitat udhëheqëse.

Sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka thënë se nuk ka dëgjuar nëse ka kandiduar dikush tjetër për pozitën e kryetarit brenda lëvizjes “Vetëvendosje” pos Albin Kurtit, porse kjo sipas tij nuk do të thotë që s’ka ndodhur e kundërta. “E di vetëm një gjë, që deri më 10 janar është afati që të paraqiten ata që duan të kandidojnë. Unë nuk kam dëgjuar që është kandiduar ndokush, por kjo s’do të thotë që nuk ka kandiduar ndokush”, ka deklaruar ai. Ndërkohë ka bërë të ditur se zgjedhjet brenda këtij subjekti do të mbahen tek në muajin shkurt.

“E di që janë disa procedura të verifikimit, ka fushatë nëse janë dy kandidatë. Po mendoj që krejt procesi finalizohet në muajin shkurt. Natyrisht që i bie në muajin shkurt”, ka deklaruar ai, duke sugjeruar që të bisedohet me dikë nga Komisioni i Brendshëm Zgjedhor për më shumë detaje.

I kontaktuar, Adnan Rrustemi (nga ky komision) ka thënë se deri më tash vetëm Albin Kurti ka qenë ai që ka kandiduar për pozitën e të parit të LVV-së.

“Deri më tani vetëm deputeti Albin Kurti ka paraqitur kandidaturën për kryetar të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, duke dorëzuar gjithashtu përmes deputeteve Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli nënshkrimet e nevojshme mbështetëse nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për zyrtarizimin e kandidaturës. Zgjedhjet e brendshme për kryetar do të zhvillohen në fillim të vitit 2018 sipas parimit një anëtar, një votë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër kryetari i deritanishëm i LVV-së, Visar Ymeri, ka dhënë dorëheqje gjatë ditës së djeshme nga të gjitha pozitat drejtuese në parti.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të dorëhiqem parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese të lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Më duhet ta them se ky është njëri prej vendimeve më të vështira që i kam marrë në jetë dhe njëra prej ditëve më të vështira të jetës sime”, është shprehur Ymeri gjatë konferencës së djeshme. Një vendim i tillë, sipas Ymerit, ka ardhur pas ndodhive të fundit brenda këtij subjekti. “Jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime dhe pasi nuk ia dola që t’i zgjidhja këto zhvillime. Shpresoj që kjo dorëheqje do të kuptohet si alarm për gjendjen që kemi ardhur dhe nga ata njerëz që kanë bërë linçime”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka vlerësuar se në zgjedhjet e brendshme të LVV-së mund të mos ketë fare kundërkandidat ndaj Albin Kurtit.

“Deri tash nuk është se ka pasur kundërkandidatë në përgjithësi sa i përket lidershipit të partisë. Tash te ‘Vetëvendosje’ mund të ndodhë që të mos ketë kundërkandidatë për vetë faktin që është parë se çfarë ndikimi ka Albin Kurti në ‘Vetëvendosje’ dhe kush mund të jetë ai personazh brenda LVV-së që mund të dalë si kundërkandidat i Kurtit. Kështu që deri tash nuk është  parë ndonjë figurë tjetër e ‘Vetëvendosjes’ që mund të pretendojë për një pozicion të tillë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq analisti politik Fatmir Haxholli ka thënë se kandidimi i Kurtit është diçka që vjen natyrshëm duke ditur përkrahjen që lideri i LVV-së gëzon nga anëtarët, simpatizantët dhe mbështetësit aktivë të këtij subjekti. Megjithatë, sipas tij, do të ishte veprim pozitiv sikur brenda këtij subjekti të zhvillohej një garë e barabartë zgjedhore.