Hoti për dorëheqjen e Ymerit: Të lumtë Visar

Aktuale January 02, 2018 - 17:04

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti e ka mirëpritur dorëheqjen e Visar Ymerit nga pozita e kryetarit.

Hoti, ka theksuar se angazhimi politik i Ymerit ishte shtysë për secilin prej nesh; e në veçanti për kohën sa ishte drejtues i organizatës.

“Puna e madhe dhe angazhimi i tij i palodhshëm ndër vite, konsistenca e përhershme në qëndrime e veprime, janë përshkrimi më i mirë për Visarin, sot e kurdoherë. E njoha si të mençur e punëtor, të dashur e modest, dhe i tillë mbeti; si aktivist, deputet e kryetar. Ndaj sot, dua vetëm t’i shpreh falënderim të sinqertë e plot mirënjohje si bashkaktivist e si mik, për angazhimin politik që ishte shtysë për secilin prej nesh; e në veçanti për kohën sa ishte drejtues i organizatës, ku përkundër vështirësive, me mençuri e maturi veproi në çdo moment. Të lumtë Visar”, ka thënë Hoti.

Ymeri, kryetari i deritashëm i Lëvizjes Vetëvendosje, vendimin për dorëheqje e ka konsideruar si një prej vendimeve më të vështira të tij.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të dorëhiqem parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje. Më duhet ta them se ky është një prej vendimeve më të vështira që i kam marrë në jetë dhe një prej ditëve më të vështira të jetës sime”, ka thënë Ymeri në konferencën për media.

Tutje Ymeri është shprehur se ka dhënë dorëheqje pas zhvillimeve të fundit në partinë që ai i takon.

“Jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime dhe pasi nuk ia dola që t’i zgjidhja këto zhvillime. Shpresoj që kjo dorëheqje do të kuptohet si alarm për gjendjen që kemi ardhur dhe nga ata njerëz që kanë bërë linçime”, tha më tej ai.