Letra e dorëheqjes e Visar Ymerit

Aktuale January 02, 2018 - 16:09

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Visar Ymeri ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje, nga pozita e kryetarit të partisë, anëtar i Kryesisë si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i VV-së.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e Ymerit për dorëheqjen:

“Të dashura aktiviste e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Që nga dita e sotme kam vendosur që të dorëhiqem parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, nga pozita e Kryetarit të Lëvizjes, nga ajo e anëtarit të Kryesisë, si dhe nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes.

Më duhet ta them menjëherë që ky është një prej vendimeve më të vështira që kam marrë ndonjëherë në jetë.

Ka një kohë të gjatë, më shumë se një vit, që jemi duke u përballë me një problem me përmasa në rritje të cilin as nuk e dëshiroj e as nuk e përkrah. Për 11 vjet rresht jemi munduar e kemi kontribuar bashkërisht që ta ndërtojmë një organizatë politike që është plotësisht e ndryshme nga të gjitha subjektet tjera, si koncept e program politik, e rrjedhimisht edhe si mënyrë e të funksionuarit e të organizuarit.

Në thelb të këtij organizimi politik i kemi pasur tri shtylla: Besnikëria ndaj konceptit politik, që e ka forcuar organizatën tonë dhe ia ka rritur asaj kohezionin; Besimi i ndërsjellë mes aktivistëve, i bazuar ky në vlerën fondamentale të barazisë mes nesh, edhe kur kemi qenë pashmangshmërisht në funksione të ndryshme brenda organizatës; Vetëmohimi, apo heqja dorë nga fokusi te uni në funksion të së mirës kolektive, në këtë rast brenda organizatës sonë. Duke dhënë çdo gjë në mundësinë tonë, secili prej nesh, për pasurimin e përparimin e konceptit tonë politik, e duke hequr dorë, secili prej nesh, prej vetëprezervimit e vetërealizimit, kemi arritur këtu ku jemi, dhe kemi arritur të shihemi ndryshe prej të tjerëve: si të pakorruptueshëm, të sinqertë, të besueshëm.

Fatkeqësisht ky vit i fundit ka filluar t’i rrënojë themelet e këtyre 3 shtyllave të rëndësishme të organizatës sonë.

Jemi përballur me një fushatë sistematike të shpifjeve, insinuatave, linçimeve e etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që e kanë shpërndarë një propagandë të tillë vazhdimisht janë thirrur në emrin e Albinit. Disa  herë jemi marrë vesh që këto gjëra të ndalohen, porse kjo nuk ka ndodhur kurrë. Këtë metodë nuk e pëlqej, nuk e mbështesë, sepse kjo e dëmton shumë organizatën tonë: metodën e eliminimit politik. Kjo metodë është e dëmshme sepse është informale. Është e padrejtë sepse bazohet në shpifje e insinuata. Është e panevojshme sepse Lëvizja i ka organet e veta edhe disiplinore edhe statutore të cilat kanë potencialin dhe vullnetin për ta mbrojtur secilin prej aktivistëve nga cenimi i integritetit, dhe për ta mbrojtur organizatën nga ata që duan ta dëmtojnë atë. Kjo mënyrë e funksionimit të organizatës është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme. Si e tillë nuk na duhet. Sepse ajo e shkatërron besimin e ndërsjellë mes aktivistëve të cilin e kemi kultivuar për një kohë të gjatë. Kjo metodë e shkatërron kohezionin në organizatë. Pa këtë kohezion Lëvizja nuk rri e bashkuar. E kur nuk është e bashkuar Lëvizja nuk është e fortë. E kur nuk është e fortë humbim të gjithë. Jo vetëm ne, por e tërë Kosova.

Natyrisht që njerëzit e angazhuar edhe gabojnë. Dhe gabimet duhen vënë në pah dhe duhen trajtuar. Por të trajtohen si gabime. Në momentin kur gabimit i mveshet dyshimi për motivet, kur nuk ka kurrfarë arsye për një gjë të tillë, atëherë gabimi merr tjetër kuptim. Dhe trajtohet ndryshe. Dhe nuk gjen zgjidhje. Vetëm sjellë probleme të reja. Vetëm sa na largon nga njëri tjetri.

Ky problem, varësisht si e zgjidhim, mund të na bëjë shumë më të fortë. Por duhet ta zgjidhim. Dhe ta zgjidhim drejtë. Vetëm kështu zgjidhja e tij do të shërben si mësim e precedentë për të ardhmen.

Nëse nuk e zgjidhim drejt atëherë problemi do të na instalohet si metodë e funksionimit organizativ tonit. Kjo do të na dëmtonte shumë. Organizata jonë duhet të jetë organizatë demokratike, e hapur, gjithëpërfshirëse, e qartë konceptualisht e ideologjikisht, me decentralizim të prodhimit intelektual e politik, me udhëheqje të ndershme, me vendimmarrje të hapur, e me vizion të qartë për të ardhmen. Ne duhet ta vazhdojmë rrugën e zhvillimit e të rritjes së organizatës sonë. Por jo secila rrugë na shpie atje.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përbëhet prej aktivistëve e anëtarëve që i bashkon koncepti e programi, ideologjia e praktika politike. Ne të gjithë bashkë i jemi besnik idesë. Jo njeriut. Një organizatë që ka besnikëri nda j njeriut e jo idesë, devijimin e ka prapa derës. Lëvizja nuk ka devijuar kurrë sepse nuk ka qenë organizatë e tillë. Dhe kështu duhet të mbetet.

Unë sot jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime. Por edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur t’i ndalë.

Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh.

E nëse nuk drejtoj atëherë nuk ka kuptim që të mbetem kryetar. Shpresoj që kjo dorëheqje e imja do të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën kemi ardhur dhe do të kuptohet drejtë nga të gjithë, e veçanërisht nga ata që kanë qenë të përfshirë në këtë fushatë linçimi e përdhosje ndaj njerëzve të caktuar, që të heqin dorë nga kjo metodë, që t’i thërrasin mendjes, e të mos e shkatërrojnë një organizim të tërë për teke personale.

Megjithatë, ju falënderoj të gjithëve për punën e përbashkët. Gjatë këtij mandati sa kam qenë kryetar i Lëvizjes, jam shumë i lumtur që bashkë kemi arritur rezultate të paprecedentë jo vetëm për Lëvizjen, por për historinë e vonë politike të Republikës.

Jam shumë i lumtur që bashkë kemi arritur t’i ndalim Zajednicën e Demarkacionin me protesta e angazhim vetëmohues të të gjithëve e secilit. Këto protesta i kishim organizuar bashkë me AAK-në dhe Nisma-n. Jam po ashtu falënderues e i gëzuar për një proces të organizuar mirë të zgjedhjeve të brendshme, proces ky që e konsolidoi organizatën tonë, dhe e përgatiti atë për dy palë zgjedhje që u mbajtën në vitin 2017. Por mbi të gjitha jam jashtëzakonisht falënderues e i gëzuar për rezultatin në dy palë zgjedhjet e mbajtura vitin që sapo shkoi.

Lëvizja jonë u dyfishua në këto zgjedhje. Kjo mendoj që më së miri e tregon forcën e kësaj Lëvizjeje. Rezultati zgjedhor është fryt i angazhimit të përbashkët e afatgjatë të të gjithë neve. Në asnjë mënyrë  nuk duhet të lejojmë që ky rezultat të përvetësohet. Ai është rezultat i Lëvizjes, e është fitore e popullit. Kushdo që mendon ndryshe e ka gabim, dhe nuk e ka për qëllim të mirë.

Republika e Kosovës ka shumë nevojë për një subjekt politik që shëmbëllen integritetin, autonominë, ndershmërinë, demokracinë, sinqeritetin, vendosmërinë e qëndrueshmërinë që i duhet politikës. Këto janë parime të domosdoshme që mendoj se Lëvizja duhet t’i ndjekë. Por këto degradojnë atëherë nëse dhe kur individi e merr primatin përmbi të përgjithshmen, nëse dhe kur Lëvizja shndërrohet në zgjatim të vullnetit të një njeriu, nëse dhe kur Lëvizja mbetet peng i ambicieve personale. Instalimi i diktatit është problem në vetvete, por zakonisht nuk është qëllim në vetvete. Nëse mënyrë e të vepruarit politik në Lëvizje është diktati atëherë nuk ka koncept, parime e program, është veç fjala e një individi”.