Heqja e vizave, nuk është problem vetëm demarkacioni

Heqja e vizave, nuk është problem vetëm demarkacioni

Aktuale dhjetor 14, 2017 - 13:41

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj meqë gjatë tre muajve qeverisje nuk arriti të heq pengesën me viza për qytetarët e vendit, siç kishte premtuar gjatë fushatës, tani ka një plan tjetër.

Ai më 18 dhjetor do të udhëtoj për në Bruksel ku do të takohet me zyrtarë të Bashkimit Evropian për të biseduar për çështjen e liberalizimit të vizave, për çka thotë se do të sjell lajme të mira në Kosovë.

Pos premtimit të Haradinajt për heqjen e vizave brenda 90 ditësh qeverisje, zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli ditë më parë ka dhënë një afat tjetër se kur do të përfundoj kjo çështje, shkruan Indeksonline.

Ai ka paralajmëruar se në janar do të votohet në Kuvend të Kosovës ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, e në qershor do të hiqen vizat për qytetarët.

Lidhur me këtë, profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku ka sqaruar për Indeksonline ecurinë e heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Madje, ai ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë një keqkuptim që nga fillimi.

“Qysh nga viti 2010 e tutje ka pasur një keqkuptim dhe kjo për shkakun se nuk po kuptohet drejtë procesi i liberalizimit të vizave. Vendimi final për liberalizimin e vizave merret në mbledhjen e Këshillit Evropian, përkatësisht në këshillin e ministrave të brendshëm. Çka BE-ja ka thënë deri më tani është kjo: BE asnjëherë nuk ka thënë që në momentin e ratifikimit të marrëveshjes do të jepen automatikisht vizat për Kosovën, do të thotë është situatë e paparashikueshme sa i përket afateve kohore, se kur do të merret vendimi final për vizat”, ka theksuar Mazreku.

Sipas tij, ky vendim do të varet nga qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së, sepse mënyra se si merret vendimi në këshillin e BE-së është një sistem që quhet “i shumicës së kualifikuar”.

“Ky sistem e kërkon një numër të caktuar të shteteve të votojnë pro kësaj dhe në këtë rast duhet të jenë 55% të anëtarëve të Bashkimit që e mbështetin. Këto 55% i përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së, prandaj ka mundësi të votohet pro. Kosovën e kanë njohur 23 shtete të kësaj bashkësie e që përbëjnë 65%-shin”, ka thënë tutje Mazreku.

Sa i përket kohës se kur mund të bëhet liberalizimit, ai ka shtuar se kur flitet për afate kohore, do të ishte i rezervuar sepse vendimi final varet nga këshilli i BE-së, e i cili nuk mund të parashikohet’, ka përfunduar Mazreku.