Pamje rrëqethëse kur i jepet lamtumira e fundit, i biri e puthë të vdekur e me pranga në duar

Pamje rrëqethëse kur i jepet lamtumira e fundit, i biri e puthë të vdekur e me pranga në duar

Aktuale dhjetor 11, 2017 - 12:12

I është dhënë lamtumira këtë të dielë Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, teksa po shkonte për në banesën e tij në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës.

Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë mijera vetë, që nga banorë të zonës e deri tek të afërm, miq dhe figura të njohura të politikës lokale.

Gjithashtu, i pranishëm ka qenë djali i të ndjerit, Samuel Ndoka, të cilit Drejtoria e Burgjeve i kishte dhënë leje për të marrë pjesë në varrim.

Ai është sjellë nga dy furgonë policie dhe ka qenë gjatë gjithë kohës me pranga në duar dhe nën mbikëqyrjen e efektivëve që e shoqëronin

Ndërkohë, policia e Lezhës së bashku me specialistët e Krimeve të Rënda të dërguar nga Tirana po vijojnë hetimet mbi ekzekutimin mafioz. Aktualisht blutë janë fokusuar në tre pista, që nga detyra e Ndokës si anëtar i Këshillit Bashkiak e deri tek konfliktet e të birit.

Për momentin burimet policore janë të rezervuara, por mësohet se në planet e tyre është marrja në pyetje e familjarëve të viktimës pas mortit.

Dëshmia e tyre konsiderohet shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrin hetimet dhe për mundësinë për të rënë në gjurmët e autorëve të ekzekutimit.

Në mungesë të gjurmëve në vendin e ngjarjes, hetuesit janë të bindur se bëhet fjalë për vrasës profesionistë dhe me pagesë.