Ja sa zëvendësministra pati Qeveria Mustafa

Aktuale December 08, 2017 - 16:25

Kryeministri Ramush Haradinaj deri tani ka emëruar 67 zëvendësministra në kabinetin e tij, njofton Klan Kosova.

Për këtë çështje i pari i Qeverisë ka marrë shumë kritika, pasi ka dikastere që kanë të emëruar deri në pesë zëvendësministra.

Por sot ka qenë siç duket kulmi i këtij debati – në ditën e dytë kur u diskutua për programin e Qeverisë janë përplasur keq me replika AAK dhe LDK, njofton Klan Kosova.

Gjithçka ka nisur kur deputetja Teuta Haxhiu e ka quajtur Qeverinë paraprake në krye me Isa Mustafën si qeveri të dështuar dhe si ekzekutiv që ka pasur mbi 50 zëvendësministra.

Haxhiut i është kundërpërgjigjur menjëherë Avdullah Hoti i LDK-së i cili ka prezantuar një listë e sipas tij Qeveria Mustafa ka pasur 47 zëvendësministra përderisa po sipas Hotit Qeveria Haradinaj kur t’i mbushë 100 ditë do të arrijë t’i ketë 100 zëvendësministra, njofton Klan Kosova.

Klan Kosova ka siguruar këtë listë të zëvendësministrave, ku shihet se ai i fundit në listë Goran Stankoviq nuk dihet së në cilën ministri ka vepruar.