Ministri Tahiri viziton Depon Qendrore të Mallrave të Konfiskuara

Aktuale December 08, 2017 - 13:25

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, vizitoi sot gjatë ditës Depon Qendrore për Mallrat e Konfiskuara, e vendosur në fshatin Llukar.

Krahas rishikimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ministri Tahiri përmendi edhe procesin e  rishikimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e të ardhurave nga krimi.

“Jemi këtu që të ri konfirmojmë  edhe njëherë qëndrimin tonë si Qeveri e Republikës së Kosovës, së bashku me të dy Këshillat, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që do të avancojmë edhe më tutje politikat tona në arritjen e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, apo aseteve kriminale, siç quhen ndryshe”, tha ministri Tahiri, njofton Klan Kosova.

Ministri Tahiri potencoi se ndryshimet në legjislacion do të mundësojnë luftë më efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, meqenëse aktualisht, një numër i dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë pengojnë seriozisht hetimin efektiv dhe ndjekjen penale.

Të tilla, sipas tij, janë dispozitat komplekse dhe të rënda në konfiskim, afatet e shkurtra të përcaktuara për hetim, numri i madh i mundësive për apel, dhe dispozitat e paqarta mbi pranueshmërinë e provave dhe kërkimin për konfiskim.

“Këto plotësim ndryshime jemi duke i bërë në koordinim të ngushtë me Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase së bashku me këto agjenci ligj-zbatuese, të arrijmë në konfiskim të aseteve kriminale dhe në luftë kundër korrupsionit”.

Projektligji i plotësuar dhe i ndryshuar për Kompetenca të zgjeruara do të rregulloj kushtet për konfiskimin e pasurisë së fituar nga aktiviteti kriminal, kushtet kur mund të konfiskohet pasuria në pronësi të të pandehurit i cili ka vdekur; kushtet kur mund të konfiskohet pasuria në pronësi të të pandehurit në arrati si dhe ekzekutimin dhe administrimin e pasurisë së konfiskuar.

Pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara që ndodhen në këtë depo do të dalin në shitje së shpejti, ndërsa nga mjetet e grumbulluara do të krijohet një fond i veçantë, që do të administrohet nga Ministria e Financave.