Vetëvendosje për përgjigjen e Presidentit: Thaçi e ka për zemër faljen e tokës Malit të Zi

Aktuale December 08, 2017 - 11:41

Lëvizja Vetëvendosje po e sheh si politike vendimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për mos dërgim në Kushtetuese çështjen e Demarkacionit.

Si Qeveria e Kosovës, po ashtu edhe Presidenca besojnë se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 është në rregull dhe se Kosova nuk humb territor, ani pse kjo gjë po kundërshtohet nga disa përfaqësues të spektrit politik, transmeton Gazeta Intro.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, konsideron se i pari i shtetit e ka siç thotë ai për zemër këtë marrëveshje dhe se premtimi i Thaçit është falja e tokës Malit të Zi.

“Për tej saj, Presidenti po i frikësohet edhe ballafaqimit me drejtësinë, sepse drejtësia nuk mund t’i jap të drejtë edhe komisionit të Shpejtim Bulliqit dhe nënshkruesve (Hashim thaçi)”, ka thënë Selimi për Gazeta Intro.

Qëndrim të njëjtë me Presidencën e ka dhënë gjatë ditës së djeshme, edhe Qeveria e Kosovës, e kishte hedhur poshtë mundësinë që Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

Për çështjen më të përmendur të viteve të fundit, Marrëveshjes së Demarkimit të Kufirit me Malin e Zi, së fundmi është shtuar edhe një propozim tjetër: Dërgimi i saj për qartësim në Gjykatën Kushtetuese. Këtë së pari e përmendi ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, por institucionet më të larta shtetërore nuk po e shohin si të mundur interpretimin e Demarkacionit nga Kushtetuesja.