Florim Isufi: Agjencia Kundërkorrupsion e ka vërtetuar se s’ka shkelje ligjore për emërimin tim

Aktuale December 02, 2017 - 17:38

Anëtari i Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Florim Isufi ka sqaruar për Gazetën Express një shkrim të publikuar të shtunën në mediat online, në të cilin thuhet se ai ishte emëruar kundërligjshëm në këtë komision, pasi paraprakisht ishte nënkryetar i Bordit në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore me mandat tre vjeçar.

Ai ka thënë se nuk është bërë shkelje e ligjit në emërimin e tij në komisionin. Isufi thotë se në momentin kur është emëruar nga Kryeminsitri Haradinaj më 22 shtator, ai me vetiniciativë ka kërkuar interpretim të Agjencisë Kundër korrupsionit, nëse me këtë emërim po bënte shkelje të ligjit.

“Në momentin kur Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka emëruar komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të Kosovës, unë me vetiniciativë iu kam drejtuar agjencionit Anti-korrupcion. Agjencioni Kundër korrupsion e ka lëshuar vërdiktin e vetë dhe ka konstatuar që nuk kam kurrfarë shkelje ose konflikt të interesit për pozitat shkencore që i mbaj në të dyja rastet, e kam vendimin, me siguri edhe Anti-korrupsioni e ka në faqe”, ka deklaruar Isufi.

“Ajo është shpifje e dikujt që para se me dorëzu raportin të hënën, me mujt me fut konfuzion te opinioni”, ka përfunduar Isufi.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, ka përgatitur raportin lidhur me punën e komisionit paraprak për demarkacionin me Malin e Zi. Është bërë e ditur se ky raport do të publikohet të hënën e javës së ardhshme, dhe pastaj ditët apo javët në vazhdim pritet Marrëveshja e Demarkacionit e nënshkruar me Malin e Zi, të dërgohet për diskutim dhe votim në Kuvendin e Kosovës.