Drejtësia tranzicionale në Kosovë nuk ka filluar

Aktuale December 02, 2017 - 14:01

Një sistem i dobët i drejtësisë në Kosovë ka zbehur shpresat për të pasur drejtësi tranzicionale. Përpjekjet e drejtësisë tranzicionale për të sjellë para drejtësisë ata që shkaktuan viktima, të ofrojë dëmshpërblim për viktimat, të ballafaqohet  të kaluarën dhe të arrijë pajtimin, shihen si një proces i vështirë me sfida dhe pengesa. Madje, drejtësia tranzicionale në Kosovë nuk ka nisur ende. Nga një drejtësi e zbehtë normale, kalimi në drejtësinë tranzicionale sipas përfaqësuesve të të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile merr kohë dhe është i vështirë.

Nisma e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë ende nuk është funksionalizuar. Së pari duhet të dihet e vërteta e pastaj të shkohet tek pajtimi, - është opinioni i qytetarëve të Kosovës.

Sipas Bajram Qerkini kryetar i shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve” kosovarët janë të hutuar dhe nuk e kanë të qartë çështjen e pajtimit. “Flitet për pajtim, ndërsa janë edhe 1658 persona të pagjetur. Nuk kanë bërë as strategji për të pagjeturit, as strategji për të mbijetuarit. Mjerisht të mbijetuarit janë në një gjendje që as mendja nuk ia merr dikujt sa keq, janë në një gjendje më të keqe sesa ata në Afrikë. Nuk shqetësohen për të mbijetuarit, nuk shqetësohen për të pagjeturit”, thotë ai për gazetën. Qerkini thotë se të flitet për pajtim si dhe të arrihet pajtimi brenda për brenda popullit në Kosovë është mirë.

Ai thotë se qytetarët duhet të jetojnë pa drojën e frikën e njëri-tjetrit kur takohen në autobus, në rrugë apo në miniera kudo qofshin  që punojnë bashkë.

“E di se pajtim duhet të ketë, jam i vetëdijshëm që nuk duhet t’iu lihen armiq fëmijëve që po shkojnë në shkollë”, thotë ai derisa përmend se kjo punë po lihet anash, ndërsa  sipas tij ata që po tentojnë ta qojnë këtë proces përpara po sulmohen me akuza. Prandaj, ai thotë se është bërë pak në këtë drejtim. Për të arritur deri tek pajtimi, Qerkini sheh shumë përpara me qytetarët, mbi të gjitha me komunitetet jo- shumicë  të cilat jetojnë në Kosovë. 

“Të pagjeturit kosovar e mbajnë peng pajtimin”, thotë ai duke bërë të ditur se të pagjetur janë përveç shqiptarëve edhe romët, ka edhe egjiptian e ashkali, turq, boshnjak si dhe serbë. “Sot dy nëna të komunitetit boshnjak i kisha në zyrë që nuk e dinë fatin e fëmijëve të tyre të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë”, rrëfen ai për të pagjeturit si dhe viktimat e që nuk është punuar të zbardhet fati i tyre e të arrihet drejtësi. “Nuk kanë strategji së pari vendorët, e arsyetohen se e kanë në dorë ndërkombëtarët, e ndërkombëtarët thonë se nuk po kërkohen as imazhe satelitore prej vendorëve. Kështu që Serbia po luan me shumë karta dhe po e sheh që po e ‘përpijnë’ politikën e Serbisë, nuk po i thonë stop”, thotë Qerkini.

 Për të pasur të ardhme duhet të pranohet e kaluara

Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) vlerëson se Kosova ka dështuar në drejtësinë normale, e lërë më sipas tij në drejtësinë tranzicionale, një disiplinë kjo shumë e re dhe e panjohur në Kosovë. “Drejtësia tranzicionale  e cila përbëhet nga katër shtylla, e katër shtyllat në Kosovë;  e drejta për t’u informuar apo për të ditur, e drejta për drejtësi, e drejta e mospërsëritjes dhe e drejtat për reparacione tek ne nuk janë arritur. Mirëpo drejtësia tranzicionale është kusht i pashmangshëm dhe i domosdoshëm që të arrihet pajtimi apo të shtrohet rruga drejt pajtimit midis popujve përmes drejtësisë tranzicionale”.

Shala thotë se përderisa nuk ka ballafaqim me të kaluarën, nuk pranohet e kaluara nuk do të ketë as të ardhme. Kryetari i KMDLNJ-së Shala thekson se në Kosovë ka pasur përpjekje nga UNDP, organizata jo qeveritare të cilat janë marrë me këtë çështje, një grup ndërministror për t’u ballafaquar me të kaluarën i formuar nga Hashim Thaçi në kohën kur ishte kryeministër që është marrë me këtë çështje dhe që tani si president po mundohet të krijoj një komision për pajtim. Por këto, ai i quan disa përpjekje për të mësuar diçka më tepër për drejtësinë tranzicionale në Kosovë për ta zbatuar në rastin e Kosovës, që siç thotë ai është krejt në fillim. Shala thotë se drejtësia tranzicionale është vendimtare për arritjen e një stabiliteti dhe për arritjen e një pajtimi.

“Nëse nuk ka drejtësi, nuk ka përgjegjësi për ata që kanë shkaktuar viktimat, atëherë është e kot të flitet për një proces paqësor apo ndonjë pajtim eventual”, thotë ai për “Zërin”.

 Njohja e të vërtetës dhe riparimi i dëmeve nuk janë respektuar nga Beogradi

Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në Universitetin “Paris Est” në Francë thotë se nëse i rikujtojmë qëllimet e drejtësisë tranzicionale që janë pranimi, besimi apo mirëbesimi, shteti i së drejtës dhe në fund pajtimi, atëherë nuk mund të themi se në Kosovë është bërë sa duhet në këto drejtime. “Në fakt, suksesi i drejtësisë tranzicionale në Kosovë është varur shumë nga rrethana politike dhe marrëdhënia e tensionuar me Serbinë. Prandaj në ketë çështje nuk duhet të vihet në shënjestër vetëm Kosova”.

Kraki thotë se Kosova është munduar t’i shërojë plagët dhe të arrijë njëfarë pajtimi me serbët duke pranuar edhe kushte politike dhe duke garantuar të drejta ekskluzive për serbët e Kosovës, të drejta të panjohura deri më tash për pakicat në Ballkan. “Kjo ka çuar deri në një fazë pajtimi ndëretnik në Kosovë që dëshmohet edhe me mungesën prej vitesh të incidenteve etnike”, thotë profesor Kraki në përgjigjen e tij për gazetën.

Nga ana tjetër, ai thekson se Serbia nuk ka dëshmuar vullnet që këto përpjekje të jenë frytdhënëse. “Mjafton ta përmendim dosjen e pazgjidhur të personave të zhdukur në të cilën Serbia asnjëherë s’ka treguar seriozitet për ta kuptuar se parimet bazë të drejtësisë tranzicionale siç janë pranimi apo njohja e të vërtetës dhe riparimi i dëmeve, nuk janë respektuar nga Beogradi. Edhe sabotimet politike që i janë bërë Kosovës përmes strukturave paralele në zonat e banuar me serbë kanë kontribuar, mendoj unë, në ngadalësimin, për të mos thënë stagnimin e plotë, të drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit final në mes popujve duke e pranuar dhe riparuar të kaluarën”, ka thënë ai.

Mest: Presidenti ka nënshkruar vendimin për themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

Zyra e Presidentit të Kosovës Hashim Thaqi është përgjigjur për gazetën mbi drejtësinë tranzicionale në Kosovë duke pohuar se Presidenti Thaçi ka iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. “Iniciativa e presidentit ka marrë përkrahje të madhe nga të gjithë sektorët e jetës shoqërore, nga partitë politike dhe institucionet e shtetit, nga shoqëria civile dhe mediat, nga bota akademike, nga komunitet fetare, si dhe nga organizatat ndërkombëtare.

Deri tani janë mbajtur 5 takime të mëdha konsultative me aktorët e interesuar e në të cilat është diskutuar për hapat që do të ndërmerren për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Janë marrë parasysh edhe përvojat e ngjashme në pjesët e tjera të botës”, thuhet në përgjigjen e presidencës.

Ndërsa, bëhet e ditur se gjatë kësaj pune është konkluduar që më e udhës është të themelohet Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, që do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ngritjen e komisionit, që nga aspekti teknik e logjistik deri te përgatitja e kornizës ligjore. Presidenti ka nënshkruar vendimin për themelimin e Ekipit Përgatitor.

“Në të do të jenë të përfaqësuara institucionet shtetërore, por bartës të punës do të jenë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Disa ambasada dhe organizata ndërkombëtare në Kosovë janë ofruar që të dërgojnë ekspertë për të ndihmuar me konsulencë. Ekipi Përgatitor do të përcaktojë statutin e komisionit, periudhën kohore që do të mbulojë ai, bashkëpunimin e komisionit me institucionet e tjera përfshirë edhe ato të drejtësisë, por edhe bashkëpunimin me iniciativat e ngjashme rajonale. Ekipi Përgatitor do të punojë edhe në ruajtjen e konsensusit politik për komisionin”, konfirmohet nga zyra e Presidentit. Në fund të punës së tij, komisioni parashihet të dalë me rekomandime për institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Ndërkaq në një deklaratë të tij presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë takimit të radhës konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin pat deklaruar se dekreti me të cilin do të themelohet komisioni duhet të garantojë pavarësi, paanshmëri dhe gjithëpërfshirje. Ai ka premtuar se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin është i pari i këtij lloji në Ballkan dhe me këtë po bëhet hapi i madh drejt mbylljes së kapitullit të luftës.

Por, para se presidenti Thaçi të iniciojë themelimin e këtij komisioni, për të pasur pajtim në rajon është Nisma KOMRA, iniciativa e parë rajonale pas luftës me të cilën shoqëritë civile në rajonin e ish-Jugosllavisë kërkojnë krijimin e një trupi ndërqeveritar të pavarur për identifikimin dhe zbulimin publik të fakteve për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave njeriut të lidhura me luftën.

Rreth kësaj nisme janë mbledhur 2050 organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, shoqata të ish të burgosurve të kampeve të përqendrimit, të refugjatëve, të familjeve të personave të pagjetur, artistëve, shkrimtarëve, juristëve dhe individëve të tjerë, të cilët mendojnë se vetëm qasja rajonale mund të sigurojë një regjistër të gjithmbarshëm historik lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Ky koalicion ka dokumentuar 23.000 viktima në lidhje me luftërat në ish-Jugosllavi nga gjithsej 130.000 viktima të luftës, si dhe janë dokumentuar 68 kampe të përqendrimit dhe vende të tjera të mbajtjes.

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim –ATRC.