Haziri: LDK-ja është e para

Aktuale December 02, 2017 - 13:44

Drejtues të partive politike, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit lokale, insistojnë se janë fitues të zgjedhjeve, ndonëse askush nuk e pranon zyrtarisht humbjen. Madje disa subjekte politike, që në këto zgjedhje kanë humbur disa komuna, fitoren e arsyetojnë me rritjen e numrit të këshilltarëve në asamble komunale, shkruan "Zeri.info".

Nënkryetari i LDK-së Lufti Haziri, i cili e ka fituar besimin e elektoratit për të udhëhequr edhe një mandat me Komunën e Gjilanit, thotë se LDK-ja është partia e parë në vend dhe për këtë, siç thotë ai, kanë vendosur qytetarët më 22 tetor.

“Partia e parë në zgjedhjet lokale ka dalë LDK-ja. Pra, partia e parë e cila ka votën politike edhe për kuvende komunale, edhe për kryetar të komunave. Ky është vullnet i qytetarëve, vullneti i partive që kanë bërë koalicione dhe kompromise politike në rundin e dytë nuk i nënshtrohet asnjë vlerësimi tjetër politik, sepse legjitimiteti qytetar ka ndodhur më 22 tetor dhe fitues pas 10 vjetëve, pra fitues i madh dhe rikthimi i madh i LDK-së ka ndodhur”, ka thënë ai. 

Sipas Hazirit, humbësi i zgjedhjeve i bie që të jetë PDK-ja, sepse pas 10 vjetëve del si parti e dytë. 

Pavarësisht se kanë humbur disa komuna, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ditë më parë ka theksuar për medie se kjo parti ka rritje të numrit të këshilltarëve në asambletë lokale, si dhe është partia e dytë për nga numri i votave të fituara./ZERI/.