Adem Jasharit i pëlqen arti (VIDEO)
Foto: Laura Hasani

Adem Jasharit i pëlqen arti (VIDEO)

Aktuale nëntor 27, 2017 - 07:52
Image

Falë luftës së gjyshit, komandantit legjendar të UÇK-së, familjarëve të tij dhe shumë shqiptarëve të tjerë Kosova është çliruar përfundimisht nga Serbia. Por nipi i Adem Jasharit, Adem Jashari i Riu, bën plane që të studiojë në Fakultetin e Arteve, përkatësisht dizajnin grafik. Lexoni rrëfimin e tij ekskluziv për gazetën “Zëri

I ulur në krye të Odës Adem Jashari tregon rëndësinë e Festës së 28 Nëntorit për familjen e tij në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Kjo festë njëherësh shënon ditëlindjen e gjyshit të tij, komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, si dhe daljen e parë publike të kësaj Ushtrie.

Ai tashmë është rritur e shkon në shkollë të mesme në gjimnazin “Hamëz Jashari” dhe thotë se me krenari e bart emrin e gjyshit.

Në një rrëfim për gazetën “Zëri” nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili po ashtu bart emrin e këtij të fundit, thotë se gjithë familja është krenare me paraardhësit e tyre.

“Pa dyshim ndihem shumë krenar dhe me përgjegjësi shumë të madhe e barti këtë emër, emrin e gjyshit tim Adem Jasharit. Sipas tregimeve të familjarëve, ne të gjithë pasardhësit, ne që mbajmë emrat e tyre ndihemi krenarë ta bartim këtë emër sa me më përgjegjësi, të mësojmë, të shkollohemi dhe amanetin e të parëve ta çojmë në vend”, u shpreh kështu Adem Jashari.

Image

 

 

Në gjimnazin “Hamëz Jashari”, i cili e bart emrin e vëllait të komandantit legjendar, shkon në shkollë edhe Hamëz Jashari, djali i kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit.

“Gjimnazi ‘Hamëz Jashari’ ka një emër shumë të madh, emrin e axhës tim. Ai me të gjithë pjesëtarët e familjes kanë bërë një sakrificë të madhe dhe një revolucion shumë të madh që sot ne të jemi të lirë, të shprehemi lirë dhe të arsimohemi lirshëm”, shprehet Adem Jashari.

Adem Jashari ka plane për të ardhmen. Atij i pëlqen dizajni grafik dhe ka dëshirë të studiojë në Fakultetin e Arteve.

“Mësimeve mundohem t’i kushtoj shumë rendësi, të dal me nota sa më të mira sepse i takoj një familjeje të madhe dhe e kam përgjegjësi ta çoj amanetin në vend, duke mësuar dhe me sjellje të mira. Deri më sot kam ndërruar shumë mendime për profesionin që e dua, por mendoj që do të shkoj në Fakultetin e Arteve, në dizajn grafik”, ka thënë Adem Jashari.

Ademit i pëlqen edhe muzika, me ëndje i dëgjon këngët patriotike, ato këngë që i dedikohen familjarëve të tij.

 Murat Jashari: Nëntori na sjell gëzim, sakrificë dhe shpresë

Për rëndësinë e 28 Nëntorit flet edhe nipi tjetër i komandantit legjendar të UÇK-së, Murat Jashari, i cili është djali i Rifat Jasharit.

Murati sqaron se 18 vjet pas përfundimit të luftës në vend 28 nëntori vazhdon të mbetet dita më e rëndësishme historike dhe arsyeja më e madhe për të festuar shqiptarët.


“Nëntori na sjell një mori ngjarjesh e në të gjitha këto ngjarje ka trimëri, ka guxim, ka besim, ka intelektualizëm. Po të mos ishin rilindësit tanë për t’i ngritur vlerat e Skënderbeut për gjenerata të tëra, 28 Nëntori nuk do të ishte i tillë, prandaj janë meritorë për lirinë tonë që e gëzojmë sot. Nëntori na sjell krenari, gëzim, sakrificë, shpresë dhe besim”, ka thënë Jashari.


Murat Jashari bën të ditur se para rënies komandanti Adem Jashari e ka festuar çdoherë ditëlindjen e tij.

“Ai çdoherë ka besuar në lirinë e vendit, sikur të mos kishte besuar në këtë nuk do të kishte bërë gjithë këtë sakrificë”, shprehet Murati, duke shtuar se në atë kohë ditëlindja e Adem Jasharit festohej në rrethin e ngushtë familjar, ku merrnin pjesë motrat dhe hallat e komandantit legjendar të UÇK-së, ku ky i fundit, sipas Muratit, në ditëlindjen e tij vishej me veshje kombëtare.

“Ka pasur raste kur ditëlindjen e tij e kemi festuar vetëm në familjen e ngushtë, por ka pasur edhe raste, sidomos pas ditëve të ndryshimeve e deri në vitet 1987-88, po më tepër kanë qenë festime familjare, familje e ngushtë, hallat, motrat. Pas viteve të ndryshimeve ku ngjarjet filluan të marrin një kahe tjetër, pas këtyre ndryshimeve ka hyrë edhe rrethi shoqëror ku është festuar ditëlindja dhe u kënduan këngë, ka pasur edhe ahengje të ndryshme. Në familjen tonë si pjesë e pandashme ka qenë çdoherë edhe kënga, edhe vallëzimi”, rrëfen Jashari.

 Këshillat për pasardhësit e Jasharëve

Ashtu sikur edhe kishe marrë këshilla për jetën, për edukimin e për dashurinë nga të parët e tij, të njëjtat Murat Jashari thotë së mundohet t’i bëjë për pasardhësit e familjes Jashari.

“Kur merr diçka edhe e jep atë. A mund t’i japësh dikujt diçka nëse nuk e ke, kjo është lidhshmëri. Sikur unë të mos kisha marrë dashuri dhe afërsi nga paraardhësit e mi, ata më kanë mësuar se si duhen fëmijët. Sikur të mos ishte dashuria e tyre për ne sigurisht që edhe nuk do të dinim t’i duam pasardhësit tanë. Tash ne duhet të jemi edhe më të kujdesshëm si në arsimimin, në edukimin e tyre, duhet t’u japim edhe edukatë, edhe dashuri”, ka thënë Jashari.

Murati shton se më herët nuk kanë dashur t’i ngarkojnë fëmijët me historinë e familjes Jashari.

“Ne jemi munduar që të mos i ngarkojmë me këto ngjarje fëmijët pasi nuk janë ngjarje të lehta të rrëfehen si histori në detaje. Deri në një moshë të caktuar ne nuk u kemi folur fëmijëve për ngjarjet se çfarë ka ndodhur, kemi dashur që këta të rriten pa ngarkesa, nuk ua kemi ngulitur në kokë gjërat që mund të ndikojnë edhe në shëndetin e tyre. Por duke jetuar këtu pranë ngjarjeve që kanë ndodhur këta vetvetiu e marrin informacionin”, u shpreh Murat Jashari.