Tahiri: 'Vetëvendosja' përmbyset në Prishtinë dhe në Prizren
Foto: Driton Bublaku

Tahiri: 'Vetëvendosja' përmbyset në Prishtinë dhe në Prizren

Aktuale nëntor 23, 2017 - 07:50

Abelard Tahiri, shef i shtabit zgjedhor të PDK-së, shpreson se pas numërimit të votave me kusht në Prishtinë dhe në Prizren lëvizja “Vetëvendosje” do të përmbyset në dy komunat më të mëdha të vendit. Ai ka pranuar se PDK-ja është e pakënaqur nga rezultati i balotazhit

Rezultati i balotazhit të zgjedhjeve të fundit lokale nuk e ka kënaqur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) pasi që pritjet kanë qenë më të mëdha.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetënZëri shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Abelard Tahiri, njëherësh ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se megjithatë rezultati i balotazhit nuk e cenon forcën primare të PDK-së për përfaqësim qytetar.

Ai ka konfirmuar se në balotazhin e së dielës së kaluar PDK-ja ka pasur qëndrim të votojë kundër Shpend Ahmetit dhe “Vetëvendosjes” për shkak që, siç ka thënë ai, keqqeverisja katërvjeçare në kryeqytet duhet të marrë fund.

“Në Prishtinë, siç edhe është parë, vota jonë ka qenë përcaktuese për rezultatin pozitiv të Arban Abrashit”, ka bërë të ditur Tahiri.

Ai pret që në Prishtinë, njësoj si në Prizren, rezultati final të jetë ndryshe nga rezultati aktual pasi që ka vota të mjaftueshme me kusht që mund ta përmbysin “Vetëvendosjen” në këto dy qytete.

Tahiri thonë se pavarësisht humbjes së disa komunave nga kandidatët e PDK-së Kadri Veseli s’ka arsye të dorëhiqet nga drejtimi i partisë.

Përfundimi i balotazhit nuk na ka kënaqur

Zëri: Rezultatet preliminare të KQZ-së radhitën PDK-në si partinë e tretë në zgjedhjet lokale, me vetëm 5 komuna të fituara gjithsej. Si e keni parë ju këtë rezultat, a ka qenë brenda pritshmërive tuaja si parti?

Tahiri: Radhitja e PDK-së si parti e tretë sa i përket numrit të komunave të fituara është vetëm një aspekt i interpretimit të këtyre zgjedhjeve. Nëse flasim për numrin e përgjithshëm të votave të fituara për asamble PDK-ja është renditur si partia e dytë, me një dallim të vogël me LDK-në. Nëse flasim për numrin e asamblistëve në nivel vendi PDK-ja është renditur si partia e parë. Nëse flasim për rundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash PDK-ja ka prirë në renditjen si e para. Pra, një analizë më e plotë na rrëfen për një stabilitet të partisë, sepse vota popullore nuk ka lëvizur dhe as besimi qytetar nuk është lëkundur.

Është e vërtetë që në balotazh kemi humbur pushtetin në ndonjë komunë, por kjo ka ndodhur ekskluzivisht për shkak të koalicioneve zyrtare e jozyrtare dhe të pazareve personale.

Pra, sa u përket rezultateve nuk mund të thuhet se ato na kanë munguar, siç po provohet të interpretohet pas përfundimit të balotazhit.

Ky rezultat i mirë pa dyshim është produkt i punës së palodhshme, i përpjekjeve konstante dhe i vullnetit vendimtar të qindra e mijëra aktivistëve të partisë sonë, si dhe produkt i besimit shoqëror se vetëm Partia Demokratike e Kosovës mbetet forca adekuate për përfaqësim të interesave politike të qytetareve nëpër institucione të pushtetit lokal.

Siç dihet, asambletë komunale janë trupa reprezentues në kuadër të një sistemi mbi të cilat bazohet vullneti politik i qytetarëve të një komune. Prandaj këto rezultate tregojnë se PDK-ja mbetet forca kryesore në artikulimin e vullnetit qytetar politik në aspektin individual dhe kolektiv brenda këtyre mekanizmave demokratikë.

Natyrisht, përfundimi i balotazhit nuk na ka kënaqur. Nuk mund ta mohoj faktin se kemi pritur më shumë. Por, rezultati i balotazhit nuk e cenon forcën primare të PDK-së për përfaqësim qytetar.

Në balotazh rolin vendimtar e kanë koalicionet dhe pazaret personale

Zëri: PDK-ja për shumë vite ka qenë ajo që ka kryesuar qoftë në nivelin lokal, qoftë në atë qendror, por këtë herë nuk ndodhi e njëjta. Cilat kanë qenë arsyet e këtij rezultati?

Tahiri: Kemi kryesuar edhe kësaj radhe. Sidoqoftë, për numrin e komunave përgjigjen, siç e thashë, e gjeni te balotazhi. Në rundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash PDK-ja ka fituar Drenasin pa balotazh, si dhe të gjithë e dinë situatën në Skenderaj, ndërsa ka fituar në 7 komuna, prej 10 sa ishte në balotazh, duke përfshirë tri qytetet e mëdha, Prizrenin, Mitrovicën dhe Ferizajn. Rundi i parë realisht është matësi i vërtetë, kryesori, që tregon peshën e partive veç e veç. Pasqyrimi më i saktë i vullnetit të votuesit manifestohet me votën e dhënë për secilin subjekt politik veç e veç kur votohet për kryetarët. Pra në një garë të barabartë, ku secili garon i vetëm, shihet renditja e qartë e subjekteve politike me besimin që marrin për t’i udhëhequr komunat me kryetarët e saj e rrjedhimisht edhe me fituesit.

Kur jemi të barabartë në garë, pra kur secila parti garon veç e veç, PDK-ja gjithmonë del e para. Edhe tash e kemi rastin e njëjtë. Por, rrëfimi ndryshon në balotazh. Këtu rolin vendimtar e kanë koalicionet, por edhe pazaret personale e jo koalicionet për qytetarët.

Orientimi ynë si parti nuk është urrejtja për partitë tjera, por është oferta më e mirë ndaj qytetarit. Dhe këtu kemi dallim shumë të madh me partitë tjera, të cilat e kanë ditur që kandidatët tanë janë më të mirë se kundërkandidatët, por kanë zgjedhur votën e inatit e jo votën për të mirën e qytetarit. Mjafton ta përmendin rastin e Valdete Idrizit me Agim Bahtirin.

Zëri: Në këto zgjedhje PDK-ja (sipas rezultateve preliminare) humbi edhe bastionin ndër më të fuqishmit që kishte, Prizrenin. Si e komentoni këtë? A ishte kjo goditja më e madhe ndaj PDK-së në këto zgjedhje?

Tahiri: Në Prizren PDK-ja ka pasur një kandidat të shkëlqyeshëm, Shaqir Totaj. Qytetarët ia dhanë atij besimin në rundin e parë, duke e nxjerrë fitues. Mirëpo humbësit u bënë bashkë në balotazh dhe prodhuan një situatë të re. Gjithsesi, rezultati ende nuk ka përfunduar për Prizrenin. Janë edhe rreth 1500 vota me kusht që duhet të numërohen, njësoj siç janë edhe disa kuti votimi që duhet të rinumërohen për shkak të parregullsive të evidentuara. Situata mund të ndryshojë, sepse diferenca është shumë e ngushtë aktualisht dhe rezultati ka gjasa të përmbyset.

Zëri: PDK-ja nuk ia doli ta marrë as Mitrovicën, ani pse konsiderohej bastion i saj vite më parë. Pse ndodhi kjo?

Tahiri: Mitrovica ka të njëjtin rrëfim si Prizreni. Valdete Idrizi, një zonjë e jashtëzakonshme që i ka sjellë vlera të mëdha jo vetëm PDK-së, por tërë skenës politike kosovare, ishte fituese në rundin e parë. Situata ndryshoi në balotazh. Më vjen keq që Mitrovica do të mbetet në këto katër vjetët e ardhshëm pa një filozofi të re të qeverisjes, pa një perspektivë të re, në qendër të së cilës do të ishte individi i lirë, ndërmarrësi i suksesshëm dhe komuniteti i organizuar.

Zëri: Megjithëkëtë PDK-ja arriti ta rikthejë Komunën e Ferizajt, të cilën e kishte LDK-ja më parë. A është kjo më shumë një meritë e kandidatit në këtë komunë?

Tahiri: Rezultati në Ferizaj është mëritë e përbashkët e PDK-së dhe e kandidatit tonë atje, Agim Aliu, i cili na bën krenarë. Natyrisht është edhe ndëshkim i qytetarëve për mënyrën e qeverisjes nga LDK-ja në katër vjetët e fundit.

Ka mjaft vota me kusht që mund ta përmbysin LVV-në në Prizren e në Prishtinë

Zëri: Në Komunën e Prishtinës aktualisht është një garë tejet e ngushtë. Çfarë prisni të ndodhë, edhe pse ju si PDK nuk lidhët marrëveshje me asnjërin kandidat, as me atë të LVV-së e as të LDK-së?

Tahiri: Prishtina, njësoj si Prizreni, ende mbetet e hapur deri në numërimin, ose rinumërimin e secilës votë. PDK-ja ka pasur qëndrim që në këtë balotazh të votojë kundër Shpend Ahmetit dhe “Vetëvendosjes” për arsye se ka konsideruar që keqqeverisja e katër vjetëve të fundit në kryeqytet duhet të marrë fund. Në Prishtinë, siç edhe është parë, vota jonë ka qenë përcaktuese për rezultatin pozitiv të Arban Abrashit. Pres që në Prishtinë, njësoj si në Prizren, rezultati final të jetë ndryshe nga rezultati aktual pasi që ka vota të mjaftueshme me kusht që mund ta përmbysin “Vetëvendosjen” në këto dy qytete. 

Zëri: Para rundit të dytë të zgjedhjeve është parë një hezitim i partive për të bashkëpunuar me PDK-në. Nëse një gjë e tillë ndodh edhe tash pas rezultateve, sa do t’ia komplikojë kjo punën partisë suaj?

Tahiri: Në komuna të ndryshme ne kemi pasur koalicione me parti të ndryshme. Për PDK-në nuk ka kurrfarë komplikimi sepse në zgjedhje secilën herë dalim fitues dhe si të tillë u ofrojmë bashkëpunim partive të tjera politike. PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur “vija të kuqe”, sepse për ne politika nuk është përjashtim, por konsensus. Nuk është bllokim, por përfaqësim qytetar dhe institucional.    

Zgjedhjet e brendshme të PDK-së s’kanë të bëjnë me rezultatin e balotazhit

Zëri: Keni shpallur zgjedhjet e brendshme partiake. A është ky një reflektim për rezultatin e zgjedhjeve lokale?

Tahiri: Jo. Ky ka qenë një vendim i mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues të PDK-së, e mbajtur më 29 korrik të këtij viti. Aty është thënë që PDK-ja një ditë pas zgjedhjeve lokale t’i shpallë hapur zgjedhjet e brendshme partiake në përputhje me Statutin e PDK-së.

Zëri: Cilët do të jenë hapat e tjerë që do t’i ndërmerrni për t’u rikthyer, a do t’i ristrukturoni degët, nëndegët dhe Kryesinë Qendrore?

Tahiri: PDK-ja do të vazhdojë ta bëjë atë që e ka bërë gjithmonë, rifreskimin e radhëve të saja. Mbetemi parti lidere për ndryshime pozitive në çdo aspekt. PDK-ja do ta vazhdojë rrugën e saj të reformave. E kaluara e saj e dëshmon forcën e saj për t’u reformuar dhe ndryshuar. Këto zgjedhje paraqesin testin më të mirë. PDK-ja nuk është një dinozaur burokratik dhe as konglomerat ideologjik, por formacion që ka ndryshuar dhe do të ndryshojë me nevojat e kohës.  Këtë e verifikon e kaluara e saj, sepse është parti e lirisë dhe esenca e lirisë ndërtohet në aftësinë për veprim së bashku me të tjerët. Prandaj, jam i bindur se PDK-në qytetarët as sot dhe as në të ardhmen nuk do ta shohin si strehë aksidentale, ose si ofertë sezonale e as si vend për t’i shfryrë etiketimet, mllefet dhe mëritë personale, por si një formacion të domosdoshëm politik dhe historik për t’i adresuar nevojat e tyre, për të gjetur zgjidhje për hallet e tyre dhe për t’i besuar vullnetit tonë për një ndryshim të nevojshëm konceptual e politik.

Veseli nuk ka arsye të japë dorëheqje

Zëri: Pas këtij rezultati a pritet të ketë dorëheqje nga Kryesia apo edhe nga vetë drejtuesi i këtij subjekti, z. Kadri Veseli?

Tahiri: Absolutisht, jo. Nuk ka asnjë arsye për dorëheqjen e z. Veselit. E para, këto kanë qenë zgjedhje lokale dhe gara është bërë mes liderëve lokalë. Kjo nuk ka qenë një garë direkte e z. Veselit. Pastaj, siç e thashë edhe më parë, PDK-ja nuk e ka zbehur rezultatin e saj në aspektin e votës popullore. Jemi aty ku kemi qenë, madje shumë më mirë sesa në zgjedhjet e qershorit.

Zëri: A do të ndikojë ky rezultat i PDK-së në të ardhmen e këtij subjekti qoftë në zgjedhjet e ardhshme lokale apo edhe në ato nacionale?

Tahiri: Ky rezultat do të ndikojë në forcimin edhe më të madh të PDK-së dhe në betonimin e saj si partia më e madhe në vend. PDK-ja mbetet forca kryesore me kapacitetet më të theksuara organizative, vlerat politike, energjinë vitale dhe potencialin e duhur për të qenë bartëse e ndryshimeve, si dhe për t’i aktualizuar ato.

Kemi qenë më të suksesshmit në promovimin e kandidatëve të rinj dhe të suksesshëm. Me këtë rast e kemi e freskuar skenën politike dhe qytetare me figura të reja publike dhe politike.

Madje jemi dalluar nga të tjerat edhe sa i përket promovimit të gruas në vendimmarrje politike, me numrin më të madh të grave si kandidate për kryetare komunash. Kjo na bën partinë prijatare edhe në avancim të çështjeve gjinore.

Qytetarët e kanë vlerësuar konsistencën tonë. E kanë pranuar ofertën tonë. Po ashtu perspektiven tonë të re.

Thjesht, PDK-ja do të vazhdojë ta bëjë atë që di ta bëjë më së miri: të jetë forcë e ndryshimeve për veten dhe për vendin në përputhje me nevojat, rrethanat, tendencat dhe frymën e kohës.