230 euro për Viktimat e Dhunës Seksuale: 'Ky është vendim historik'

Aktuale November 15, 2017 - 18:29

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot që pagesa mujore për Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë luftës të jetë 230 euro.

Ekzekutivi ka vendosur edhe për themelimin e Sekretarisë së komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusin e personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare, njofton Klan Kosova.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se ky është një vendim historik.

“Kjo është një shumë simbolike, por megjithatë këtë veprim e kemi prit që 18 vjet”, ka thënë Rushiti në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ne ndihemi shumë mirë që më në fund ky vendim ndodhi – kjo nënkupton se tashmë njihet e kaluara e tyre”.

“Ky grup i dalë nga lufta është grupi më i ndjeshëm shoqëror”.

“Mbas disa intervistave dhe punës sonë në terren kemi parë që po rritet numri i peronave që kanë treguar interesim për të këtë shumë”.

“Ka pasur viktima edhe në Kosovë por edhe jashtë Kosovës, pasi kanë ikur nga realiteti – tash disa prej tyre kanë vendosur edhe të kthehen”.

Rushiti tuje ka treguar se janë rreth 1200 viktima të dhunës seksuale që tashmë janë paraqitur në katër organizata joqeveritare të licencuara nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Mirëpo jo të gjitha janë të përgatitura që të aplikojnë në Komision – 300 deri në 400 gra janë të përgatitura që të aplikojnë për momentin”.

“Shpresojmë që ky numër të rritet”.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tregon se kanë zgjedhur praktikën më të mirë botërore se si të mbijetuarat mund aplikojnë për këtë pagesë mujore.

“Ato mund të mos paraqiten vetë për aplikim, por përmes organizatave të licencuara, përmes familjarëve apo avokatit ose përmes shtatë zyrave rajonale në secilën komunë”.

“Komisioni dokumentacionin do ta shqyrtojë për 30 ditë – më pas do të japin një përgjigje”.