Ky është kushti i LVV-së për ta votuar kandidatin për kryeparlamentar nga PAN-i

Aktuale August 14, 2017 - 19:52

Deputeti Glauk Konjufca thotë se Lëvizja Vetëvendosje është për një kompromis për formimin e institucioneve të vendit. Ai thotë se kompromisi më i madh për VV-në është përzgjedhja e një kandidati tjetër nga PAN-i për kreun e Kuvendit dhe assesi Kadri Veseli.

Për Konjufcën i papërshtatshëm është edhe Xhavit Haliti i PDK-së, meqë sipas tij ai bënë pjesë në strukturën e njëjtë e cila i ka bërë dëme të mëdha vendit.

Ai thotë se me Vetëvendosjen assesi nuk mund të diskutohet për formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN.

“Kryetari i Kuvendit mund edhe të diskutohet deri diku, por për Qeverinë kjo as nuk vjen në shprehje. Do të ishte banale dhe qesharake si kërkesë”, tha Konjufca në RTV Dukagjini.

Konjufca ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së VV-së në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci, me arsyetimin se takime të tilla bëhen me qëllim të bërjes së pazareve për të siguruar numra.

“Takimet konsultative janë për të bërë pazare të ndryshme. Të drejtën për thirrjen e seancës e ka kryesuesi. Një seancë themeluese nuk mund të zgjasë më shumë se 3 orë, por vetëm PAN bën që seancat për konstituim të Kuvendit të zgjasin me muaj. Nuk marrim pjesë në takime të tilla. Neve na duhet një datë e seancës”, tha Konjufca.