Skenarët e 3 gushtit

Aktuale August 01, 2017 - 07:53

Deputetë të koalicionit PAN do të shkojnë në seancën e 3 gushtit të bindur se Kadri Veseli do të zgjidhet kryeparlamentar dhe Ramush Haradinaj kryeministër. Por, deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të koalicionit LAA janë të sigurt se këtë të enjte në Kuvend “do të vuloset” dështimi i Veselit dhe i Haradinajt, prandaj nuk po planifikojnë ta bllokojnë seancën, shkruan sot, gazeta Zeri.

Për seancën e 3 gushtit, në të cilën pritet të bëhet konstituimi i Kuvendit, gjegjësisht të zgjidhet kryeparlamentari, po përgatiten skenarë të ndryshëm si nga koalicioni PAN, si nga lëvizja “Vetëvendosje”, ashtu edhe nga koalicioni LAA.

Drejtues të koalicionit PAN janë të sigurt se tashmë i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend dhe kandidati i tyre për kryeparlamentar Kadri Veseli do të nisë një mandat të ri në krye të legjislativit, ndërsa, sipas tyre, Qeveria do të votohet të nesërmen, shkruan gazeta Zeri.

Në anën tjetër, deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” nuk do ta bllokojnë seancën e zgjedhjes së kryeparlamentarit, pasi që Kadri Veseli nuk do t’i marrë votat e nevojshme të ligjvënësve kosovarë.

Koalicioni LAA(LDK-AKR-Alternativa) më 2 gusht do të vendosë se si do të veprohet në seancën e 3 gushtit, përkatësisht se a do të bojkotohet seanca apo jo.

Haliti: I kemi votat për Kuvend dhe për Qeveri

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, është shprehur i vendosur se Kadri Veseli do të zgjidhet kryetar i Kuvendit më 3 gusht.

“Përderisa e kemi kandiduar, ne jemi të sigurt se do të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit, edhe Kryesia”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kurse ka thënë se Qeveria nuk mund të votohet në seancën e njëjtë kur do të konstituohet Kuvendi. 

“Ne e kemi thirrur seancën e Kuvendit dhe sipas rregullave Kryesia nuk mund t’i thërrasë dy mbledhje njëherazi. Kryesia që zgjidhet thërret mbledhjen për krijimin e Qeverisë. Kryesia aktuale e thërret vetëm seancën konstituive”, ka shtuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Megjithatë, sipas tij, votimi i Qeverisë mund të bëhet me marrëveshje ose më 3 gusht, pas seancës konstituive ose një ditë pas saj.

“Por mund të ketë ndonjë dakordësi mes subjekteve që të njëjtën ditë të ketë seancë për krijimin e Qeverisë, ose të nesërmen, nuk është ndonjë problem”, ka potencuar Haliti.

Ndërkohë ka thënë se në bazë të të dhënave zyrtare që ka koalicioni, PAN-i i ka votat edhe për ta formuar Qeverinë.

Haskuka: LVV-ja nuk e bojkoton seancën e 3 gushtit

Nga ana tjetër, deputeti i “Vetëvendosjes” Mytaher Haskuka ka thënë për “Zërin” se LVV-ja nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryeparlamentar.

Megjithëkëtë, ka thënë se LVV-ja nuk ka nevojë ta bojkotojë seancën e 3 gushtit, pasi Veseli nuk do t’i ketë numrat për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.

“Nuk kemi biseduar se a do ta bojkotojmë seancën, unë mendoj që nuk do të ketë nevojë ta bojkotojmë ngase PAN-i nuk i ka numrat për të nominuarin Veseli”, është shprehur ai për “Zërin”.

Haskuka më tutje ka thënë se edhe po që se PAN-i do ta formojë Qeverinë me deputetë individualisht, atëherë ajo do të mundë të rrëzohet më së largu pas 6 muajsh.

“Ne mendojmë që në Parlamentin e Kosovës PAN-i nuk mund të sigurojë numra kredibilë për të pasur institucione funksionale. Nëse institucionet formohen me transferime të një apo të dy deputetëve, kjo Qeveri do të jetë shumë e dobët dhe me siguri që nuk do të zgjasë më shumë se 6 muaj. Andaj, neve nuk do të na nevojitet një mund i madh për ta rrëzuar një Qeveri të tillë”, ka theksuar ai.

Bahtiri: PAN-i do të dështojë

Kurse nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri (pjesë e koalicionit LAA), është shprehur i bindur se PAN-i do të dështojë t’i formojë institucionet. Sipas tij, duhet krijuar një Qeveri tjetër, e cila së paku ka 61 vota prej shqiptarëve.

“Mendoj se PAN-i do të dështojë. PAN-i duhet të dështojë, megjithëse është krijuar për të dështuar. Unë po mendoj se duhen gjetur rrugë të tjera për t’u bërë Qeveria sa më shpejt. Rrugë të cilat i presin qytetarët dhe qytetarët presin që Qeverinë ta bëjë koalicioni, i cili ka 61 numra shqiptarë dhe të tjerat që i ka të bashkëngjitura”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Por megjithëkëtë Bahtiri nuk ka treguar nëse LAA-ja do të jetë pjesë e seancës ditën kur do të votohet Kadri Veseli. Për një gjë të tillë, sipas tij, do të vendoset tek të mërkurën.

“Ne e kemi një mbledhje të mërkurën si Kryesi dhe do të marrim vendime, do të shohim si do të  veprojmë, por në asnjë mënyrë nuk do t’i votojmë ata që nuk e meritojnë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, duke folur për kandidatin për kryeparlamentar, Bahtiri ka thënë se do të duhej që në këtë pozitë të vihej një person i cili e gëzon përkrahjen e shumicës së partive.

Opsionet nëse PAN-i dështon më 3 gusht

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese Mazllum Baraliu ka treguar se cilat janë situatat potenciale po që se PAN-i dështon ta votojë herën e parë kandidatin për kryeparlamentar.

“Nëse nuk votohet propozimi i parë, atëherë varet krejt a do të jetë kuorumi i seancës dhe a do të ketë më shumë se 61 deputetë të pranishëm për të votuar apo mund të ndodhë që para se të votohet të ketë mosvotim apo edhe dalje nga seanca e segmenteve të caktuara të klasës politike”, ka nënvizuar ai.

Opsioni tjetër sipas Baraliut ka të bëjë me ndërprerjen e seancës për konsultim të partisë, e cila propozon kandidatin për kryekuvendar.

“Mund të ketë ndërprerje të seancës sepse ndoshta i duhet një kohë partisë, e cila e ka të drejtën që ta japë propozimin për kryetar Kuvendi, që të konsultohet në Kryesi dhe në Grup Parlamentar”, ka shtuar ai.

Baraliu më tutje ka thënë se PAN-i ka të drejtë që ta ripropozojë disa herë kandidatin po që se nuk zgjidhet herën e parë e po ashtu ka të drejtë edhe ta ndërrojë të nominuarin e tyre për këtë pozitë.

Kurse analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se nëse PAN-i i siguron votat, Qeveria mund të votohet të njëjtën ditë kur edhe pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit.