Isufi: Haradinaj, së shpejti kryeministër
Foto: Driton Bublaku

Isufi: Haradinaj, së shpejti kryeministër

Aktuale korrik 15, 2017 - 08:07

Koalicioni PAN i ka siguruar votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë dhe Ramush Haradinaj shumë shpejt do të jetë kryeministër i ri i Kosovës. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, duke shtuar se edhe ato subjekte politike që po hezitojnë të jenë pjesë e qeverisë “Haradinaj” duhet ta bëjnë një gjë të tillë, siç thotë ai, ky i fundit e ka vizionin dhe ky është shansi që Kosova të prosperojë.

I pyetur për mundësinë e bashkëpunimit të AAK-së me LVV-në dhe me koalicionin LAA, por pa PDK-në, Isufi ka thënë se një formulë e tillë është provuar në të kaluarën, por Kosova ka mbetur e bllokuar për gjashtë muaj.

“Prandaj nuk ka nevojë për eksperimente të cilat i pengojnë proceset e Kosovës, por duhet të thirremi në arsye dhe në akte normative që i ka sqaruar Gjykata Kushtetuese”, shprehet Isufi.

Zëri: Z. Isufi, ju bëni pjesë në një koalicion që i ka fituar zgjedhjet, por nuk i ka siguruar ende numrat e nevojshëm për ta formuar Qeverinë. Çfarë bisedash po zhvilloni për t’i siguruar votat e nevojshme për ekzekutivin?

Isufi: Pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, subjekti i parë fitues ka dalë koalicioni PAN, të cilit i takon e drejta për ta propozuar mandatarin për krijimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sapo kanë filluar bisedimet me partitë politike dhe i mandatuari nga koalicioni PAN, z. Ramush Haradinaj, u ka dërguar ftesë subjekteve politike për konsulta në lidhje me formimin e Qeverisë.

Zëri: Ju keni thënë se keni mbështetjen e minoriteteve për formimin e Qeverisë, duke qenë se këto vota nuk ju mjaftojnë ta plotësoni numrin 61 për formimin e ekzekutivit. Me cilët deputetë keni marrëveshje për ta votuar mandatarin tuaj?

Isufi: Parimisht ne bisedimet i fillojmë me partitë politike si ato shqiptare po ashtu edhe me partitë minoritare, të cilat në të gjitha mandatet e pasluftës dhe pas pavarësisë kanë marrë pjesë në institucionet e vendit dhe kjo praktikë do të vazhdojë edhe tani, duke u bazuar në të drejtën kushtetuese që u takon.

Zëri: Z. Haradinaj ka thënë se Qeveria do të formohet javën e ardhshme. Kur konkretisht pritet konstituimi i institucioneve?

Isufi: Bazuar në deklaratën e z. Haradinajt dhe në pajtimin e arritur në mes të partnerëve të koalicionit, kompetencat për të dialoguar i janë besuar të mandatarit, në këtë rast z. Haradinaj. Ai është duke i zhvilluar bisedimet me partnerët politikë dhe në afatin e duhur kohor do të votohet Qeveria në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Posti i kryeparlamentarit i takon Kadri Veselit

Zëri: Kujt do t’i takojë posti i kryeparlamentarit. A keni marrëveshje në PAN që kjo pozitë t’i ofrohet Kadri Veselit?

Isufi: Si koalicion parazgjedhor, me marrëveshjen që është arritur, posti i kryeparlamentarit i takon bartësit të listës, në këtë rast z. Kadri Veselit. Por është e drejtë e partnerit në koalicion që të përcaktohet për kandidatin e saj.

Zëri: A ka mundësi që vendi t’i nënshtrohet një bllokade institucionale si në vitin 2014?

Isufi: Tanimë gjërat janë të qarta se kujt i takon e drejta e nominimit të mandatarit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, prandaj nuk ka hapësirë për bllokadë. Por ka arsye për kompromise politike që të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse dhe stabile.

Zëri: Nëse Haradinaj dështon t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e  Qeverisë, a jeni të gatshëm ju si AAK të mbeteni në opozitë?

Isufi: Në këtë rast nuk është në pyetje AAK-ja, as koalicioni PAN, por është në pyetje shteti i Kosovës, i cili duhet të ketë institucione kredibile dhe stabile dhe duhet kuptuar se ka hapësirë për pjesëmarrje në qeverisje për t’i dhënë drejtim zhvillimit të vendit në të gjitha sferat, sepse qytetarët e Kosovës kanë nevojë për zhvillim dinamik të proceseve që e forcojnë Kosovën si shtet dhe e avancojnë në integrimet e reja që po e presin.

Edhe ata që mund të hezitojnë sot, duhet të marrin kurajë të bëhen pjesë e qeverisë “Haradinaj”, duke pasur parasysh vizionin e tij, dinamikën që ka përcaktuar edhe në të kaluarën dhe dhënien e shansit që Kosova të prosperojë.

Zëri: LVV-ja e ka refuzuar ftesën e z. Haradinaj për të biseduar vetëm pse ai është në koalicion me PAN-in, a ka gjasa që AAK-ja t’i bashkëngjitet LVV-së ose LDK-së në formimin e Qeverisë?

Isufi: Një formulë e tillë është provuar në të kaluarën, por Kosova ka mbetur e bllokuar për gjashtë muaj, prandaj nuk ka nevojë për eksperimente të cilat i pengojnë proceset e Kosovës, por duhet të thirremi në arsye dhe në aktet normative, të cilat i ka sqaruar Gjykata Kushtetuese.

Çështja e numrave u konsumua në mandatin e kaluar

Zëri: Nëse eventualisht e bëni ekzekutivin me 61 vota. A do të jetë qeverisje stabile kjo, duke e ditur se para vetes keni një opozitë të fortë?

Isufi: Çështja e numrave është konsumuar mjaft edhe në mandatin e kaluar, prandaj ne duhet më shumë të thirremi në arsyen e veprimeve tona, duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në logjikën e zhvillimit të shtetit. Krijimi i një qeverie stabile dhe dinamike, me në krye z. Ramush Haradinaj dhe një opozitë e fortë, e cila do të ishte korrigjuese e pushtetit, do t’i bënte mirë Kosovës, sepse Qeveria do të detyrohej të punojë në bazë të interesave të vendit, ose do të duhej të lëshonte rrugë nga presioni opozitar.

Ne e dimë se edhe partnerët në koalicion, edhe kundërshtarët politikë, e kanë një bindje që z. Haradinaj është një lider i përgjegjshëm dhe ka dhënë prova se u qëndron besnik parimeve të tij, madje edhe kur është në pyetje sakrifica personale, por edhe ka ditur t’i respektojë edhe partnerët, edhe kundërshtarët, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë që ka zhvillimi i shtetit. Ne nuk duhet të jemi të bashkuar vetëm në dhimbje e në sakrifica, por më shumë duhet të bashkohemi në suksese e në fitore. Kësaj radhe duhet lënë anash zilitë e inatet, por duhet t’i bashkohemi projektit më të mirë për kohën në krye me z. Ramush Haradinaj.

Zëri: A do ta ndërrojë AAK-ja qëndrimin karshi Marrëveshjes për Demarkimin e Kufijve me Malin e Zi?

Isufi: Kur janë në pyetje interesat e vendit, të sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, ne do ta mbajmë të njëjtin qëndrim, duke kërkuar nga Qeveria malazeze që të rishikohet demarkacioni. Do të bazohemi në ekspertizë dhe do të kërkojmë konsensus për të gjitha çështjet nacionale, duke qenë transparentë edhe para institucioneve relevante dhe qytetarëve të Kosovës në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar.

Zëri: Si e komentoni rezultatin e 11 qershorit? A ka ndikuar hyrja juaj në koalicion me PDK-në që ta dobësoheni para elektoratit tuaj?

Isufi: Zgjedhjet e 11 qershorit kanë nxjerrë rezultatin të cilin ne e kemi pranuar dhe brenda këtij koalicioni ne kemi konstatuar se AAK-ja ka një strukturë stabile, gjë që tregon edhe numrin i deputetëve të zgjedhur në koalicion. Megjithatë, fitues është koalicioni PAN si subjekti i parë i këtyre zgjedhjeve, i cili ka të drejtën që bashkë me partnerët e tjerë t’i formojë institucionet e reja të Kosovës.