Pse nuk mund ta formojë PAN-i Qeverinë, sipas Dardan Sejdiut

Pse nuk mund ta formojë PAN-i Qeverinë, sipas Dardan Sejdiut

Aktuale korrik 12, 2017 - 19:06

Nënkryetari dhe tashmë deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu ka thënë se nuk beson se koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, PAN nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë.

“Numrat në përgjithësi i kanë gjithë njerëzit në rruzull tokësor. Numrat e 11 qershorit flasin që subjekti më i madh politik është Vetëvendosja”.

“Një koalicion që insiston që ka numrat nuk po procedon për konstituimin e Kuvendit, të shtunën u certifikuan rezultatet e sot është e mërkure dhe nuk po vazhdohet me konstituimin e Kuvendit, është e çuditshme”.

Ai si i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës është shprehur optimist se Vetëvendosja do të formojë Qeverinë.

“Vetëvendosja i ka 32 deputetë, koalicioni LAA ka 29 deputetë dhe kjo në matematikë përkthehet me 61 vota e Kuvendi i ka 120 ulëse, e pra 61 deputetët nuk janë në pjesën e PAN-it”.

Sejdiu ka thënë se nëse PAN-i do të kishte numrat, tashmë do të thërrisnin mbledhjen për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka komentuar edhe për raportimet se ka deputetë edhe të Vetëvendosjes që do të votojnë për koalicionin PAN.

“Për të ndërtuar këso lloj argumente dhe sikur të kishte diçka të vërtetë nuk do të prisnin 45 ditë për konstituim të Kuvendit, edhe unë mund të them që janë 4 anëtarë të PAN-it që nuk votojnë Haradinaj dhe mbi këtë të bëjmë lajm”.

Ai ka ripërsëritur edhe njëherë se Vetëvendosja nuk ka pranuar të takohet me kandidatin për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj.

“Visar Ymeri i tregoi Haradinajt cila është mënyra me të cilën mund të komunikohet me Vetëvendosjes, njëjtë ia bëri edhe Mustafës pra 61 deputetë janë kundër. Ia kemi bërë me dije që është pjesë e një koalicioni ku është PDK, dhe ne nuk diskutojmë”.