LAA del me qëndrim përfundimtar!
Foto: Driton Bublaku

LAA del me qëndrim përfundimtar!

Aktuale korrik 10, 2017 - 17:54

Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 11 Qershorit, koalicioni LDK-AAK-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi kanë shprehur edhe njëherë unitetin në të gjitha qëndrimet.

Ata janë shprehur njëzëri rreth qëndrimeve se nuk marrin pjesë në takim me të nominuarin për kryeministër nga koalicioni PAN , Ramush Haradinaj.

I normuari për kryeministër nga LAA, Avdullah Hoti, pas mbledhjes që ka pasur sot me deputetë të koalicionit LAA, ka thënë se Grupi i tyre Parlamentar është unik ashtu siç ka qenë.

Ai tha se qëndrojnë prapa marrëveshjes që kanë arritur me AKR-Alternativën dhe me Lëvizjen për Drejtësi.

Hoti: Koalicioni ynë është unik

“Sot e mbajtëm mbledhjen e radhës të grupit tonë parlamentar tani pas certifikimit përfundimtar të rezultateve nga ana e KQZ-së. Grupi jonë parlamentar , koalicioni jonë është unik ashtu siç ka qenë. Qëndrojmë prapa marrëveshjes që kemi mbërri me AKR-Alternativën dhe me Lëvizjen për Drejtësi. Kemi filluar diskutimet e brendshme për pjesëmarrjen tonë në seancën konstituive të Kuvendit . Tani po presim pasi janë certifikuar rezultatet që Presidenti të ftoj seancën parë konstituive të Kuvendit dhe të filloj procesi i konstituimit të institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje. “, tha Hoti.

Ndërsa i pyetur se a do ta votojnë koalicioni LAA, për kryetar të Kuvendit Kadri Veselin, Hoti ka thënë se ende nuk kanë qëndrim për këtë.

Ai ka shtuar se PAN është duke i fyer qytetarët, pasi sipas tij 29 deputetët e koalicionit LAA nuk do të kontrabandohen sa i përket formimit të Qeverisë.

Hoti: Asnjë deputet i LAA nuk do të kontrabandohet

“Nuk kemi qëndrim për këtë. Ende nuk e kemi diskutuar. Sapo të ftohet seanca e parë ne do të diskutojmë edhe në strukturat tona të partisë të LDK-së, besoj edhe të AKR-së edhe partnerëve të tjerë të koalicionit dhe do të udhëzohet grupi jonë parlamentarë se si të sillet me Kuvendin e Kosovës. Unë mendoj që koalicioni PAN, zyrtarët e koalicionit PAN janë duke i fyer qytetarët e Kosovës , duke ju servuar atyre qeveri të kontrabanduar. Është e pa pranueshme, është turpshme kështu të pretendohet formimi i Qeverisë. ###i/i###në besoj që nuk e bëjnë atë gabim, nuk ka asnjë deputet nga 29 sa i ka ky koalicion që mund të kontrabandohen sepse këta janë deputet të këtij koalicioni të LDK-së AKR-së Alternativës. Janë votuar në listën tonë , janë vota të këtij koalicioni dhe ata e dinë se këndë e përfaqësojnë.”, tha Hoti.

Ndërsa lidhur me negociatat e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, Hoti ka thënë se janë në pritje që PAN të shfrytëzojë të drejtën për të formuar Qeverinë e më pas t’u hapet rruga koalicioneve të tjera.

Hoti: Presim që PAN të shfrytëzoj të drejtën e pastaj vijmë ne

“Jo sepse në bazë të kushtetutës edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014-të ne duhet të presim prej koalicionit PAN që të shfrytëzoj të drejtën e tyre për formim të institucioneve. Atë që e kemi thënë disa herë sapo ta konsumojnë ata të drejtën e tyre ne mandej do të angazhohemi që të formojmë koalicionet e mundshme për krijimin e Qeverisë”, tha Hoti.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosova e Re , Behxhet Pacolli, pas takimit është shprehur se AKR-ja e mbështet qëndrimet e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Pacolli: Ne jemi në koalicion me LDK-në

“Unë jam me koalicionin tim. Absolutisht në mënyrë absolute. Edhe deputetët tanë janë me ne. Unë nuk kam marrë as ftesë në të vërtet. E dimë mirë se shefi i koalicionit është z Mustafa edhe ne e mbështesim z Mustafa. Unë jo, s’ka shanse”, tha Pacolli.

Po ashtu edhe Ilir Deda, nga Alternativa, ka thënë se janë bashkë me partnerët e koalicionit dhe se nuk kanë nevojë të takohen me përfaqësues të PAN-it, derisa ky koalicion ekziston si i tillë.

Deda: Jemi unik me qëndrime

“Ne kemi pasur sot takim të rregullt qëndrimet publike janë të harmonizuara . Të tre subjekteve politike. Ne qëndrojmë së bashku në atë se nuk kemi nevojë takohemi me përfaqësues të PAN-it, derisa PAN , ekziston si koalicion. Konkretisht nuk i ka arsye të shihemi me Zotin Haradinaj , derisa ai është pjesë e koalicionit PAN. Nuk pasur diskutime të thella për konstituim të Kuvendit. Ka qenë mbledhje e rregullt e deputetëve të koalicionit Alternatives LDK-së dhe AKR-së. Për hapa të mëtutjeshëm po presim tash kur do të ndodh konsituimi i Kuvendit. Për gjitha do të informoheni me kohë. Unë mundem me ju thënë që na jemi unik me qëndrime dhe spekulimet të cilat janë nëpër media një kohë të gjatë se lidhur me kontrabandimin e deputetëve se janë me koalicionin tonë janë të pavërteta. Asnjë deputet nga koalicioni jonë nuk do të merr vendime jashtë asaj çka dakordohemi ne.”, tha Deda.

Ky është takimi i parë mes deputetëve të koalicionit LAA, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja.