Pantina: PAN-i nuk i ka votat, PDK në opozitë

Pantina: PAN-i nuk i ka votat, PDK në opozitë

Aktuale korrik 10, 2017 - 16:07

Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, duke komentuar deklaratën e PAN-it se i ka numrat për koalicion, e ka cilësuar si joparimre një gjë të tillë. Sipas saj, është pikërisht ky koalicion i cili nuk i ka dare numrat e nevojshëm për bërjen e qeverisë së ardhshme.   

“Fillimisht është tejet joparimore që deputetët e Kuvendit që janë përfaqësues të popullit të konsiderohen thjesht vetëm numra. Deputeti është shumë më shumë se një numër që mund t’i duhet sot Ramush Haradinajt apo kujtdo tjetër për ta bërë qeverinë”, ka deklaruar ajo për "Zeri.info".

Kjo pasi sipas Pantinës, deputetët para se të jenë deputetë janë pjesë e një partie, në kuadër të së cilës janë zgjedhur.

“Ata para se të bëhen deputetë kanë garuar si pjesë e një subjekti politik, prandaj edhe duhet t’i nënshtrohen vendimeve që merren brenda subjektit kur ato janë në përputhje me vullnetin e votuesve që ai subjekt përfaqëson. Prandaj, ky debati për numra është mirë të përfundojë dhe subjektet politike që kanë fituar ulëse në zgjedhje të diskutojnë për arritjen e marrëveshjes për qeverisje, që bazohet në prioritete programore”, është shprehur ajo.

Pantina më tej, ka thënë se PDK duhet të shkojë në opozitë, kurse PAN-i sipas saj, nuk i ka votat për ta bërë qeverinë.

“PAN si i vetëm nuk ka vota të mjaftueshme dhe të paktën në deklarimet publike të deritashme LAA ka thënë se nuk do të hyjë në koalicion me ta. Qëndrimi ynë, pra, i LV-së është i qartë ashtu siç ka qenë edhe para zgjedhjeve: PDK që ka keqqeverisur për një dekadë duhet të shkojë në opozitë”, ka potencuar ajo./ZERI