
Bashkurti: Kurti përfaqëson liderin e spikatur politik
Njohësi i rrethanave politike në Ballkan dhe profesori i njohur nga Shqipëria, Lisen Bashkurti, ka thënë për “Zërin” se LVV-ja duket të jetë alternativa partiake, individuale më kredibile në spektrin politik kosovar.
“Lidershipi i LVV-së paraqitet më pranë agjendës qytetare, më modern, më i kualifikuar dhe për këto arsye më premtues. Natyrisht edhe LVV-ja është përballë sfidave specifike që lidhen me idetë, programin, sjelljet, qëndrimet dhe veprimet e saj në planin e brendshëm e sidomos ndërkombëtar”, ka thënë Bashkurti.
Megjithatë, sipas tij, i nominuari i “Vetëvendosjes” për kryeministër Albin Kurti përfaqëson një profil të spikatur politik.
“Qytetarët e Kosovës e mbështetën alternativën dhe vetë liderin e LVV-së. Kjo mbështetje flet vetë. Nëse LVV-ja nuk do të jetë pjesë qeverisëse, do të jetë një opozitë e fuqishme për të cilën ka shumë nevojë politika në Kosovë. Koalicioni i madh i kaluar ka vepruar në mjaft raste pa frymë demokratike, duke e kërcënuar opozitën, duke e lënë jashtë politikëbërjes dhe vendimmarrjes për aspekte themelore të interesave të Kosovës e të popullit të saj. Por populli e ndëshkoi me votë atë”, ka thënë Bashkurti. /Zeri/