Nishani pret senatorin McCain, shprehet krenar për aleancën me SHBA-të

Nishani pret senatorin McCain, shprehet krenar për aleancën me SHBA-të

Aktuale prill 14, 2017 - 19:07

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani priti në takim senatorin amerikan, John McCain, i cili po zhvillon një turne zyrtar në shtetet e Ballkanit.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi rolin udhëheqës dhe kontributin e vyer shumëvjeçar të senatorit McCain në politikën dhe Senatin amerikan, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë”, theksoi Presidenti Nishani, duke e siguruar senatorin McCain se vendi Shqipëria dhe Forcat e Armatosura shqiptare do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen.

Kreu i shtetit shqiptar dhe Senatori McCain diskutuan edhe për situatën e Ballkanit, ku u vlerësua roli dhe kontributi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të përbashkët me orientimin dhe synimin e integrimit e të gjithë vendeve dhe popujve në rajon në bashkësinë euro-atlantike.