Thaçi: Partitë politike duhet të bashkohen për interesat e shtetit
Foto: Laura Hasani

Thaçi: Partitë politike duhet të bashkohen për interesat e shtetit

Aktuale mars 21, 2017 - 12:53

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte pjesëmarrës në lansimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për vetë Fondacionin e Westminster për Demokraci, për partitë politike, për jetën politike dhe për tërë Kosovën.

“Që në fillim të marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës kam promovuar idenë e dekriminalizimit të partive politike në Kosovë. Më saktësisht, kam hedhur idenë që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një kod të mirësjelljes në mes vetë partive, e që thotë që njerëzit nën hetime apo të akuzuar nga organet e drejtësisë nuk do të lejohen as të hyjnë në listat për deputetë dhe as të marrin poste në institucionet publike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky hap, sipas presidentit, do të ndihmonte në forcimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në vetë partitë politike, në aspiratën e tyre që të punojnë për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Partitë politike në Kosovë kanë treguar se përkundër mospajtimeve që kanë në mes vete, megjithatë, kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme për Kosovën, atëherë këto dinë të bëhen bashkë dhe të bashkërendojnë veprimet e tyre”, ka thënë ai.

Tutje Thaçi shtoi se Kosovën e presin vendime të rëndësishme, që kërkojnë bashkërendim dhe se janë momente kur partitë politike duhet të tregojnë pjekuri politike.

Të pranishëm në lansimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë ishin edhe ambasadori britanik Rouri O’connell, si dhe ai i OSBE-së, Jan Braathu.