Opozita nuk lodhet për mesazhin e Mogherinit
Federica Mogherini edhe kësaj radhe në vizitën e saj që ia bëri Prishtinës, të shtunën, porositi klasën politike kosovare që ta arrijnë një marrëveshje për ratifikimin e Demarkacionit në mënyrë që të fitohet liberalizimi i vizave. Mesazhi i saj edhe kësaj radhe “nuk kaloi” tek opozita, shkruan sot, gazeta Zeri.
“Nëse Kuvendi e voton Demarkacionin, ne, BE-ja do të lëvizim shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave”. Ky ishte mesazhi i qartë që përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ia dha Prishtinës të shtunën në vizitën e saj zyrtare. Mirëpo, as ky mesazh i Mogherinit nuk e ka lëvizur nga “pozicionet” opozitën kosovare.
Ata konsiderojnë se është edhe e padrejtë e edhe gabim që në raport me shqiptarët e veçanërisht me Kosovën të aplikohen kritere e kërkesa të cilat e kushtëzojnë pabarazinë në mes të popujve. “Imponimi sjell krizë, shqetësim dhe indinjatë’, ka thënë kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje” Visar Ymeri.
Ai ka ripërsëritur se “Vetëvendosje” së bashku me partitë tjera opozitare do ta kundërshtojnë fuqishëm Demarkacionin nëse vjen në Kuvend këtë javë.
Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se mesazhi i Mogherinit po përdoret nga Qeveria për qëllime të saja. Ata janë të bindur se “zgjidhje nuk do të ketë”.
Tahiri: Qeveria po e përdor porosinë e Mogherinit
Politologu Ramush Tahiri, duke e vlerësuar si të qartë porosinë e Mogherinit, mendon se mesazhi i përfaqësues së BE-së po përdoret nga Qeveria si presion ndaj opozitës. “Kjo porosi e qartë po keqkuptohet nga Qeveria e cila po e përdor si presion ndaj opozitës duke e paraqitur si penguese të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë, ndërsa opozita po shpjegon se nuk nënkuptohet se duhet kaluar ky variant i Demarkacionit”, ka deklaruar ai. Tahiri ka thënë se Qeveria e ka obligim ta sjellë Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës. “Qeveria e ka për obligim ta sjellë propozimin për ratifikim në Kuvend pa paragjykuar votimin i cili mbetet në ndërgjegjen e deputetëve”, ka shtuar Tahiri. Ai konsideron se opozita nuk duhet ta bllokojë seancën e Kuvendit me mbledhje të paligjshme por duhet të hyjë në proces votimi. “Duhet të hapet rruga ligjore, të shihet a votohet apo jo Demarkacioni e pas kësaj të ndërmerren hapat e mëtejmë institucionalë në zbatim apo në rivotim pas gjashtë muajsh apo të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare për Arbitrazh”, ka përfunduar Tahiri.
Analisti Imer Mushkolaj nuk beson se vizita e fundit e Mogherinit do të bëjë që opozita të ndërrojë mendje karshi Demarkacionit.“Po që se opozita nuk ka ndërruar mendje tash dy vjet, njësoj si Qeveria që ka vazhduar ta mbrojë versionin aktual të Demarkacionit, është pak e besueshme që gjërat do të ndryshojnë brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë ai. Tutje Mushkolaj vlerëson se fajtor që Demarkacioni ka mbetur një çështje e bllokuar është mungesa e vullnetit politik dhe arroganca e Mustafës. “Ka pasur kohë të mjaftueshme që problemi të zgjidhet, por inatet, mungesa e vullnetit politik dhe arroganca e shprehur nga kryeministri kanë bërë që çështja të mbetet e bllokuar”, ka potencuar ai. Sipas Mushkolajt, për fajin e politikës qytetarët kanë mbetur të izoluar.
“Klasa politike e ka sjellë vendin në një situatë mjaft të rëndë, duke mos qenë në gjendje që t’i japë zgjidhje një problemi si Demarkacioni, ndërkohë që për fajin e politikës qytetarët mbeten të izoluar dhe të pashpresë”, ka shtuar ai. Ndryshe, Mushkolaj deklaron se nëse Kosova nuk i plotëson kushtet që ua kanë caktuar pasojat do t’i vuajnë qytetarët e saj. “Kjo është çështje e Kosovës dhe po që se Kosova nuk i plotëson kushtet, pasojat do t'i bartin qytetarët e saj”, ka thënë Mushkolaj.
Shala: Kuvendi duhet ta rrëzojë draftin e Demarkacionit
Ndryshe, njohësi i çështjeve politike në vend, Krenar Shala, mendon që me vizitën e saj në Kosovë përfaqësuesja e lartë e BE-së ka kërkuar nga palët kosovare që të dakordohen për përfundimin e procesit të vizave.“Vizita e Mogherinit karakterizohet me kërkesën e saj për plotësimin e dy kushteve për liberalizim vizash. Kushti për miratimin e Demarkacionit nuk nënkupton miratimin e draftit aktual”, ka shtuar Shala. Sipas tij, Kuvendi duhet të rrëzojë draftin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit, në mënyrë që të dyja palët të bien në një vendim. “Mendoj që Kuvendi duhet ta rrëzojë draftin aktual në mënyrë që palët të mund ta rishikojnë këtë proces në mënyrë që Demarkacioni të jetë përfitues për të dyja palët”, ka përfunduar Shala. Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Haki Abazi, ka vlerësuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, përmes vizitës së saj ka përçuar dy mesazhe, luftimin e korrupsionit dhe arritjen e një kompromisi për Demarkacionin. “Në mesazhin e Mogherinit kushti numër një në liberalizimin e vizave është luftimi i krimit dhe korrupsioni dhe numër dy është Demarkacioni. Dhe e dyta është që Demarkacioni nuk është i ngrirë si proces por ka mundësi të arrihet kompromis duke arritur konsensus të brendshëm”, ka thënë Abazi. Sipas tij, Mogherini ka trashëguar një situatë të rëndë mbi supe shkaku i paaftësisë së institucioneve kosovare.“Mogherini ka trashëguar një situatë të rëndë dhe jokonstruktive që është krijuar si rezultat i paaftësisë së Kosovarëve për të krijuar agjendë zhvillimore dhe duke bërë politikë ad-hoc”, ka thënë ai.
Ndryshe, Abazi mendon se BE-ja do të duhej ta harxhonte gjithë energjinë në çështjen e demarkacionit. “Për Kosovën gjithashtu është e rëndësishme por nuk do të thotë që ndërlidhja e Demarkacionit me çështjen e liberalizmit është gjëja më konstruktive e harxhimit të energjive”, ka shtuar ai. Në fund ai ka thënë se nuk beson që mund të ketë zgjidhje për çështjen e demarkacionit. “Unë besoj që nuk mund të ketë zgjidhje për çështjen e demarkacionit përderisa është kjo qasje e njëanshme dhe jotransparente dhe në të njëjtën kohë cinike dhe aspak respektuese”, ka përfunduar ai.