Pajaziti: Gazi s’e ndal Demarkacionin!
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, është shprehur i vendosur se subjekti i tij politik do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme qendrore, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato. Me këtë rast, ai ka konsideruar se PDK-ja do të qeverisë vendin pas zgjedhjeve. Pajaziti në një intervistë për “Zërin” ka konsideruar se Marrëveshja e Demarkacionit nuk mund të ndalet me gazin e opozitës. Sipas tij, pa u ratifikuar kjo Marrëveshje Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave, kurse secili që mundohet ta pengojë këtë Marrëveshje, sipas tij, do të marrë përgjegjësi për të ardhmen.
Pajaziti tutje ka vlerësuar se sa më shpejt që kryhet çështja e demarkacionit, aq më shpejt mund të arrihet deri te liberalizimi i vizave.
“Sa më parë që ta kryejmë këtë obligim, aq më shpejt hapen rrugët për liri të lëvizjes dhe për të gjitha proceset tjera integruese drejt BE-së. Demarkacioni në momentin kur të vijë në Kuvend duhet trajtuar dhe konsiderojmë se duhet miratuar që t’i hapim derën perspektivës së vendit tonë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, ka thënë se PDK-ja vazhdimisht është duke biseduar me deputetët e tjerë të PDK-së, të cilët janë kundër kësaj marrëveshjeje.
“Ne vazhdimisht bisedojmë për çështje edhe më të vogla dhe natyrshëm se për një çështje kaq të rëndësishme bisedojmë dhe bëjmë përpjekje për të ardhur në përfundime të duhura. E thashë më lart se është në diskrecionin e secilit deputet se si do të votojë, por secili duhet t’i qesë në radhë të parë interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.
Kurse, duke folur për rezultatin e Komisionit për Matjen e Territorit, sipas së cilit Kosova nuk humb territor, Pajaziti ka vlerësuar se ky rezultat është plotësisht i besueshëm.
“Ne duhet të jemi të prirë që t’u besojmë mekanizmave shtetërorë, sepse si deputetë nuk jemi ekspertë të demarkacionit. U besoj komisioneve shtetërore dhe vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë”, ka shtuar deputeti i PDK-së.
PDK-ja do ta udhëheqë Qeverinë e ardhshme
Ndërkohë, duke folur për akuzën e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ditë më parë fajësoi kryeparlamentarin Kadri Veseli për mosratifikimin e Demarkacionit, Pajaziti ka thënë se tashmë nuk është koha ta sulmojnë njëri-tjetrin, porse të punojnë në këtë drejtim.
“Nuk është momenti t’ia bëjmë me gisht njëri- tjetrit. Është koha të jemi sa më bashkëpunues për ta arritur një përfundim të mirë. Ne si politikanë jemi dhe kemi obligim e përgjegjësi që të jemi të përgjegjshëm karshi qytetarëve dhe proceseve që na presin”, është shprehur ai gjatë intervistës.
E duke mos u përgjigjur në atë se a do të shkojë vendi në zgjedhje nëse nuk ratifikohet Demarkacioni, Pajaziti ka thënë se për çdo gjë do të vendoset me marrëveshje.
“Është hipotetike të konstatojmë se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin. Këtë vit vendi do të shkojë në zgjedhje lokale dhe besoj shumë se çdo zhvillim tjetër do ta ketë konsensusin politik në Kosovë”, ka thënë ai.
E pavarësisht këtyre, Pajaziti ka thënë se PDK-ja është e gatshme kurdoherë të hyjë në zgjedhje. Me këtë rast, partia më e madhe në vend aktualisht, sipas tij, do ta marrë postin e të parit të ekzekutivit dhe do ta qeverisë vendin pas zgjedhjeve të ardhshme.
“Natyrisht PDK-ja si subjekti më i madh në Kosovë gjithmonë është e përgatitur për procese politike dhe elektorale. Nëse krijohet një momentum i tillë ne jemi të gatshëm. Por, tani nuk është koha për agjenda elektorale. Është koha për reflektim shtetëror e kombëtar. Sa i përket pozitës së kryeministrit, natyrisht të gjitha subjektet synojnë këtë, por ne si partia e parë pas zgjedhjeve kurdo që mbahen, pa dyshim se do të udhëheqim me qeverinë e ardhshme”, ka përfunduar shefi i GP-së së PDK-së.
Gazi lotsjellës nuk e ndal Demarkacionin
Gjatë kësaj interviste, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka folur edhe për paralajmërimet e opozitës për gaz lotsjellës e tensione të tjera. Ai me këtë rast është shprehur i bindur se gazi nuk do të mund ta ndalë këtë Marrëveshje.
“Tashmë kjo nuk është diçka e re, opozita duhet ta ketë të qartë se proceset nuk mund t’i ndalë me gaz lotsjellës, por vetëm duke bindur deputetët se ata kanë të drejtë. Dhuna dhe gazi do të ishin armiku më i madh për Kosovën. Andaj, opozita duhet ta luajë rolin e saj konstruktiv në rrugën e Kosovës drejt integrimit dhe heqjes së izolimit që po i bëhet qytetarëve të Kosovës padrejtësisht”, ka theksuar ai.
Deputeti i PDK-së më tej ka vlerësuar se secili që e pengon procesin drejt liberalizimit do të marrë përgjegjësi për të ardhmen. Pavarësisht kësaj, Pajaziti ka konsideruar se këto kritere në të shumtën e rasteve janë vënë padrejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare, porse, sipas tij, secili deputet e politikan tjetër duhet përmbushur përgjegjësitë e veta.
Duke e përmendur Demarkacionin si kusht për liberalizim, ai ka thënë vendosur se nuk ka heqje vizash, po që se kjo Marrëveshje nuk ratifikohet.
“BE-ja ka thënë qartë, s’ka miratim të vizave nëse s’ka miratim të Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Pala malazeze e ka ratifikuar në Kuvend këtë marrëveshje dhe si e tillë ka tri zgjedhje. E para, të miratohet dhe të hapen dyert për Kosovën dhe qytetarët e saj. E dyta, të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar dhe të shtyhet për një kohë të pacaktuar liberalizimi i vizave dhe procesi integrimeve. E treta, të mos ratifikohet dhe të lihet pezull si problem dhe të izolohemi përfundimisht nga BE-ja”, ka theksuar ai.