Shqiptarët nuk kanë ku të kthehen, i shitën banesat në veri
Ndonëse i ishte bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një fond dhe t’i blejë vetë banesat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës për ta ndalur spastrimin etnik që e kryente Serbia duke i blerë shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, tashmë shqiptarët kanë shitur rreth 60 për qind të shtëpive dhe rreth 70 për qind të banesave të tyre në veri të saj, shkruan sot, gazeta Zeri.
Nga 500 banesa, sa janë evidencuar të uzurpuara nga serbët në veri të Mitrovicës, janë shitur rreth 70 për qind e tyre.
Shqiptarët e veriut të Mitrovicës, të dëbuar me dhunë nga banesat dhe pronat e tyre në veri të qytetit, të shumtën në shkurtin e vitit 2000, kur rreth 12 mijë shqiptarë u dëbuan nga pjesa veriore gjatë fushatës së egër të grupeve të serbëve, që udhëhiqeshin nga Oliver Ivanoviq, i dënuar me 9 vjet për “Krime lufte në Mitrovicë”, si dhe Dragan Delibashiq, i akuzuar për udhëheqjen e fushatës së dëbimit të shqiptarëve nga veriu, bashkë me Ivanoviqit, (gjatë kësaj fushate kriminale ishin vrarë 10 shqiptarë, 25 ishin plagosur, më shumë se 100 ishin keqtrajtuar mizorisht dhe janë dëbuar saktësisht 11.900 shqiptarë nga banesat e tyre), janë detyruar t’i shesin banesat e tyre, pasi që Qeveria e Kosovës dhe asnjë institucion tjetër nuk u ka ndihmuar të kthehen në banesat e tyre, edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës.
I shitën lirë pronat
Për banesat që i kanë shitur shqiptarët serbët nuk kanë paguar edhe shuma të mëdha parash, siç ishte rasti me shtëpitë që i blinte Qeveria e Serbisë, më së shumti që kanë paguar serbët për një banesë ka qenë 25 mijë euro, por ka të tillë që i kanë shituar banesat edhe për 16-17 mijë euro, varësisht nga madhësia e tyre.
“Nuk kemi mundur të presim më, i kemi shitur banesat, sepse askush nuk na ka ndhmu me u kthy atje. Këta të Qeverisë vetëm na thoshin rrini ju atje e në anën tjetër nuk kanë qenë të zotët të na ndihmojnë me asnjë cent. Kemi jetuar refugjatë në qytetin tonë, në kushte shumë të vështira të banimit, e kanë ditur për këtë punë edhe Komuna e Mitrovicës edhe Qeveria, të gjithë e kanë ditur. Ata atje në Prishtinë e kanë pasur mirë, kanë jetuar në bollëk, në banesa dhe shtëpi luksoze, e për neve nuk u ka hangër palla”, thotë njëri prej tyre, Muhedini, i cili shton se banesën e tij e ka shitur shumë lirë, rreth 19 mijë euro.
Gazmend Atiqi është një tjetër shqiptar, i cili pas një pritjeje të gjatë është detyruar ta shesë banesën e tij në veri, e cila ndodhet në një ndërtesë në cep të urës nga pjesa veriore.
Ai i ka thënë “Zërit” se prej aty ishte dëbuar dhe pastaj ishte vendosur një serb.
“Kaq afër kam qenë, vetëm me kalu urën e me shku në banesën time, por kurrë nuk kam mujt me dalë atje. I pata bërë kërkesë në Agjencinë Kosovare të Pronave që të ma lirojnë banesën, por ishte e kotë. Jetoja në kushte të rënda me gjithë familjen në jug, me qira dhe për të bërë zgjidhje janë detyruar ta shesë banesën në veri”, ka thënë ai.
Sikurse Gazmendi dhe Muhedini ka edhe shumë të tjerë, të cilët në pamundësi për të bërë zgjidhje, në pamundësi për t’u kthyer në banesat e veta janë detyruar t’i shesin ato.
Pronat e shqiptarëve, të blera nga qeveria e Serbisë
Nga 500 banesa që evidencoheshin të uzurpuara, tani nuk kanë mbetur më shumë se 150 banesa, të cilat nuk janë shitur dhe në të cilat edhe më tutje ndodhen familjet serbe.
Por shitja e pronave të shqiptarëve nuk është ndalur kurrë prej përfundimit të luftës.
Mbi 350 shtëpi dhe shumë më shumë banesa të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës qeveria e Serbisë i ka blerë duke u ofruar shuma marramendëse të parave.
Më së shumti shtëpi, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, shqiptarët i kanë shitur në “Lagjen e Boshnjakëve” mbi 120, por numër të madh të shtëpive të shqiptarëve qeveria serbe i ka blerë edhe në lagjet e tjera veriore me shuma marramendëse.
Shqiptarët e veriut thonë se janë shitur mbi 60 për qind e pronave të tyre në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët.
Në këtë mënyrë, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve Serbia bëri spastrimin etnik në veri të Mitrovicës.
Sipas shqiptarëve të veriut, pronat e tyre fillimisht shiteshin me ndërmjetësim të “matrapazëve dhe të avokatëve”, por në kohë të fundit pronarët e banesave dhe uzurpatorët shitblerjen e kanë kryer në mes vete, pa ndërmjetësues.
Ka raste që për një shtëpi Serbia ka paguar edhe 2 milionë euro, por ka raste që edhe pse serbët kanë ofruar shuma marramendëse të parave, shqiptarët nuk i kanë shitur (rasti i Ali Kadriut në lagjen “Kodra e Minatorëve”, të cili iu ofruan 1.8 milion euro).
Sipas burimeve të gazetës, se vetëm në “Lagjen e Boshnjakëve” qeveria serbe i ka blerë mbi 120 shtëpi, pastaj në zonën e “3 Soliterëve” dhe tutje në qendër janë shitur 10 shtëpi, në “Kroi i Vitakut” 10 shtëpi, në “Kodra e Minatorëve” rreth 80 shtëpi, pastaj në lagjen “7 Shtatori” dhe “Lagjen e doktorëve” rreth 130 shtëpi.
Një banor i lagjes “Kroi i Vitakut” i ka thënë gazetës “Zëri” se deri në vitin 2007 asnjë shqiptar nuk e ka shitur shtëpinë apo pronën e tij në veri të Mitrovicës.
“Kur qytetarët kanë parë se nuk kanë asnjë mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe kur kanë parë se Serbia po investon shuma të mëdha të mjeteve për serbët e pjesës veriore të Mitrovicës, atëherë kanë filluar t’i shesin shtëpitë dhe banesat. Shqiptarët nuk e kanë hetuar dorën e shtetit të vet në veri, asnjë ndihmë nuk e kanë pasur nga shteti”, ka thënë ai, pa dashur ta thotë emrin e tij.
Qeveria e Kosovës të krijojë fond të posaçëm
E kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se trendi i spastrimit etnik duhet të ndalet në atë mënyrë që Qeveria e Kosovës të krijojë fond të posaçëm dhe t’i blejë pronat e shqiptarëve. Ai këtë ide të tij e ka përsëritur shumë herë.
“Serbia nuk po ndalet së pastruari etnikisht lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, tani jo me largim të dhunshëm të shqiptarëve nga atje, por duke ndarë mjete të mëdha për blerjen e pronave të tyre, duke krijuar fonde të posaçme për këtë. Kjo tendencë e shtetit të Serbisë duhet të ndërpritet menjëherë. Duke qenë se institucionet lokale nuk mund ta bëjnë këtë, atë mund ta bëjnë Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera të nivelit qendror”, ka thënë Bahtiri, i cili ka ripërsëritur shumë herë se është
domosdoshme që Qeveria e Kosovës të sigurojë një fond të posaçëm në mënyrë që të blihen këto prona që kanë mbetur pa u shitur dhe në to të vendosen ato familje shqiptare, të cilat që nga ekstremistët serbë me dhunë janë dëbuar gjatë dhe pas lufte nga lagjet veriore.
Ndërkaq Halit Barani, kryetar i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, i ka thënë pak kohë më parë “Zërit” se në evidencat e KMDLNJ-së ka mbi 500 banesa të uzurpuara të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan.
Barani ka thënë se posedon me emrat e të gjithë uzurpatorëve serbë të banesave të shqiptarëve dhe se me këto të dhëna janë të informuara të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas tij, shumë banesa tashmë janë shitur.
“Tani sigurisht se nuk janë aq banesa të uzurpuara, pasi pronarët shqiptarë i kanë shitur fshehtas. Ata sigurisht që janë paguar mirë nga uzurpatorët serbë, të cilët janë krijuar nga qeveria e Serbisë, e cila ka dhënë shuma të mëdha të mjeteve për t’i blerë banesat dhe shtëpitë e shqiptarëve në veri, krejt me qëllim të spastrimit etnik të asaj pjese”, ka thënë Barani.
Në anën tjetër, shqiptarët e veriut të Mitrovicës nuk e kanë pritur mirë apelin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili u ka bërë thirrje shqiptarëve të veriut që të mos ua shesin pronat e tyre serbëve.
Ata thonë se çdo përpjekje për t’u kthyer prapa është e vonë, pasi që shumë shtëpi e banesa tashmë janë shitur, derisa Qeveria dhe asnjë institucion tjetër i Kosovës nuk ka bërë përpjekje për ta penguar shitjen.