Fletarrestet, provokime të Serbisë

Aktuale January 06, 2017 - 08:14

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, konsideron se me fletarrestet e fundit, Serbia e ka dëmtuar në masë të madhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në Bruksel. Në intervistën dhënë “Zërit”, ajo kërkon që kundër Serbisë të aplikohen masa reciproke, përfshirë edhe këta me fletarrestime.

Sipas Tahirit, Serbia nuk ka pranuar asnjëherë që temë diskutimi në Bruksel të jetë çështja e fletarrestimeve. Siç deklaroi Tahiri, arrestimi i Ramush Haradinajt mund të nxisë tensione ndërmjet dy shteteve, ndërsa Serbinë ajo e quan si Kalë të Trojës, të cilën Rusia e ka futur në Ballkan për nxitje konfliktesh.

Ndërsa sa i përket murit ilegal, ajo thotë se muri do të shembet deri në fund të këtij muaji, pasi që “një gjë të tillë nuk e duan as serbët në veri”.

Kurse vonesën e praktikumit të marrëveshjes për letërngjitës, Tahiri e quan si kompetencë të koalicionit qeverisës.

Zëri : Autoritet franceze kanë arrestuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në bazë të një fletarresti të Serbisë. A keni diskutuar ndonjëherë deri më tani për fletarreste të tilla?

Tahiri: Në fakt, që nga viti 2011 ka pasur edhe raste të tjera, ku në bazë të fletarresteve të tilla kanë ndalur politikanë që kanë qenë udhëheqës në luftën çlirimtare. Ne kemi kërkuar që kjo temë të bëhet pjesë e bisedimeve, mirëpo Serbia nuk e ka pranuar që kjo të bisedohet në Bruksel. Dhe për t’u bërë një temë pjesë e bisedimeve, duhet dy palët të pajtohen, andaj nuk kemi mundur që të imponojmë temën, sepse Serbia nuk e ka pranuar. Prandaj edhe unë po them, për ta detyruar Serbinë që të ndalë këto veprime destruktive, apo të pranojë temën në Bruksel, për këtë çështje duhet ne të veprojmë me masa reciproke.

Zëri: Ju i keni dërguar Bashkimit Evropian (BE) një kërkesë ku keni kërkuar të lirohet kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. A keni marrë përgjigje nga BE-ja karshi kërkesës suaj?

Tahiri: Ne iu jemi drejtuar menjëherë dje BE-së në momentin që morëm lajmin për ndalesën e kreut të AAK-së, zotit Haradinaj. Në letrën tonë kemi shprehur qëndrimet e Qeverisë se ky akt që është bërë nga Serbia, është një akti i padrejtë dhe i papranueshëm, meqenëse Serbia nuk ka juridiksion ndaj shtetit të Kosovës, por Serbia i bën këto shkelje edhe ndaj tjerëve, siç ka bërë edhe ndaj Kroacisë.

Ne kemi kërkuar që BE-ja të shfrytëzojë mekanizmin e dialogut që është kushtëzim për Serbinë dhe të angazhohet për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj.

Bashkimi Evropian që në mëngjes ka kontaktuar me neve me telefon dhe na ka siguruar që BE-ja po bën gjitha përpjekjet në komunikim me palën serbe, pra që kjo çështje të zgjidhet si dhe është kërkuar që t’i tërheqin jo vetëm këto fletarreste por të gjitha që i kanë në këtë drejtim.

Ndërsa qëndrimi im dhe i Qeverisë është që Serbia është ajo që ka bërë gjenocid dhe luftë në Kosovë dhe krime kundër njerëzimit dhe që ne duhet ta zbatojmë reciprocitetin, sepse luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pra kanë mbrojtur vendin,  dhe është Serbia përgjegjëse për luftërat jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe në Kroaci.

Zëri: Të akuzuar nga Serbia janë edhe presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli... Pse këta të fundit nuk po arrestohen nga autoritetet policore evropiane, por z. Haradinaj?

Tahiri: Kjo pyetje nuk është për mua se unë nuk jam nga fusha e drejtësisë, unë nuk jam ajo që i shikoj proceset me paragjykime, por këtu janë kompetente organet e drejtësisë për të dhënë përgjigje, ata mund të kenë informacione më të plota.

Zëri: Opozita ka kërkesë që të ndërpritet dialogu me Serbinë për shkak të këtyre arrestimeve. A ka gjasë që të ndodhë një gjë e tillë?

Tahiri: Është fakt që Serbia e ka dëmtuar dialogun për fqinjësi të mirë dhe për paqe në rajon, që zhvillohet në Bruksel, me faktin që në periudhën e fundit kemi pasur provokime të njëpasnjëshme që kanë filluar me murin ilegal, pastaj ka pasur reagime verbale kundër vendosjes së objektit të Qeverisë në veri të Kosovës që është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Vetë Serbia e ka nënshkruar marrëveshjen dhe vetë pastaj e kundërshton. Pastaj kemi ndalesën e z. Haradinaj, që tregon se Serbia është në një fazë të destrukcioneve dhe ndoshta qëllimshëm dëshiron ta dëmtojë këtë dialog e prandaj ne kemi kërkuar edhe nga BE-ja edhe nga partnerët amerikanë dhe pro perëndimor që seriozisht të merren me çështjen e Serbisë dhe sjelljen e saj në raport me obligimet e  dialogut. Serbia në një mënyrë po e luan rolin e një kali të Trojës së Rusisë në Ballkan, vetëm Rusia është ajo që me pretendime të Agjendave gjeopolitike po pretendon rikthim të ndikimit në Ballkan.

Por mund t’u them se do të jetë edhe Serbia humbëse në këtë çështje, sepse të gjitha shtetet e Ballkanit properëndimor janë të qarta në orientimin properëndimor, dhe ne vetëm pranojmë të jemi në kontekstin euro-atlantik.

Ndërsa ne Kosova, kemi aleancën kryesore me SHBA- në dhe me partnerët evropianë, prandaj çdo pretendim i Serbisë i infektuar ndoshta nga Moska do të jetë i dështuar.

Zëri: A ekziston mundësia që bisedimet të ndërpriten me dëshirë të anës kosovare?

Tahiri: Sa i takon çështjes së ardhmërisë së dialogut, këto veprime destruktive të njëpasnjëshme të Serbisë janë një shqetësim i madh për të cilin sigurisht instancat më të larta shtetërore do të reflektojnë dhe në bazë të qëndrimeve të tyre ne do të bëjmë publike qëndrimin.

Zëri: Kur do të rrënohet muri në Mitrovicë, bazuar edhe në rezolutën e fundit të Kuvendit të Kosovës?

Tahiri: Është më rëndësi që në momentin kur ky mur ilegal është shfaqur, është evidentuar se është bërë nga Serbia. Muri asnjëherë nuk ka qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje në Bruksel dhe tregon që Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit. Qëndrimet shtetërore të Kosovës janë që muri do të hiqet dhe sipas rezolutës së Kuvendit, duhet të hiqet deri në fund të janarit. Prandaj në kuadër të këtij fokusi, institucionet më të larta shtetërore po punojnë që brenda janarit muri do të shembet.

Zëri: A mund të nxiten trazira në veri për shkak të rrënimit të murit dhe si do të reagojnë autoritet kosovare?

Tahiri: Nuk mund të ngrihen tensione sepse edhe vetë serbët e Kosovës nuk e dëshirojnë murin. Gjithë janë për lëvizje të lirë. Çdo qytetar, edhe shqiptarët edhe serbët, por edhe  komunitetet tjera kërkojnë një jetë të qetë, një lëvizje të lirë. Ndoshta e keni parë edhe reagimet e qytetarëve të komunitetit serb, nuk e duan këtë mur dhe asnjë mur tjetër.

E mos flasim se ne si shqiptarë kemi një irritim nga muret sepse kemi pasur murin e Berlinit shqiptar gati një shekull, prandaj nuk i durojmë ne muret si shqiptarë dhe do të hiqet, dhe themelet e Kushtetutës së Kosovës janë thellësisht demokratike. Pra janë në mbrojtje të lëvizjes së lirë, dhe muret janë kundër lëvizjes së lirë.

Zëri : Ministri Hoxhaj ka paralajmëruar se në bisedimet me palën serbe në Bruksel do të përfshihen edhe përfaqësues të Luginës së Preshevës. A ka gjasë që kjo të ndodhë dhe a do të pranojnë ndërkombëtarët që të bisedohet për Luginën?

Tahiri: Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë me të vërtetë në një diskriminim sistematik nga Serbia. Të drejtat e tyre jo vetëm që po shkelen, por mirëqenia e tyre është cenuar dhe perspektiva e tyre është e mbyllur. Një pjesë e madhe po largohen dhe janë bartur edhe në Kosovë.

Ne vazhdimisht, jo vetëm Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë kanë ngritur zërin pranë Serbisë dhe BE-së, që Serbia t’i ndalë politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Fundja vetë Serbia kërkon që të respektohen të drejtat e serbëve që i ka nëpër shtete tjera dhe nuk është në gjendje që vetë t’i zbatojë të drejta e minoriteteve, veçmas të shqiptarëve. E dyta e kam dëgjuar edhe deklaratën e z. Hoxhaj, edhe nga fillimi i dialogut autoritet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë kërkuar që të jetë në dialog . Por, në atë kohë kemi vlerësuar se është dialog mes dy shteteve dhe autoritet shtetërore bëjnë dialog në Bruksel me intervenimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Tani kjo ide që ka ardhur nga z. Hoxhaj duhet të diskutohet nga instancat më të larta  shtetërore dhe pas asaj do të ketë edhe qëndrime për këtë çështje.

Zëri: Marrëveshja për lëvizjen e lirë është arritur në shtator të 2016-ës, ndërsa ende nuk ka filluar të zbatohet pasi që pala kosovare s’i ka siguruar letërngjitësit. A është ky një joseriozitet shtetëror, kur dihet se pala serbe është shprehur e gatshme prej 15 nëntorit ta zbatojë marrëveshjen?

Tahiri: E para, është shumë më rëndësi që është mbërritur marrëveshja për reciprocitet dhe njohjen e tabelave mes dyja shteteve në një formulë të letërngjitësve të ngjashëm siç është rasti me Maqedoninë dhe Greqinë, megjithëse aty vetëm Greqia aplikon letërngjitës, ndërsa në rastin tonë është simetrik, të dyja shtetet aplikojnë letërngjitës dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Politikisht, kjo është njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë në fushën e tabelave të automjeteve. Por është e vërtetë, se ne po presim vendimin e qeverisë, ku duhet koalicioni të vendosë, më pastaj Ministria e Brendshme (MP), mund të zbatojë vendimet për prodhimin e letërngjitësve. Është e vërtetë që pak jemi vonuar, por kur e shohim sa shumë ka vonuar marrëveshjen.

.Zëri: D.m.th, vlerësoni se praktikimi i marrëveshjes për letërngjitës është vonesë politike?

Tahiri: Është vonesë politike, por nuk është shumë e madhe, dy-tre muaj në raport me  gjashtë vjetshin e kodit telefonik nga ana e Serbisë, pastaj Serbia mban të bllokuar energjinë, pavarësimin e KOSTIT. Janë shumë marrëveshje tjera që Serbia i ka vonuar jo me muaj, por vite, mandej edhe i ka shkelur, siç është shkelur marrëveshja për rivitalizimin e marrëveshjes për urën me ndërtimin e murit ilegal etj. Pra në raport me Serbinë ne jemi shumë palë efektive në Bruksel dhe për këtë jemi shpërblyer edhe nga Brukseli me Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit, d.m.th ne vlerësohemi nga BE-ja si një palë e cila me përpikëri dhe me shpejtësi i zbaton obligimet e dialogut në Bruksel.