Azem Syla e ndërron avokatin, tash mbrohet nga Këshilltari i Kryeministrit

Aktuale December 02, 2016 - 14:49

Këshilltar i Jashtëm i Kryeministrit për Çështje të Drejtësisë, avokati Besnik Berisha është angazhuar të jetë mbrojtës i Azem Sylës, njeriut kryesor që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur zyrtarisht dyshimet për udhëheqje dhe organizim të një grupi kriminal që përvetësuan prona dhe shpërlanë para, për vite të tëra pas luftës së fundit në Kosovë. Deri me tash, Syla mbrohej nga avokati Tomë Gashi, që dikur mbante post të ngjashëm me kolegun e tij Berisha, gjatë qeverisë ‘Hashim Thaçi 1’.  

Azem Syla dhe grupi tjetër i të akuzuarve për përvetësim dhe shitje të disa hektarëve tokë në Çagllavicë të komunës së Graçanicës, gjatë 10  vjetëve të fundit, si dhe shpëlarje parash, pas 10 ditësh ulen në bankat e të akuzuarve në Gjykatën Themelorë të Prishtinës, për shqyrtim fillestar të aktakuzës që u ngrit para verës së këtij viti. 

Por, përkrah Azem Sylës që gjykata e konsideron se njeriun kryesor të grupit të të akuzuarve në rastin ‘Toka’, kësaj here nuk do t’i ulet Avokati Tomë Gashi për ta mbrojtur para trupit gjykues. 

Ish-këshilltarin e Hashim Thaçit, gjatë mandatit të parë të tij si kryeministër i vendit, ‘Komandanti i Çagllavicës’ e ka zëvendësuar me këshilltarin aktual për drejtësi të Isa Mustafës.

Besnik Berisha është angazhuar tash e sa ditë si mbrojtës i Sylës. Këtë e ka konfirmuar vetë avokati.

“Po unë jam autorizuar për me mbrojte Azem Sylen. Unë tash jam avokat i tij”, tha Berisha për Gazetën Express.

Ai bëri të ditur, po ashtu, se seanca e parë fillestare është caktuar për 12 dhe 13 të këtij muaji. Image

këshilltari i Kryeministrit Mustafa, nuk është hera e parë që merr të mbrojë të akuzuar në raste të mëdha të cilave shefi i tij, kryeministri i vendit, vazhdimisht është zotuar se do t’i luftojë. 

Berisha, në prill të këtij viti ishte angazhuar edhe si avokat mbrojtës i biznesmenit pejan, Fatos Rizvanolli, që Gjykata Themelore e Ferizajt po e gjykon, pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, si i dyshuar si financues kryesorë të terrorizmit në vend. 

Po ashtu, i njëjti avokat, përkundër se këshillon kryeministrin Mustafa, kishte mbrojtur edhe djalin e këtij të fundit, Besnik Mustafës që akuzohej për shpërdorim të autorizimit. Gjithashtu, Naser Kelmendin që gjykohet për vrasje, krim të organizuar dhe trafikim ndërkombëtar të drogës.

Madje, avokati Berisha ishte angazhuar ta mbronte edhe një biznesmen gjakovar që Prokuroria Speciale, vitin e kaluar, kishte ngritur aktakuzë për dyshimet se kishte urdhëruar ta vriste kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.