Mustafa tregon ndryshimet në Projektligjin për Trepçën

Mustafa tregon ndryshimet në Projektligjin për Trepçën

Aktuale tetor 08, 2016 - 00:37

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka paraqitur ndryshimet që janë bërë në Projektligjin për Trepçën. Ka thënë se nuk është ndryshuar thelbi i Ligjit.

Ka thënë se është shtuar roli i Kuvendit të Kosovës në Projektligj.

“Në tri amendamente kemi forcuar rolin e Kuvendit. Aksionarët nuk mund ta aprovojnë statusin e tyre pa miratimin e Kuvendit. Gjithashtu, është me rëndësi se në pikën tjetër Kuvendi duhet të japë pëlqimin lidhur me shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe tjetërsimin e aseteve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se shpërndarja e aksioneve nga “Trepça SHA” do të përcaktohet me një akt nënligjor.

“Jemi marrë gjithashtu me mbetjet teknologjike, të cilat Trepça do t’i trajtojë në bazë të parametrave mjedisorë dhe të studimit të fizibilitetit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se është diskutuar edhe për asetet e Trepçës jashtë Kosovës.

“Ne kemi obliguar AKP-në që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e pasurisë së Trepçës jashtë Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Teksa ka folur për atmosferën e punës në Komision, e cila zgjati më shumë se katër orë Mustafa ka thënë se ka qenë atmosferë e mirë pune.

“Shprehim keqardhje që Sasha Milosaljeviq nuk erdhi në Komision. Ne ishim të gatshëm që me durim t’i diskutojmë amendamentet e Listës Serbe. I kemi dhënë gjithkujt mundësinë që të flasë, ka qenë një atmosferë e mirë e punës”, ka thënë Mustafa.