Ymeri: Thaçi e ka pranuar se shqiptarët kanë ushtruar terror gjatë luftës

Ymeri: Thaçi e ka pranuar se shqiptarët kanë ushtruar terror gjatë luftës

Aktuale September 17, 2016 - 22:46

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se nuk është befasuar aspak nga deklarata e Presidentit të Kosovës, kundër protestës së studentëve tek objekti kishtar ortodoks në Kampusin e Universitetit, sepse, sipas Ymerit, Thaçi e ka pranuar edhe se shqiptarët kanë ushtruar terror në luftën e fundit.

Ky është postimi i plotë i tij: 

Objekti kishtar i ndërtuar në hapësirën universitare në Prishtinë, dhe i inauguruar në janar të vitit 1999 është simbol i regjimit okupator, fashist e gjenocidal të Millosheviqit dhe shtetit të Serbisë.

Ky objekt nuk mund të ndahet nga ajo çfarë ai përfaqëson, nga ajo që është synuar të përfaqësojë - hegjemoninë dhe gjithëpushtetshmërinë e Serbisë dhe kriminelëve të Millosheviqit në Kosovë të vendosur kundër vatrës së rezistencës dhe luftës për çlirim kombëtar të shqiptarëve që simbolizohej me Universitetin.

Pra, i ashtuquajturi President, i votuar nën masa të dhunshme, Hashim Thaçi, tash drejtpërdrejt po i del në mbrojtje pikërisht këtij narracioni të Millosheviqit (aq më tepër kur, përkundër të vërtetës, e arsyeton sulmin e tij ndaj studentëve protestues me narracionin e rremë të regjimit të Serbisë).

A të çuditemi? Do të çuditesha po të vepronte ndryshe. Njeriu që e pranon se në Kosovë gjatë luftës shqiptarët kanë ushtruar terror, natyrisht se insiston që simboli i hegjemonisë së Serbisë të mos preket. Problemi është se ky njeri e ka zaptuar postin e Presidentit të Republikës.