Infektuar: 101517
Shëruar: 87012
Vdekur: 2072
Krasniqi: Situata politike e tensionuar
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Situata politike e tensionuar

Aktuale August 22, 2016 - 08:46

Krerët e institucioneve më të larta duhet të dalin nga pozicionet e tyre të barrikaduara për t’i lënë hapësirë një zgjidhjeje të duhur politike për Demarkacionin dhe Asociacionin. Rrjedhimisht edhe Komisioni qeveritar për shënjimin e kufirit duhet të shpërbëhet për t’i lënë vend krijimit të një komisioni të ri me ekspertë të pavarur. Kështu ka deklaruan në intervistën dhënë “Zërit” lideri i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, i cili situatën aktuale politike e sheh shumë të komplikuar.

Ndërkohë duke folur për tensionimin e situatës, ai ka thënë se gjuha e përdorur nga krerët e shtetit dhe angazhimi i tyre që demarkacioni të ratifikohet kështu si është, për të dyshuar se ata po mbrojnë interesa të tyre personale e jo interesat e vendit.“Kjo bindje e krijuar, pa dyshim që ndikon në ngritjen e tensioneve”, ka thënë Krasniqi, ish-kryeparlamentar i Kosovës në dy legjislatura.

Ndërsa sa i përket vizitës së nënkryetarit të SHBA-së, Joe Biden, Krasniqi ka thënë se ishte shumë e rëndësishme goditja e korrupsionit që ai e bëri në fjalimin e tij.

Ndër të tjera Krasniqi ka folur edhe për aferën “Pronto II”, deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe opsionet e Kosovës në situatën në të cilën është tani.

Zëri: Z. Krasniqi, Marrëveshja me Malin e Zi për shënjimin e kufirit po vazhdon të ndajë në dysh spektrin politik kosovar për arsye tashmë të njohura. A ka zgjidhje kjo situatë dhe cila mund të jetë ajo, sipas jush?

Krasniqi: Në politikë është si në matematikë, çdo problem i shtruar për zgjidhje edhe më i vështiri e ka zgjidhjen adekuate dhe të saktë, por kërkohet dije për ta gjetur zgjidhjen e duhur.  Bile në matematikë edhe rruga e gabuar për të shkuar te rezultati përfundimtar është njëfarë zgjidhje, është një rrugë që nuk duhet ndjekur për të shkuar të zgjedhja e duhur. Në rastin tonë, problemi është politik, sigurisht që ka zgjidhje dhe të lehtë bile, por duhet pasur vullnet politik për të shkuar te zgjidhja, veçse nuk duhet ecur në rrugën e deritashme. Për të ndodhur zgjidhja e duhur politike, krerët e institucioneve më të larta të shtetit nuk do të duhej të ishin në pozicionet e barrikaduara. Ato pozicione janë të gabuara dhe si të tilla nuk po premtojnë zgjidhje që i duhet vendit tonë. Zgjidhja më e lehtë do të ishte: shpërndarja e Komisionit qeveritar dhe formimi i një Komisioni të ri, ku do të kyçeshin edhe ekspertët e pavarur. Natyrisht kjo të bëhej edhe me miratimin e opozitës e cila së bashku me ekspertët e pavarur kanë ofruar dëshmi të bollshme që demarkacioni të rishikohet nga fillimi ose të shkohej drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje nga Gjykata e Arbitrazhit, por edhe për këtë duhet pasur konsensus nacional.

Zëri: A e ndjeni sikur situata është tensionuar së fundmi dhe a ka rrezik për ndonjë eskalim të situatës?

Krasniqi: Situata i ka të gjitha mundësitë që të tensionohet dhe në rend të parë për shkak të krerëve të institucioneve më të larta të shtetit të cilët kanë zgjedhur një gjuhë të ashpër të komunikimit jo vetëm me opozitën dhe ekspertët, por edhe me deputetët e partive të tyre që nuk janë për ratifikimin e Demarkacionit sipas Komisionit qeveritar. Gjuha e përdorur nga krerët e shtetit dhe angazhimi i tyre që demarkacioni të ratifikohet kështu si është, lë për të dyshuar shumë. Lë për të dyshuar se ata po mbrojnë interesa të tyre personale e jo interesat e vendit. Kjo bindje e krijuar, pa dyshim që ndikon në ngritjen e tensioneve. Ndërsa në Kosovë kemi nevojë për ulje të tensioneve.Zëri: Demarkacionin po e mbështesin edhe ambasadorët e huaj në vend, ndërsa edhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha se edhe kjo Marrëveshje duhet të përfundohet. A do të thotë diçka ky “insistim” edhe i ndërkombëtarëve karshi këtij problemi? A mund të ndryshoni qëndrim në këtë drejtim?

Krasniqi: Të jemi të saktë, demarkacioni nuk po mbështetet nga të gjithë ambasadorët. P.sh. nuk po mbështetet nga ai i Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkaq, nënpresidenti Biden tha që marrëveshja duhet të përfundohet. Konsideroj që të gjithë në Kosovë janë që marrëveshja të përfundohet dhe duhet të përfundohet, por jo kështu si është. Faktet e ofruara nga ekspertët e pavarur duhet të trajtohen seriozisht dhe jo të injorohen. Nëse nuk ndodh kjo, duhet të ndërpritet çdo ndikim apo presion mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës që ata ta votojnë ratifikimin e Demarkacionit. Qëndrimi i opozitës dhe i ekspertëve duhet dhe mund të ndryshojë vetëm pas një rivlerësimi serioz, por jo kështu si po veprojnë kryetari dhe kryeministri i vendit.

Zëri: Si e patë ju në përgjithësi vizitën e zëvendëspresidentit amerikan. Një kohë të mirë të fjalimit të tij ia kushtoi edhe korrupsionit dhe shtetit të së drejtës. Mirëpo, foli edhe për ndalimin e dhunës në Kuvend? 

Krasniqi: Vizita e nënpresidentit Biden edhe pse kishte elemente të një vizite familjare, për vendin tonë ishte një vizitë shumë e rëndësishme dhe kishte porosi të qarta politike për njerëzit e pushtetit. Nëse i bëjmë një krahasim sesi ai u mor me problemet që i ka Kosova, konsideroj që dominoi problemi i shtetit të së drejtës dhe krimi e korrupsioni. Madje kjo nuk është diçka e re që vjen nga SHBA-të. Dhe për këto çështje askush nuk janë më përgjegjës sesa krerët e koalicionit qeverisës. Nuk ka asnjë dyshim që mjetet që janë përdorur në Kuvend, nuk kanë qenë demokratike, por ajo formë është imponuar në masë të madhe nga arroganca e numrave e përdorur shumë nga krerët e shtetit. Për çështjet që i ka kundërshtuar opozita është dashur të gjendej një konsensus nacional. Madje kundërshtimi ka ardhur edhe në forma të tjera demokratike, si peticioni i mbi 200.000 qytetarëve dhe i disa protestave qytetare ku kanë marrë pjesë qindra-mijëra qytetarë. Por, ndaj këtyre reagimeve demokratike, reagimet e qeveritarëve kanë qenë shumë arrogante.

Zëri: Në fjalën e tij presidenti Thaçi tha se pajtimi me Serbinë do të ndodhë së shpejti, ndërsa ripërsëriti qëndrimin e tij rreth marrëveshjeve të drejta rreth Demarkacionit dhe Asociacionit. Çka mendoni rreth këtyre çështjeve? A pritet pajtimi me Serbinë së shpejti?

Krasniqi: Ne, ka vite që jemi mësuar nga sihariqe të tilla, së paku që nga viti 2012/2013, por ndryshime më shumë se minore ka në horizont. Thaçi po e mbron demarkacionin pasi Marrëveshjen e ka nënshkruar ai dhe në fakt ai po e mbron veten e tij. Duhet njeriu të jetë i verbër që deklaratat e tij dhe të kryeministrit të merren seriozisht. Po të kishim një komunikim ndryshe me Serbinë gjatë këtyre viteve, të përgatitur e me aktorë të tjerë, shanset për një progres do të ishin më të mëdha. Bisedimet e Brukselit që janë udhëhequr nga këta njerëz, kanë qenë e janë shumë komprometuese për Kosovën.

Zëri: Para një jave u bë edhe takimi i parë i liderëve partiakë, ku ishte folur për situatën aktuale politike në vend. U përmend edhe gjetja e një konsensusi të mundshëm. A është i mundur konsensusi në këtë situatë?

Krasniqi;  Mënyra sesi po komunikojnë në opinion e me opinionin krerët e shtetit, vërtet nuk po lë hapësirë për të shikuar me optimizëm mundësinë e një konsensusi. Nuk ka konsensus aty ku thuhet: “Daje si ta dash, livadhin lema mua”!Zëri: Më 1 shtator është caktuar data kur në Kuvendin e Kosovës do të shkojë për ratifikim Marrëveshja për Demarkacionin. Çka nëse ratifikimi bëhet dhe Demarkacioni kalon?

Krasniqi: Ratifikimi i Demarkacionit kështu si është në asnjë mënyrë nuk duhet të kalojë, pasi polarizimi është tepër i madh. Ratifikimi duhet të zvogëlojë probleme dhe jo të krijojë probleme të paparashikueshme. Çdo përshkallëzim i mundshëm, përgjegjës do t’i bënte krerët e shtetit. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë.

Zëri: Së fundmi ka ndodhur edhe afera e përgjimeve “Pronto II”. Si po i shihni ju këto publikime?

Krasniqi: Për mua personalisht, nuk me kanë sjellë ndonjë risi të panjohur, pasi konsideroj që nga ajo metodë e punës jam distancuar përpara së të fillonte kjo që po e dëgjojmë në këto përgjime. Madje këtë që po e them e kanë konfirmuar si “Pronto 1” e po ashtu edhe dyshi (2). Shkurt, kjo po e tregon mjerimin tonë si shoqëri dhe askush nga ne nuk mund të ndjehemi mirë. Por, një gjë është më se e domosdoshme: Që të shkëputemi sa më parë nga kjo rrugë e të qeverisurit dhe e të bërit shtet! Kështu as qeveriset e as bëhet shteti! Ketë logjikë të veprimit, ndoshta mund ta ndërpresin vetëm zgjedhjet e reja. Madje as këtu nuk kam shumë siguri! Po me duket se virusi i pandjesisë qytetare e ka gozhduar keq shoqërinë tonë në këtë formë mendimi e veprimi!

Zëri: Cilat janë opsionet për dalje nga situata?

Krasniqi: Kosova, vërtet është në një udhëkryq nga i cili nuk duhet të ngutemi të marrim drejtim. Ka shumë mjegulli! Një gjë jam shumë i sigurt. Drejtimin e duhur këtij vendi nuk mund t’ia ofrojnë ata që e kanë shkaktuar këtë gjendje! Ndoshta opsioni më i mirë janë zgjedhjet e reja të parakohshme, por nuk e di, sa shoqëria jonë është e pjekur për të marrë një rrugë të re që do të sillte ndryshimin. Po dua të besoj e shpresoj që ky vend ka njerëz që e duan dhe vetëm ata do t’ia dhënë drejtimin e duhur. Shpresat te të tjerët në këto 17 vjet lirie e pavarësie, nuk na kanë dhënë ndonjë rezultat! Se a do ta bëjmë apo s’do ta bëjmë këtë shtet, përgjegjësia është e jona, e shqiptarëve! Unë i besoj shqiptarizmit! U frikësohem shumë mohësve të shqiptarizmit, të cilët jo pak herë na kanë penguar të ecurit tonë si komb në drejtimin e duhur!