Zgjedhjet lokale 2017

Rugova e Dreshaj bëjnë thirrje të ruhet vota më 17 dhjetor

Rugova e Dreshaj bëjnë thirrje të ruhet vota më 17 dhjetor
03 dhjetor 2017 • 15 : 45

Pas numërimit të votave me kusht dhe me postë në Istog u përmbys rezultati dhe fitues doli Gani Dreshaj. Por, pas ankesave të LDK-së për manipulim të votave, Gjykata Supreme mori vendim që ky qytet të shkojë në rivotim. Raundi i tretë i zgjedhjeve do të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Haki Rugovës dhe atij të AAK-së, Gani Dreshajt. Të dy kandidatët kanë kërkuar që të ruhet vota, të mos ketë manipulime, si dhe të dy besojnë në fitore.

Kryetari aktual i Istogut, Haki Rugova ka konfirmuar se do të vazhdojë fushatën elektorale për Istogun, për shkak se, siç thotë, ky qytet nuk e ha pazarin me vota të manipuluara. Ai beson se do ta fitojë edhe një mandat, ndërsa ka paralajmëruar padi ndaj kundërkandidatit Gani Dreshaj për shpifje dhe manipulime.

Në një bisedë për Gazetën Express, Rugova thotë se KQZ-ja duhet të verifikojë listën e personave që kanë votuar me postë, në mënyrë që të mos keqpërdoret vota e qytetarëve. Ai konsideron se raundi i tretë i zgjedhjeve është padrejtësi ndaj qytetarëve, të cilët nuk kanë faj.

Ndërkaq, kanidiati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, u ka bërë thirrje istogasve që të dalin sa më shumë në votim, meqë sipas tij, 4 minuta për të dhënë votën vendosin për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme.

“Jam i bindur në fitore bindëse sepse në Istog nevoja për ndryshim eshte shume e madhe. I bëj thirrje te gjitha organeve për mbarëvajtjen e mirëfillte të zgjedhjeve pasi nuk bën më të përseritet ndalja e rrymës, shantazhi ndaj votuesve dhe vjedhja e votave”, ka thënë Dreshaj për Indeksonline.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Istogut Haki Rugova thotë se fushata elektorale për këtë qytet do të vazhdojë dhe se të gjitha premtimet e dhëna do të realizohen. Ai porosit se Istogu nuk e ha pazarin që të fitohen zgjedhjet me vota të manipuluara, ndërsa hap dyshimet se manipulimet janë të organizuara edhe në qarqe ndërshtetërore.

“Çështje të manipuluara, si shifra, ku një kandidat me vota tërësisht të manipuluara tenton me i fitu zgjedhjet, Istogu nuk e han atë pazar. Kjo nuk është e organizume vetëm këtu, por është e organizuar edhe në qarqe më të larta, ndoshta edhe ndërshtetërore. Të shohim tash, një lëndë e tillë është në prokurorinë e shtetit dhe prokurorët duhet të merren me këto çështje, duhet të merren edhe me të gjitha ato shpifje që kanë ndodh në të gjitha periudhat kohore prej fillimit të fushatës ”, shprehet Rugova.

Kandidati i LDK-së ka paralajmëruar edhe padi ndaj kundërkandidatit të tij, Gani Dreshajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dezinformata dhe shpifje ndaj tij.

“Gjithsesi unë do të ushtroj edhe padi private në kuptimin edhe familjar, ndaj Gani Dreshajt dhe të tjerëve të cilët përhapin dezinfomata dhe shpifje dhe dalin në terren dhe manipulojnë me njerëz në format më të këqija e më të vrazhda”, tha Rugova për Express.

I pyetur se a i synon votat me postë, Rugova tha se KQZ-ja duhet të verifikojë listën në mënyrë që të mos manipulohet me vota të njerëzve të cilët janë edhe të vdekur.

Rugova tha se edhe në qoftë se përsëriten edhe më shumë zgjedhjet prapë do të dalë fitues.

“Jo veç këtë raund po le të përseriten kemi organizimin partiak dhe presim fitore”, tha Rugova.

Ndërsa, Dreshaj shkuarjen në rivotim e cilëson padrejtësi mirëpo beson se më 17 dhjetor do të dalë fitues.

“Në Istog zgjedhjet e 22 tetorit dhe 19 nëntorit shumica ka votuar për ndryshim. Pavarësisht padrejtësive në këtë proces dhe vendimeve që për mua kanë qenë skandaloze pasi është mohuar fitorja jonë e pastër ne balotazh, ne do të komfirmojmë fitoren në rivotimin e 17 dhjetorit”, ka thënë Dreshaj.

Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 22 tetor, Haki Rugova fitoi 45.36% të votave, ndërsa Gani Dreshaj ishte radhitur si kandidati i dytë më i votuar me 35.63%. Ky rezultat i çoi në balotazhin e 19 nëntorit ku Rugova fitoi 51.88% të votave ndërsa Dreshaj 48.12%, por rezultati u përmbys gjatë numërimit të votave me postë dhe me kusht, duke ia siguruar kandidatit të AAK-së fitoren, Gani Dreshajt.

PZAP ka marrë vendim që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim më 17 dhjetor pas ankesave të paraqitura në këtë institucion nga Lidhja Demokratike e Kosovës

 

© zëri.info