Zgjedhjet lokale 2017

LDK-ja e PDK-ja sërish ankohen në PZAP

LDK-ja e PDK-ja sërish ankohen në PZAP
01 dhjetor 2017 • 08 : 08 Foto: Laura Hasani
Arlinda Kqiku

Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka certifikuar rezultatet e partive në zgjedhjet lokale për rundin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës po i konteston rezultatet në Prishtinë e në Dragash derisa Partia Demokratike e Kosovës po i konteston rezultatet e zgjedhjeve në Prizren. Tashmë që të dyja i janë drejtuar me ankesa Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.

Përfaqësues të PDK-së përmes një konference për medie vlerësuan se ka pasur shumë parregullsi në Prizren gjatë ditës kur po votohej për kryetar të kësaj komune, ku kandidatë ishin Mytaher Haskuka nga “Vetëvendosja”, si dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).  Ata gjithashtu thanë se kanë edhe prova për ta vërtetuar një gjë të tillë, ku paraqiten edhe pamje se si sipas tyre vëzhgues të lëvizjes “Vetëvendosje” kanë bartur kutitë e votimit nga një klasë në klasën tjetër.

 Blerand Stavileci, nga PDK-ja, ka thënë se do t’i shtjerrin të gjitha rrugët e mundshme ligjore për ta vënë në vend vullnetin e qytetarëve. “Qëndrimi i këtij subjekti politik, kategorikisht kundër rinumërimit, na bind se i frikësohet rinumërimit sepse e di se çfarë ka bërë. Ne asnjëherë nuk ia kemi pasur frikën asnjë segmenti që lidhet me votimin. Në këtë mënyrë gjithçka mbetet e kontestuar dhe e kontestueshme. Është në të mirën e të gjithë atyre që duan ta ruajnë vullnetin e qytetarëve që të pranohet rinumërimi”,tha Stavileci. Ai gjithashtu tha se ka pasur veprime abuzive, shantazhe, kërcënime, sulme ndaj organeve dhe zyrtarëve shtetërorë dhe është përdorur fenomeni i njohur si “Treni bullgar”. “Edhe në kuadër të këtij fenomeni të ashtuquajtur ‘Treni bullgar’ në bazë të këtyre provave që do t’i paraqesim kemi të bëjmë me veprime me bazë të madhe të dyshimit, ku shihen persona që në mënyrë të paligjshme kryejnë veprime të votimit dhe e gjithë kjo e vërteton të gjithë atë që ne po këmbëngulim”, tha Stavileci.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Betimi Gjoshi, ka thënë se dita-ditës janë duke shikuar dhe janë duke u shtuar faktet që në Prizren ka ndodhur një manipulim i votave në ditën e zgjedhjeve.  Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa së bashku me kandidatin për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova, gjatë ditës së djeshme përmes një konference për medie kanë kërkuar që në Istog të mos shkohet në rivotim, por të anulohen votat me postë. Sipas liderit të kësaj partie, në Istog ka fituar kandidati i LDK-së. Mustafa me këtë rast ka thënë se kandidatit të partisë së tij Haki Rugovës është tentuar t’i kontestohet dhe të vëhet në sprovë me vota të kriminalizuara të importuara nga qendrat kriminale, të cilat në mënyrë të organizuar kanë mbushur zarfet në Mal të Zi, në Serbi, në Slloveni dhe në Vjenë. “Këto vota ne kemi konstatuar se nuk janë vota të diasporës ashtu siç është shprehur kundërkandidati i Rugovës sepse diasporën shqiptare nuk e përbëjnë serbët, malazezët edhe boshnjakët, ajo nuk është diasporë në Serbi as në Mal të Zi. Ne e dimë se ku janë bashkatdhetarët tanë të shtrirë në vendet e BE-së”, ka thënë Mustafa.  

Po ashtu përmes një komunikate për medie LDK-ja ka njoftuar se ka ushtruar katër ankesa që ndërlidhen me shkeljet e evidentuara në zgjedhjet për kryetar të komunave (rundi i dytë), të mbajtura më 19.11.2017. “Lidhja Demokratike e Kosovës, sikur në të kaluarën, edhe kësaj radhe synon që përmes ankesave të cilat janë të mbështetura plotësisht në prova të pakontestueshme, të korrektojë procesin zgjedhor në secilin rast që janë evidentuar shkeljet, të cilat ndikojnë në shtrembërimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje”, thuhet në komunikatë.

© zëri.info