KQZ-ja certifikoi rezultatet, Istogu në rivotim

Zgjedhjet lokale 2017 November 30, 2017 - 08:07

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve për kuvendet komunale në 37 komunat e Kosovës, përveç Vushtrrisë, ku disa kandidatë që kanë qenë në garë kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

KQZ-ja gjithashtu ka shpallur rezultatet për kryetarë të 17 komunave dhe rivotimit për kryetar të Komunës së Parteshit. Rezultatet përfundimtare të rundit të dytë u shpallën për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri dhe Malishevë.

LEXO EDHE: Miratohet në parim Projektligji për Prishtinën

Nga këto rezultate doli se në zgjedhjet për kryetar të komunave, në përgjithësi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar garën për kryetar në 7 komuna, (me mundësinë që ta fitojë edhe Komunën e Istogut ), Lidhja Demokratike e Kosovës në 7 komuna, (me mundësinë që ta fitojë edhe Komunën e Istogut), Partia Demokratike e Kosovës në 5 komuna dhe Aleanca Kosova e Re ka fituar në 2 komuna.

Nisma për Kosovën dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës kanë fituar në garën për kryetar komunash nga 1 komunë, ndërsa në dy komuna, në Skenderaj dhe në Han të Elezit, kanë fituar kandidatë të pavarur.

Numrin më të madh të komunave e ka fituar Lista Serbe, gjithsej në 10 komuna, të cilat janë me shumicë serbe.

LDK-ja dhe PDK-ja ankohen për manipulim të votave

Përfaqësuesi i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, si dhe ai i PDK-së, Betim Gjoshi, janë ankuar për manipulim të votave në Prishtinë dhe në Prizren nëpërmjet metodës së ashtuquajtur “treni bullgar”, komuna këto të fituara nga lëvizja “Vetëvendosje”.

Sipas përfaqësuesve të LDK-së dhe të PDK-së, kjo metodë e manipulimit me vota bazohet në disa zarfe të zbrazura të gjetura.

“‘Vetëvendosja’ ka bërë trysni të madhe që të bëhet numërimi i votave më kusht para rinumërimit të tërësishëm. Me shqetësim e them që ata kanë bërë trysni që të merret ai vendim nga Supremja”, ka thënë anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, nga LDK-ja.

Por, pretendimet e tyre janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, Adnan Rrustemi.

Ai madje ka kundërshtuar që KQZ-ja të votojë për certifikimin e rezultateve veç e veç, me arsyetimin se po shfrytëzohet ky institucion i pavarur për interesa politike.

Hamiti kundërshton rezultatin në Komunën e Prishtinës

Në mbledhjen e KQZ-së për certifikimin e rezultateve për kryetar komune, kur kryetarja e këtij komisioni kërkoi të miratohet rezultati në Komunën e Prishtinës, pati ankesa nga anëtari i këtij komisioni, Sami Hamiti.

Lidhur me rezultatet e shpallura nga KQZ-ja për Komunën e Prishtinës, që e nxori fitues kandidatin nga “Vetëvendosja”, Shpend Ahmetin me 50,52% të votave, ishte kundër Sami Hamiti, i cili tha se kjo parti ka bërë trysni në numërim. Ai tha se 3% të votave me kusht kanë qenë të zbrazura, pra ka ndodhur “treni bullgar” në Kosovë.

“Angazhimi aq i madh që të mos bëhet rinumërimi është sepse diçka ka ndodhur me kutitë”, tha ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i Rrustemit, që tha se të gjithë e dimë që shpallja e rezultateve përfundimtare duhet të ndodhë dhe jo të përdoret si mekanizëm për bllokim dhe se të gjitha ato që tha Hamiti nuk qëndrojnë dhe, sipas tij, janë vetëm pretekste.

“Ne nuk mundemi ta bllokojmë shpalljen e rezultateve”, ka thënë ai.

Pavarësisht këtyre ankesave të anëtarëve, KQZ-ja arriti t’i certifikojë rezultatet në 17 komunat e Kosovës.

Istogu shkon në rivotim

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme u bë zyrtar edhe një vendim nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, me ç’rast ata vendosën që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim.

PZAP-i ka marrë vendim që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim pas ankesave të paraqitura në këtë institucion nga Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja ka dërguar në PZAP ankesa pas numërimit të votave me postë në Istog.

Sipas kësaj partie, Gani Dreshaj i AAK-së arriti ta marrë epërsinë në Istog me manipulime të shumta të votave përmes postës.

 

 

Të rekomanduara